Tregu i “Bëje vetë ti” po sheh ditë pozitive. Vitin e shkuar, xhiroja e dy kompanive më të mëdha në këtë sektor arriti 2.6 miliardë lekë, me rritje dy shifrore. Çfarë i ka bërë shqiptarët të rikthehen te produktet bëje vetë? Çmimet e leverdishme, shmangia e kostos së punëtorëve, diversifikimi i produkteve. Problematikë mbeten tregjet informale, zhvlerësimi i produkteve dhe aftësia blerëse…
Nga Deada Hyka
Bëje vetë, apo siç njihet kudo në botë DIY, nuk është një koncept i ri. Njerëzit e kanë përqafuar DIY shumë kohë më parë. Megjithatë, si shumë gjëra të tjera, interneti dhe veçanërisht aspekti social i tij, e ka përshpejtuar fenomenin dhe ka lehtësuar mundësitë e pafundme edhe për këtë sektor.
Tregu botëror i DIY po sheh rritjet më të mëdha në histori, gjë që po reflektohet edhe në një treg të vogël si ai shqiptar. Sipas specialistëve të fushës, kjo ka ndodhur për disa arsye. E para, rritja e kostove të mobilierisë, e cila i çuar njerëzit te koncepti DIY, ku çmimi është dukshëm më i leverdishëm. E dyta, rritja e kostove të forcës punëtore. Edhe shqiptarët, që historikisht janë shquar për aftësitë e tyre në shumë fusha: hidraulike, elektrike, montime etj., e kanë më të lehtë dhe të leverdishme që të montojnë një mobilie vetë, për të shmangur punësimin e një specialisti.
Njerëzit po i afrohen më tepër konceptit të ‘bëje vetë’ më shumë se kurrë më parë, por aktorët e tregut pohojnë se ky është veçse fillimi, për të arritur atë ekspansion që Europa dhe sidomos Amerika ka përqafuar vite më parë.
Rigers Greku, menaxher i Jysk Albania, përfaqësuesi i Jysk Denmark, komunitet i njohur i DIY në vendet skandinave dhe konkurrenti kryesor i suedezes IKEA, thotë se është misioni i tyre për t’i çuar njerëzit drejt ‘bëje vetë’ më shumë. Për këtë, Jysk po sjell në Shqipëri gjithnjë e më shumë produkte çdo ditë. Ai thotë se janë të shumtë ata që kanë një pasion për ta parë atë të ndërtohet me duart e tyre.
Pra, çfarë është ajo që e bën DIY të jetë kaq popullore dhe të gjenerojë miliona në një vit, duke angazhuar më shumë njerëz në një treg kaq të vogël sa Shqipëria?
Dionis Teqja, Presidenti i Megatek, hipermarketi që nisi të veprojë në tregun vendas në vitin 2009 nga grupi investitor “Teqja Group”, shpjegon: “Mendoni për përvojën e ndërtimit të shtëpisë suaj, duke shkuar në Megatek, por duke u shoqëruar me miqtë tuaj, të cilët mund t’ju japin këshilla se çfarë të zgjedhin dhe si të dekorojnë. Kjo formë është shumë më e pëlqyer se sa të porosisësh diçka që nuk e di fundin e produktit se si do të jetë”, – thotë ai për “Monitor”.
Aktorët e tregut theksojnë se, disa njerëz e përdorin DIY si një mënyrë të shëndetshme për të shpëtuar nga stresi i jetës së përditshme. Nëpërmjet produkteve të DIY, klientët i japin shtëpisë së tyre kreativitet në arredim. Madje, njerëzit kënaqen më shumë, duke u ndier të suksesshëm që arritën të bënin diçka, pa ia bërë këtë punë dikush tjetër. Për më tepër, shmangin fatura të tjera.
Një tjetër fenomen interesant i konceptit DIY është dëshira për të ndarë krijimin. Në platforma si YouTube gjen pafund video se si bëhet apo montohet një produkt i caktuar, apo se si bëhet një dekorim nga një hipermarket DIY, ku vihet re se shumica e njerëzve i shohin këto video. Ashtu sikurse ndodhi dikur me gatimet, edhe me produktet DIY, njerëzit po ndajnë në rrjetet sociale përvojën e tyre.
