Është fillim maji dhe turistët anekënd kanë vërshuar si asnjëherë në Berat. Por mangësitë në akomodim dhe në shërbime po i krijojnë vështirësi qytezës së lashtë që të maksimizojë fitimet.
Qytetarët dhe bizneset të vetëm në betejë po mundohen të rikthejnë shtëpitë 500-vjeçare në hotele përballë një mungese totale shërbimesh publike dhe orientimi për t’u shërbyer me dinjitet mysafirëve të qytetëruar të Europës…
Blerina Hoxha
Dikush që shkon për herë të Berat e ka shumë të vështirë të orientohet në autostradën Durrës-Vlorë, pasi emri i qytetit turistik mungon në renditjen e tabelave. Kur i afrohesh Lushnjës nis e kthjellohesh, para shtrohet rruga e re gjatoshe me pemë të njoma rrapi që të çon sa hap e mbyll sytë në qytetin magjik. Për të kaluar një fundjavë në Berat duhet të kesh prenotuar së paku dy javë më herët, përndryshe duhet të ngresh në këmbë miq e të njohur për të gjetur një hotel pa pretendime ose duhet të kthehesh mbrapsht.
Është fillim maji dhe qyteti është mbushur me turistë jo si zakonisht. Hotelet në Mangalem, lagjja mesjetare më karakteristike e Beratit, dhe bujtinat në kala kanë tre ditë që kanë mbyllur prenotimet. Të 600 shtretërit në qytet janë të krejt të pamjaftueshëm për të përballuar vizitorët që vijnë që nga Tajvani, Zelanda e Re, Rusia, Italia, Kosova dhe nga të gjitha trevat e vendit. Makina të vogla janë në rresht me qytetarë të Tiranës që zgjedhin të kalojnë fundjavën larg metropolit, vitet e fundit pas rregullimit të rrugës i janë kthyer Beratit. Ka natyrë të bukur, histori, kala e kisha për t’u vizituar dhe për turizmin e aventurës, kanionet e Osumit nuk janë shumë larg.
Me gjithë vështirësitë për të gjetur një parking dhe një vend për të fjetur, Berati i buzëmbrëmjes me dritat e një mbi një dritareve të dhuron relaks pafund. Pedonalja e re poshtë kalasë në qytet ka krijuar hapësirë të bollshme për xhiron e mbrëmjes, por beratasit autoktonë nuk po ndihen shumë rehat. Më parë, hapësira paskësh qenë plot trëndafila dhe lulishte dhe tani është shtruar me gurë që të përvëlojnë kur bie vapa.
Berati si edhe shumë qytete të tjetra turistike të Shqipërisë këtë vit është zënë në befasi nga turistët e shumtë. Pasiguria në Lindjen e Mesme dhe kryesisht në Siri dhe konflikti civil në Afrikë kanë orientuar drejt Shqipërisë shumë të pasionuar të turizmit kulturor. Një grup italianësh me origjinë arbëreshe zbarkuan në qytet nën shoqërinë e një ciceroneje vendase. Italianët e moshuar kryesisht mbi të 60-at po vizitonin për herë të parë Shqipërinë në kuadër të një turi ballkanik, por në Shqipëri do të qëndronin tetë ditë. Kishin vizituar Shkodrën dhe Berati është qyteti i dytë, por do të rrinë edhe 6 ditë të tjera në kalatë dhe qytetet e Jugut të vendit. Ciceronia thotë se interesi për të vizituar Shqipërinë dhe qendrat historike janë shtuar shumë, por a është Shqipëria gati?
Leonardi, administrator i hotelit Belgradë në Mangalem, ka brenga plot. Tre vite më parë, ai ktheu shtëpinë e vjetër në hotel, por është në dilemë se a është duke shërbyer mirë Berati për turistët. Pas pamjes madhështore që ofrojnë lagjet mesjetare, ka mungesë standardesh konkurrence të pandershme.
