Shtëpia e Bardhë “Trump”

04/02/2017 8:01 AM 0 komente

Çfarë do të arrijë Donald Trump-i gjatë mandatit të tij?

Sipas David Runciman, një akademik anglez, në pjesën më të madhe të kohës, çështjet e politikës kanë shumë pak interes për shumicën e njerëzve. Pastaj, papritmas, këto çështje marrin rëndësi shumë të madhe, siç është edhe rasti i presidentit të 45-të të Amerikës, Donald Trump.
Jo vetëm populli amerikan, por e gjithë bota, është në pritje të vendimeve që do të marrë Trump-i sepse askush nuk e di me saktësi se cila do të jetë politika që do të ndjekë ai, shkruan The Economist.
Mbështetësit e tij janë në pritje të ndryshimeve më të mëdha të gjysmëshekullit të fundit të cilat do të trondisin Uashingtonin.
Ndërsa kundërshtarët e tij janë të bindur se kaosi dhe shkatërrimi që do të ndodhë, do të jenë në shkallë botërore – por tani për tani dëshpërimi i tyre mbetet thjesht një supozim. E vetmja gjë për të cilën bien dakord të gjithë amerikanët është se Trump-i do të jetë një president krejtësisht ndryshe nga të 44 presidentët e mëparshëm. Por pyetja që ngrenë të gjithë është: Çfarë lloj presidenti do të jetë ai?

Brenda West Wing*

Se ç’do të ndodhë gjatë 4 viteve të mandatit të Trump-it nuk dihet e saktë, edhe pse informacion për të krijuar një ide ka me bollëk. Muajt përgatitorë përpara fushatës, fushata e tij elektorale, jeta e tij si një prej sipërmarrësve më të rëndësishëm – janë të gjithë elementet plotësuese të një rebusi sesi mund të jetë Trump-i si president dhe sesi do të jetë qeverisja e tij kur ai të ulet në po të njëjtën karrige të presidentit të parë të Amerikës, George Ëashington. Edhe ekipi me njerëzit që ai ka zgjedhur (biznesmenë të fuqishëm dhe aktivistë të njohur republikanë) është një faktor tregues i qeverisjes së re “Trump”.
Por edhe Trump-i si njeri që është, mund edhe të ndryshojë. Ai do të shprehej me një frymë për gazetën Neë York Times se njerëzit janë një ndër faktorët kryesorë në ndryshimet klimatike dhe se do të rihapë minierat e qymyrgurit sa më parë të jetë e mundur.
Por kjo nuk do të thotë, siç sugjerojnë disa, se ju duhet të rrini pa folur fare dhe të prisni në heshtje atë se çfarë do të ndodhë në këto katër vite.
Gjatë fjalimit të një presidenti, fjalët kanë po aq peshë sa mund të kenë edhe veprat. Kur z. Trump deklaroi përpara dy gazetarëve europianë se NATO-s i ka ikur koha, ai shpreh një bindje të tijën e cila është pothuajse e njëjtë me faktin sikur ai të ndërmerrte veprime të caktuara. Për më tepër, z. Trump ka bërë të qarta edhe shumë bindje dhe qëndrime të tijat, nga të cilat mund të skicohet lehtësisht linja që do të ketë edhe qeverisja e tij gjatë katër viteve të ardhshme. Kjo u vërtetua që ditët e para të presidencës, teksa Trump vendosi për ndërtimin e murit me Meksikën, rivendosi vizat me 7 shtete dhe u tërhoq nga marrëveshja e tregtisë së lirë së Paqësorit.
Optimizmi pothuajse i pakufi në mesin e biznesmenëve amerikanë vjen edhe si pasojë e frikës që ata i ka pushtuar në lidhje me mbrojtjen e tregjeve dhe gjeopolitikës, si dhe më kryesorja, pyetjet në lidhje me administratën e re të Trump-it.
Le të shikojmë anën pozitive. Që prej zgjedhjeve të nëntorit, indeksi i aksioneve të S&P është rritur me 6% dhe po shkon drejt niveleve edhe më të larta.
Sondazhet tregojnë se besimi i bizneseve është rritur. Ata shpresojnë në shkurtim taksash dhe se kompanitë më të rëndësishme në vend do të sjellin përfitime të shumta. Pritet një bum në shpenzimet e brendshme, i shoqëruar ky edhe me rritjen e pagave dhe me investime në infrastrukturë dhe një program për liberalizimin, faktorë këta që do të ndikojnë edhe në rritjen e ekonomisë.
Nëse realizohet ashtu siç duhet, reforma e taksave do të japë përfitime të shumta, ashtu siç do të japë edhe një program i mirëmenduar dhe i hartuar me shumë kujdes në fushën e investimeve në infrastrukturë. Por nëse këto programe nuk realizohen në mënyrën e duhur, ekziston rreziku që niveli i rritjes së ekonomisë të jetë pothuajse i pakonsiderueshëm.
Por ky nuk është rreziku i vetëm. Nëse çmimet fillojnë të rriten dhe shkojnë në nivele të larta, për rrjedhojë do të rritet edhe presioni në Rezervën Shtetërore së cilës do t’i duhet të rrisë normat e interesit. Dollari do të shkojë në nivele shumë të larta dhe pjesa më e madhe e vendeve që kanë borxhe të akumuluara në këtë monedhë, kryesisht vende të tregjeve në zhvillim, do të vihen në vështirësi shumë të mëdha.
Në një mënyrë ose në një tjetër, secila prej këtyre paqëndrueshmërive do të ketë pasoja negative.
Nëse administrata Trump do të ndërmarrë masa për të zgjeruar deficitin tregtar nëpërmjet vendosjeve të tarifave shtesë dhe barrierave, atëherë paqëndrueshmëria në vend do të përkeqësohet edhe më shumë.
Ashtu siç z. Trump nënvlerëson rëndësinë e sistemit ekonomik botëror po në të njëjtën mënyrë ai nënvlerëson edhe rëndësinë e gjeopolitikës. Edhe përpara marrjes së detyrës së presidentit, Trump ka përçmuar rëndësinë e Bashkimit Europian, ndërsa pothuajse të gjithë paraardhësit e tij e shikonin atë si burim stabiliteti.
Ai është shprehur se Anxhela Merkel, kancelarja gjermane, nuk ka të njëjtën rëndësi me presidentin rus, Vladimir Putin. Ai është shprehur se do të ndërmarrë masa drastike kundër Meksikës dhe ajo që është më e rëndësishmja është se ai ka synim që të shkëpusë marrëdhëniet e vendosura midis Amerikës dhe superfuqisë së Kinës – duke vënë në rrezik një prej marrëdhënieve më të rëndësishme dypalëshe të të gjitha kohërave.
Sipas idesë së Trump-it, marrëdhëniet diplomatike ndërmjet shteteve duhet të bazohen në artin e nënshkrimit të marrëveshjeve. Z. Trump po ndjek një rrugë, sipas së cilës ai mund të arrijë gjithçka që dëshiron me shtetet e tjera duke krijuar njëkohësisht konflikte paraprake – natyrisht kundrejt pagesës së një çmimi të caktuar. Gabimi i tij është se ai nuk duhet t’i konsiderojë shtetet si biznese.
Në fakt, Amerika nuk mund të shkëpusë marrëdhëniet me Kinën në lidhje me çështjen e Detit të Kinës Jugore dhe të vendosë marrëdhënie të reja me ndonjë superfuqi tjetër.
Por këto aleanca, të cilat kanë marrë dekada të tëra për t’u ndërtuar nuk mund të prishen brenda pak muajve vetëm nga kapriçoja e Trumpit.
Marrëdhëniet ndërmjet shteteve sovrane priren të shkojnë drejt anarkisë-sepse, në fund të fundit, nuk ekziston një qeveri globale e cila të vendosë rendin por e vetmja zgjidhje pastaj do të mbetet lufta.
Për sa kohë që z. Trump do të prishë rendin që Amerika ka vendosur për vite me radhë, dhe nga i cili ka përfitime të shumta, ai është duke firmosur një marrëveshje të tmerrshme për vendin e tij.