Është bërë disi sfidë në internet, se sa larg mund të shkosh pa shpenzuar para? Sa kreativ mund të jesh?
Problematikat e tregut
Nuk mungojnë problematikat. Ndonëse dy kompanitë më të mëdha në këtë sektor, Megatek dhe Jysk, po rriten në tregun shqiptar, pohojnë se ka ende ngërçe që kryesisht lidhen me tregun informal.
Sipas Rigers Greku nga Jysk Albania ka ende konsumatorë që për hir të disa çmimeve më të ulëta, u drejtohen dyqaneve të vogla të lagjeve, ku me shumë mundësi, mosregjistrimi dhe informaliteti u garantojnë klientëve produkte me kosto më të ulët. Duke pasur produkte jo shumë cilësore, çmimi final do të jetë dukshëm më i ulët se në hipermarketet kryesore DIY. Megjithatë, sipas tij, mendësia e shqiptarëve po ndryshon. Pjesa më e madhe e tyre u drejtohen produkteve më cilësore për të pasur jetëgjatësi.
Z. Teqja pohon se ka qenë shumë i vështirë operimi në një fushë apo sektor të tillë, sepse konsumatorët shqiptarë kanë pasur pak njohuri të filozofisë DIY, që produkti merret vetë dhe montohet vetë. “Me kalimin e viteve, për një pjesë të produkteve kemi ofruar montimin nga stafi ynë pa kosto, për të rritur potencialisht klientët, pasi jo çdo produkt do të ishte e lehtë të montohej vetë nga konsumatorë të pamësuar me këtë pjesë”, – pohon ai. Xhori thekson se mendësia e shqiptarëve dhe tregu informal janë dy problematikat kryesore.
Treg fitimprurës
Sipas të dhënave në QKR, në dy vitet e fundit, të dyja kompanitë kanë pasur zgjerim të aktivitetit. Megatek ka parë rritje të xhiros me rreth 24%, në 2 miliardë lekë. Jysk Albania është zgjeruar me 31% në 2017, por ajo realizon një qarkullim vjetor disa herë më të ulët, në 607 milionë lekë.
Vetëm vitin e shkuar, dy kompanitë kanë gjeneruar 2.6 miliardë lekë në tregun shqiptar të produkteve DIY.
Të ndërtosh vetë
DIY nuk ka lindur brenda natës. Popullariteti i këtij koncepti mund të jetë më i vjetër se sa vetë njerëzimi, pra bërja e gjërave vetë.
Termi “do it yourself” u shfaq së pari në një artikull të Revistës Suburban Life të tetorit 1912 me titull “Dekorimi praktik për brendësinë e shtëpisë” i cili dha këshilla për arredimin e brendshëm “për ata që duan të bëjnë vetë gjërat”.
DIY në botë fitoi popullaritet dhe tërheqje më të madhe deri në mesin e viteve 1940, falë futjes së produkteve në shtëpi nga Black & Decker. Pas Luftës së Dytë Botërore, Black & Decker kapitalizoi popullaritetin e veglave të punës midis punëtorëve të fabrikës. Lehtësia dhe shpejtësia e veglave të reja të përdorura në punë i frymëzuan shumë prej tyre “për t’i huazuar” mjetet për të përfunduar projektet në shtëpi.
Operatori gjerman Praktiker investoi rreth 15 milionë euro në një hapësirë tregtare 8,000 metra katrorë. Por, në fund të vitit 2011, shpalli falimentin. Megjithëse kompania e kishte projektuar vite më parë hyrjen në tregun shqiptar (në vitin 2007-n e bëri këtë publikisht) ajo hyri vetëm në fund të 2009-s, kur tashmë kriza ekonomike po jepte efektet negative, sidomos në sektorin e ndërtimit. Vonesa duket se nuk ishte një zgjidhje “e zgjuar” e kompanisë gjermane. Po atë vit, investitorë vendas, Teqja Group, hapën një tjetër hapësirë tregtare DIY, Megatek, me një sipërfaqe edhe më të madhe.
Praktiker mbylli aktivitetin për shkak të krizës, mungesës së ndërtimit dhe mendësisë së shqiptarëve ende të papërgatitur për hapësira të mëdha DIY, sipas administratorëve të kompanisë në atë kohë. Faktorët që ndikuan në dështimin e zinxhirit gjerman në Tiranë janë të shumtë.