Tre të katërtat e hoteleve dhe bujtinave nuk janë regjistruar në TVSH, edhe pse ofrojnë të njëjtat çmime. Kjo katrahurë në organizim duket se është vënë re edhe nga turistët. Agjencitë turistike që punojnë një vit me Beratin, vitin tjetër nuk e bëjnë më. Para tre vitesh ishin francezët që kishin vizituar qytetin, një vit më pas gjermanët kishin dominuar, dhe këtë vit italianët dhe rusët. Por nuk ka ndodhur, bie fjala, që puna me të njëjtin shtet të vijojë për disa vite rresht.
Këtë vit, fluksi i turistëve është më i madh se zakonisht. Agjencitë japoneze e renditën Beratin një ndër 30 qytetet më të bukura të Europës. Marketingu për Beratin ashtu edhe për Shqipërinë këtë vit ka qenë befasues. Të nxitur edhe nga pasiguria në Turqi dhe në Lindjen e Mesme, shumë turistë që vizitonin këto vende i janë afruar Shqipërisë. Mirëpo duket se Berati, po ashtu edhe gjithë Shqipëria, janë gjendur të papërgatitur për t’iu përgjigjur kërkesës. Qyteti i një mbi një dritareve nuk as shtretër të mjaftueshëm e as parking, pushteti lokal nuk shërben në pastrimin plehrave.
Hotelet, në terren të vështirë
Ashtu si dhe qytete tjera të turizmit kulturor në Shqipëri, edhe Berati ofron çmime të lira. Mesatarisht një natë në hotel të mirë nuk kushton më shumë se 30 euro për një dhomë dyshe bashkë me mëngjesin e përfshirë brenda. Vaktet e tjera mund të konsumohen në qytet me çmime të lira kundrejt një ushqimi mjaft të shijshëm që vjen si rrjedhojë e kulinarisë vendase dhe prodhimeve ende bio të zonës përreth. Për të vizituar qytetin plot me histori nuk ka asnjë shpenzim. Shëtitjet përmes rrugicave me kalldrëm në lagjet e Goricës, Mangalemit dhe të Kalasë janë mjaft të këndshme për të kaluar një ditë të plotë në Berat.
Nga Antingoni, në lagjen Goricë me një kafe që kushton jo më shumë se 40 cent shijon pamjen e mrekullueshme të Osumit me Mangalemin përballë që në darkë ofron një pamje marramendëse.
Muzeu i Onufrit brenda lart në kala kushton vetëm 200 lekë, por shërbehet me orar të kufizuar dhe jo të gjithë kanë mundësi të frekuentojnë. Por për hotelet në qytete, të gjithë këto resurse nuk përkthehen në fitime. Kostot janë të larta përballë çmimeve të ulëta. Shërbimet publike kushtojnë. Hotel Belgradë ka investuar mbi 22 mijë euro për furnizimin normal me ujë. Nuk i është ofruar asnjë ndihmë madje është penguar edhe për instalimin e paneleve diellore, për të cilat u ndoq një standard i dyfishtë. Për të mos cenuar pamjen e lagjes historike është thënë se nuk lejohet përdorimi i paneleve diellore, por rregulli nuk u aplikua për të gjithë njësoj thotë Leonardi.
Hotelet në Berat paguan tarifa vendore për fjetjen njësoj si hotelet me katër-pesë yje të kryeqytetit, 1,3 euro për krevat në natë. Taksat janë më të lartat se në çdo vend tjetër në rajon, teksa shërbimet publike ndaj hotelerisë janë zero, – pohojnë hotelierët. Rrugica përballë, që është edhe kalldrëmi i kalasë, është e pastër edhe pse koshat e plehrave mungojnë. Pastrimin e bëjnë vetë hotelet, bashkia prej kohësh e braktisur këtë shërbim edhe pse tarifat i merr një më një. “Provo mos i paguaj taksat. Për një ditë vonesë të nis gjoba, por për shërbime nuk bëhet fjalë. As pastrimin nuk e bëjnë më. Edhe lulishten e qytetit e shtruan me gurë. Nuk ka vizion për ta kthyer turizmin në një biznes fitimprurës”, – thotë Leonardi. Ai ka investuar rreth 800 mijë euro në rikthimin e shtëpisë së vjetër në 15 dhoma hoteli ku dominon tradita, por kthimi i investimit mbrapsht ndër vite as që llogaritet. “Shpresoj që të fitojnë fëmijët të paktën” shprehet ai.