Hair Force One (gjithçka sipas modelit Trump)

Aq shqetësuese është kjo perspektivë saqë ajo ngre një pyetje shumë të rëndësishme. Si do të funksionojë Shtëpia e Bardhë me Trump-in si president? Nga njëra anë janë politikanët e besueshëm si zëvendëspresidenti, Mike Pence; shefi i kabinetit, Reince Priebus, dhe republikanët e Kongresit të kryesuar nga Paul Ryan dhe Mitch McConnell.
Nga ana tjetër janë agjitatorët – veçanërisht Steve Bannon, Peter Navarro dhe Michael Flynn.
Lufta titanike midis politikës së zakonshme dhe kryengritjeve, ndërmjetësuar nga vajza e z. Trump, Ivanka, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, do të përcaktojnë sesa revolucionare do të jetë kjo presidencë. Teksa Trump-i merr në dorë frerët e politikës amerikane, e gjithë bota është në pritje të zhvillimeve të mëtejshme. Nga Dhoma Ovale, presidenti mund të bëjë pafundësisht mirë dhe në të njëjtën kohë mund të shkaktojë dëme të parikuperueshme.

West Wing*– Ndryshe njihet edhe si Ndërtesa Ekzekutive e Shtëpisë së Bardhë në të cilën ndodhet Dhoma Ovale, Dhoma e Kabinetit, Dhoma e Ruzveltit dhe Dhoma e Konferencës, e njohur ndryshe si Dhoma e Kenedit.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz