Shqipëria nuk hyn tek vendet birrëdashëse dhe këtë e tregojnë shifrat e konsumit për frymë. Referuar të dhënave zyrtare në vitin 2016, në treg u hodhën rreth 62 milionë litra (prodhim + import) çka bën që konsumi për frymë të jetë 22 litra. Kjo përllogaritje vlen vetëm për pjesën formale të tregut, ndërkohë që nëse në vlerësim marrim edhe tregun informal, fabrika të vogla dhe pjesën e evazionit, konsumi për frymë mund të arrijë deri në 30 litra për frymë.
Sakaq nga fqinjët duket se Italia është më afër shifrës tonë, me vetëm 26 litra për frymë të konsumit të birrës. Më pas vijnë Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi. Kroacia është ajo që mban edhe rekordin në rajon, me 76.6 litra për frymë.
Për Maqedoninë dhe Kosovën, shifrat nuk janë të disponueshme.
Rekordin në botë e mban Çekia, me 142 litra për frymë dhe pas saj vjen Sejshell me 114.6 litra për frymë. Austria dhe Gjermania vijnë respektivisht në vendin e tretë dhe të katërt kurse listën e 10 vendeve me konsumin më të lartë për frymë e mbyll Rumania me 92.1 litra për frymë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.