Negativisht ka ndikuar edhe pozicioni i pafavorshëm gjeografik i marketit, në një zonë që nuk gjeneron trafik (larg zonave të nxehta të konsumit) dhe i rrethuar me popullsi rurale shumë e varfër. Dyqanet e vogla, që shesin materiale ndërtimi me cilësi shumë të ulët dhe që bëjnë evazion fiskal, nuk përdorin kasë fiskale dhe faturë, janë “fajësuar” gjithashtu si shkaktarë të dështimit të zinxhirit më të madh gjerman të DIY në atë kohë.
Epopeja e falimentit të Praktiker u mbyll vetëm në prill të këtij viti. Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë shpalli vendimin e mbylljes së procedurës së falimentit. Kompania me qendër në Kirkel të Gjermanisë nuk arriti të korrte suksesin e duhur në tregun shqiptar, ndaj mbylli hipermarketin në vitin 2011 dhe u largua nga Shqipëria një vit më pas. Me kërkesë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Gjykata e Tiranës nisi në vitin 2013 procedurat e falimentimit, për të cilën u deshën 5 vite që të përfundonte.
Ndërkohë, La Prealpina, e cila ka hyrë e para në treg, por me një format shumë më të vogël, vetëm 1500 m², investoi në hapjen e një tjetër njësie në vitin 2011, në një nga qendrat tregtare në vend. Në vitin 2015 shpalli kërkesë për pezullim aktiviteti.
Tregu global
Në vitin 2016, xhiroja në tregun botëror të DIY / home arriti 567 miliardë euro, një rritje prej 3,8% krahasuar me vitin e kaluar. Amerika e Veriut dhe Europa përfaqësojnë përafërsisht 85% të këtij tregu, edhe pse popullsia e tyre e përbashkët përbën vetëm 15% të popullsisë botërore. Tregjet DIY të këtyre dy kontinenteve janë 484 miliardë euro. Amerika e Veriut dhe Europa arrijnë përkatësisht 57% dhe 28% të tregut botëror. Amerika e Veriut kishte shpenzimet mesatare më të larta për DIY për frymë në 2016 me 899 euro.
Përafërsisht 82% e tregut global DIY (467 miliardë euro) është i përqendruar në vetëm 8 vende: SHBA, Gjermani, Japoni, Kanada, Mbretëria e Bashkuar, Francë, Australi dhe Itali. Për më tepër, tre vendet e DIY në Europë (Gjermani, Francë dhe Mbretëria e Bashkuar) përfaqësojnë 53% të tregut të kontinentit.
Dhjetë shitësit më të mëdhenj të DIY në mbarë botën janë: Home Depot (SHBA), Lowe’s (SHBA), ADEO (Francë), Kingfisher (Britani e Madhe), Menards (SHBA), Bunnings Building (Australi), OBI (Gjermani) Sears (SHBA), Canadian Tyre (Kanada), IKEA (Suedi).
Të rinjve mund t’u duhet më shumë kohë për të blerë një shtëpi, por një studim në The Home Depot zbuloi se 57% e qiraxhinjve të rinj e shohin pronësinë e shtëpisë si një qëllim të rëndësishëm, krahasuar me vetëm 38% të gjeneratës tjetër.Në fakt, Qendra e Përbashkët e Harvardit për Studimet e Strehimit parashikon që pronarët e rinj të shtëpive do të rriten me 35% këtë vit. Kjo tendencë ndodh edhe në Europë. Këta pronarë të rinj po riorganizojnë industrinë e Home & Garden, duke u bërë pjesë aktive në dekorimin dhe riparimin e shtëpisë dhe duke kërkuar përvojat e shitjes me pakicë, si në internet dhe jashtë. Veçanërisht në SHBA dhe në Europë, ata janë blerësit kryesorë të produkteve DIY.
Vlera e tregut DIY rritet çdo vit, në mbarë botën. Në vitin 2013, vlera e tregut botëror DIY ishte rreth 31.9 miliardë dollarë amerikanë. Në vitin 2014, dyqanet DIY në Shtetet e Bashkuara gjeneruan 144 miliardë dollarë amerikanë fitime. Analisti i hulumtimit të tregut Technavio parashikon që tregu global i DIY do të rritet në mënyrë të qëndrueshme mbi 3% deri në vitin 2021, duke tejkaluar 200 miliardë dollarë.
INTERVISTAT
Flet Presidenti i Megatek, Dionis Teqja
“Tregu informal problemi kryesor”
Z. Dionis Teqja, President i Megatek, në një intervistë për “Monitor”, pohon se në fillim ishte shumë e vështirë të operoje në sektorin e “bëje vetë”, pasi konsumatorët shqiptarë nuk kanë qenë të mësuar me filozofinë që produkti merret vetë, montohet vetë. Më pak kultura e konsumatorëve filloi të ndryshonte. Ai pohon se sfidë e momentit, e trashëguar që herët, mbetet tregu informal…
Si ka qenë ecuria e biznesit tuaj ndër vite?
Megatek daton herët në tregun shqiptar, që me hapjen e tij në dhjetor 2009. Fillimet kanë qenë sfiduese, për shkak të krizës së atyre viteve, por në vijim ka pasur një rritje organike të qëndrueshme. Tashmë Megatek është një biznes i konsoliduar në Shqipëri dhe rajon. Ritmet e rritjes po vijojnë të jenë pozitive, çka na bën të synojmë shtrirjen jo vetëm në Europë, por edhe në Azi. Në tregun vendas, rritja shënohet rreth + 29% deri në +32% nga viti në vit.
Si ka ndryshuar tregu i DIY pas mbylljes së Praktiker dhe La Prealpina?
Megatek e ndërtoi formatin e biznesit duke mos u bazuar në tregun lokal, por ndërtoi një model biznesi që përqafon atë të tregut europian dhe amerikan, sidomos me ofrimin e gamës së shumëllojshme të produkteve bëje vetë. Pra, një hapësirë e konsiderueshme ku konsumatori gjen çdo gjë, në një vizitë të vetme. Formati ynë i biznesit u mbështet në kompanitë më të suksesshme të këtyre vendeve, jemi përpjekur të përshtasim stilin dhe portofolin me gamën e produkteve të cilat sigurisht i kemi përzgjedhur me shumë kujdes, duke u fokusuar te shija e konsumatorëve shqiptarë dhe ajo e tregut mesdhetar (Itali, Greqi, Spanjë) për t’ju afruar kërkesës së konsumatorit.
Mendojmë se ajo çfarë na ndihmoi të ecim me hapa të mirë biznesi ishte ruajtja e diversifikimit në portofolin e produkteve dhe çmimi konkurrues. Gjatë 9 viteve të tij të operimit, Megatek ka evoluar në terma të biznesit, është përshtatur dhe rritur, duke u larguar nga Megatek i ditës së parë. Gjatë këtyre 9 viteve, shumë kompani të njohura europiane që operojnë në të njëjtin sektor dështuan. Ndryshimet që sot vëmë re janë në shërbimin shumë cilësor për klientin, rritjen e ndjeshme të cilësisë dhe dizajnit të produkteve, si dhe në rritjen e shumëllojshmërisë së markave më të njohura të tregut botëror.
A ka ndryshuar mendësia e shqiptarëve në funksion të përqafimit të këtij sektori të tregut?
Ka qenë shumë e vështirë të operoje në një sektor të tillë, pasi konsumatorët shqiptarë nuk kanë qenë të mësuar me filozofinë që produkti merret vetë, montohet vetë. Me kalimin e viteve, për një pjesë të produkteve kemi ofruar montimin e tyre nga stafi ynë, i cili është trajnuar shumë mirë. Sot ka një ndryshim të madh në përqasjen e konsumatorit, ata janë më të qartë në mënyrën se si blihet, se si montohet dhe në mënyrën se si kërkojnë mbështetje më profesionale nga stafi inxhiniero-teknik i Megatek.
Cilat janë produktet më të preferuara (të shitura)?
Të gjithë departamentet kanë ecuri të mirë, në bazë të portofolit të diversifikuar të produkteve. Çdo departament ka përfshirë edhe sektorin sezonal, i cili ofron, sipas stinës apo muajit, produkte specifike. Në rastin konkret kopshtaria në stinën e pranverës; në sezonin veror, artikujt e plazhit; në sezonin e kthimit në shkollë mobilimin dhe artikujt e nevojshëm për nxënësit, studentët dhe zyrat për bizneset; gjatë sezonit të Krishtlindjeve dhe Vitit të ri, ku çdo biznes apo familje gjatë nëntor – dhjetor dekoron ambientet e tyre për t’i bërë ato më festive.
Çfarë vështirësish ka të operosh në tregun shqiptar?
Elementi që has më tepër vështirësi një biznes i mirëfilltë në Shqipëri, sidomos korporatat, është niveli i lartë i informalitetit. Edhe në sektorin që ne operojmë, bizneset informale janë një “konkurrent jo i ndershëm” dhe sigurisht më pak cilësor. Ne po përpiqemi ta fitojmë këtë betejë, duke punuar me normë të ulët fitimi dhe produkte cilësore të garantuara nga markat më të mira ndërkombëtare.
Duke marrë në konsideratë edhe aktivitetin tuaj në rajon dhe më gjerë, çfarë ndryshimesh ka me tregun shqiptar?
Është i thjeshtë fakti që, në tregun europian, Megatek bën tre herë më shumë xhiro se sa në tregun shqiptar pa u dashur të shpenzojë kaq shumë energji. Tregu i zhvilluar europian është më i konsoliduar dhe konsumatorët janë të edukuar në mënyrën se si bëjnë ‘shopping’. Në këto vende, informaliteti është më i ulët dhe bizneset janë të mirëstrukturuara. Në tregun europian nuk ekziston gjobëvënia apo rivlerësimi në mënyrë të kundërligjshme i taksës nga punonjës të administratave doganore dhe tatimore. Në këtë mënyrë, bizneset janë më të fokusuara te zhvillimi i biznesit dhe hapja e vendeve të reja të punës se sa stresi që i krijohet biznesit në Shqipëri dhe humbja e kohës duke u marrë me institucionet e ndryshme të administratës shtetërore. Këto janë disa nga ndryshimet që ka tregu i strukturuar europian apo aziatik, me tregun e vështirë shqiptar.
Problemet
Në tregun europian nuk ekziston gjobëvënia apo rivlerësimi në mënyrë të kundërligjshme i taksës nga punonjës të administratave doganore dhe tatimore. Në këtë mënyrë, bizneset janë më të fokusuara te zhvillimi i biznesit dhe hapja e vendeve të reja të punës se sa stresi që i krijohet biznesit në Shqipëri dhe humbja e kohës duke u marrë me institucionet e ndryshme të administratës shtetërore.
Flet Rigers Greku, menaxher për Jysk Albania
Fillimi ishte i vështirë, e detyruam ta mbyllnim, pastaj…
Rigers Greku, menaxher për Jysk Albania, thotë për “Monitor” se shqiptarët po e përqafojnë tendencën e bëje vetë për shkak të kostos së lirë të produkteve, kryesisht për mobilierinë që është edhe artikulli më i shitur. Z. Greku pohon se brenda dy vitesh pritet të hapen 10 dyqane të tjera në rrethet kryesore. Ai shfaq shqetësimin rreth konkurrencës së pandershme nga dyqanet informale…
Si vendosi danezi Jysk të niste aktivitetin e tij në Shqipëri?
Hyrja në tregun shqiptar të Jysk daton më herët se sa hapja pranë TEG. Fillimisht, në 2007 u hap në Casa Italia, asokohe e vetmja qendër tregtare. Sapo nisi aktivitetin Jysk, qendra nisi të shfaqte problematikat e veta financiare, gjë që na bëri që të tërhiqeshim. Kjo përkon me vitet që kriza u ndie në shumë sektorë në Shqipëri dhe nga ana tjetër, ne nuk kishim mundësi për t’ju rialokuar në ndonjë vend tjetër, për shkak të një hapësirë të caktuar që duhet të përmbushte Jysk sipas standardeve europiane.
Më vonë, u rikrijuan kushtet dhe në 2015 e hapëm sërish në TEG dhe QTU. Tashmë, Jysk ka disa dyqane, edhe në tre qendra të tjera tregtare brenda qytetit. Prania e Jysk është edhe në Shkodër. Planet tona përfshijnë hapjen e dyqaneve të tjera në disa nga qytetet më të mëdha në vend që të plotësojmë një gjeografi gjithëpërfshirëse të pranisë sonë në Shqipëri. Aktualisht, Jysk ka 2668 dyqane në 50 shtete.
Si është ecuria e aktivitetit tuaj pas rihapjes në 2015?
Ky lloj koncepti në Europë është përqafuar herët, që në vitin 1979 dhe ka parë gjithnjë rritje të aktivitetit, shtim të numrit të dyqaneve etj. Kjo, sepse koncepti i produkteve të Jysk në Europë është për shtresën e mesme dhe të ulët. Në Shqipëri, disa produkte të linjës sonë ende konsiderohen si produkte të shtrenjta, por që në fakt nuk është kështu, pasi vlerësimi bëhet në raportin çmim/cilësi. Një produkt për arredimin e shtëpisë së Jysk ofron garanci dhe jetëgjatësi që në tregun e lagjes nuk e gjen. Me këtë lloj koncepti po luftojmë ende, ndonëse klientët besnikë janë në shifra të larta.
Nga ana tjetër, edhe mobilieria ka kosto të ulët kundrejt cilësisë, si dhe faktit që montohet vetë nga klienti, duke zvogëluar kostot. Edhe paketimi i një mobilieje, në rastin konkret, klientit i bëhet i përshtatshëm në varësi të mjetit të transportit, që të heqin koston e transportit nga kompania. Këtu kursehet shumë, i shoqëruar me manualin dhe setin e veglave, gjë që përputhet me filozofinë e ‘bëje vetë’. Dyqani në TEG gjeneron të ardhurat më të larta, me hapësirën më të madhe por gama e produkteve është e njëjtë në secilin dyqan. Rritja në total është e qëndrueshme, me rreth 15-20% nga viti në vit.
Cilët janë produktet më të preferuara nga shqiptarët?
Në katalogun tonë ne kemi mbi 8 mijë artikuj aktivë, por sigurisht jo të gjithë kanë të njëjtën ecuri shitje. Në Jysk, që me hapjen e dyqanit të parë, trendi konsumator është së pari mobilieria, së dyti dyshekët, së treti jorganët dhe jastëkët. Këtë tendencë e kemi vënë re në të gjithë dyqanet në këto tre vite. Kjo përputhet edhe me trendin e kompanisë mëmë në vendet e tjera europiane. Duhet theksuar që produktet e shtëpive janë në tre nivele, për t’iu përshtatur konsumatorëve: basic, plus dhe gold. Për çudi, gold që është më i shtrenjti, ecën më mirë se sa të tjerët.
Cilat janë problematikat e tregut? Po konkurrenca?
Vështirësi ka, që me hapjen e dyqaneve që duam të bëjmë. E kemi shumë të vështirë të gjejmë hapësira të përshtatshme për të hapur Jysk sipas standardeve që kërkon marka. Ndër kriteret kryesore për çeljen e një dyqani JYSK është hapësira. Në rrethe po hasim vështirësi që të gjejmë një ambient rreth 1500 m².
Një ndër problemet që lidhet më këtë çështje, është bashkëpronësia. Shumë pronarë kanë vështirësi të bien dakord për të lënë një hapësirë të përbashkët me qira, në rastin konkret të një kati në një pallat ekzistues. Kjo duke marrë në konsideratë që nëpër rrethe nuk ka qendra të mirëfillta tregtare. Konkurrencë ka, por ajo që na dëmton më tepër janë dyqanet apo tregjet informale, me produkte të një cilësie jo të mirë dhe me çmimet më të ulëta.
Çfarë planesh keni në vijim?
Planet janë që brenda dy viteve do të mbulohet i gjithë territori i Shqipërisë me dyqanet tona, sidomos qytetet kryesore, me projeksionin për të pasur 15 dyqane në të gjithë Shqipërinë. Me kalimin e viteve do të kemi një databazë më të pasur të produkteve më të pëlqyera, gjë që do të na udhëzojë drejt ofrimit më të pasur të tyre, sipas tendencës blerëse të konsumatorit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.