Oferta e pasur turistike
Berati, një qytet i vogël, që numëron me gjithë rrethinat rreth 65 mijë banorë, ofron shumë ndaj turistëve, sidomos për të pasionuarit e historisë, por edhe turizmit të aventurës. Arkeologët kanë gjetur se treva është banuar nga njerëz të civilizuar qysh në shekullin e shtatë para erës sonë. Qyteti bënte një cilësi jete të diferencuar qysh në shekullin 6-7 para Krishtit, duke zhvilluar punishtet e përpunimit të qeramikës nga pellazget. Kjo histori kaq e lashtë i ka mahnitur një grup turistësh japonezë, të cilët pasi kanë vizituar Europën e qytetërimit të shekullit të 18, janë shtangur lart në mes të kalasë. Shqiptari që i shoqëron të sqaron se, ne nuk e dimë se çfarë pasurie kemi e le më të dimë ta shesim. Nga shpjegimet që ciceroni jep për turistët italianë duket se qyteti i sotshëm i Beratit kurrë nuk do të arrijë shkëlqimin e dikurshëm. Në shekullin e 19, qyteti ishte i dyti për fuqinë ekonomike pas Shkodrës dhe ishte kryeqendra e Jugut me rreth 900 punishte dhe fabrika mielli e vaji që tregtonin prodhimet deri në Trieste, Korfuz e Maltë. Qyteti i Beratit është ndër të paktët të banuara në lashtësi e deri në ditët sotme pa ndërprerje. Përveç historisë së pasur, e cila ilustrohet në kisha dhe në gjetjet arkeologjike, kalanë karakteristike dhe shtëpitë 500-vjeçare, Berati ka një natyrë të pasur dhe mjaft piktoreske. Kodrat e buta me ullinj që rrethojnë qytetin bashkë me malin e Tomorrit dhe Shpiragut, Luginën e Osumit dhe të Tomoricës ofrojnë një pamje të rrallë.
Klima e butë dhe ajri i pastër ofrojnë relaksin e fundjavës për turistët vendas që e vizitojnë shpesh Beratin. Kulinaria është joshje më vete. Likotë dhe ëmbëlsirat tradicionale janë të parezistueshme. Zona ka kuzhinë të pasur dhe të rafinuar dhe gjithnjë e më shumë po përqendrohet nga tradita. Një grup italianësh prej pesë vetash nuk po i besojnë faturës vetëm 30 euro, pasi kanë konsumuar një vakt të bollshëm me gjellë tradicionale, japrakë dhe perime të mbushura e byrek me jeshillëqe. Por duhet të jesh i vëmendshëm, duhet të shkosh vetëm në vendet që të rekomandohet, po devijove rrezikon të zhgënjehesh nga cilësia. Kryesisht për shkak të historisë, Berati do të ketë gjithnjë turistë, thonë vendasit, por sfida e tyre mbetet të rrisin gatishmëritë dhe standardet për pritjen e tyre. Autobusi me 30 italianët qëndroi vetëm 7 orë në qytet. Pas vizitës në kala dhe një drekë në qytet, turistët u nisën pasdite vonë për të kaluar natën në Vlorë, pasi atje kanë gjetur hotelin që përmbush kërkesat e tyre.
Qytetarët marrin stafetën
Bizneset kanë mbetur vetëm në këtë betejë dhe gjithçka i është lënë spontanitetit. Qyteti ka nevojë për një zhvillim të qëndrueshëm pohojnë banorët. Duhet të përmirësohet infrastruktura e furnizimit me ujë, energji, si dhe akset rrugore. Pushteti lokal dhe qeveria duhet të gjejnë mënyra që të ndihmojnë banorët e lagjeve historike, që të kthejnë shtëpitë në hotele. Në këtë mënyrë, turistëve do t’u shërbehet më mirë dhe qytetit do t’i kthehen të rinjtë që kanë ikur në emigracion. Më së paku, Berati mund të kishte marrë shembull nga modeli i zhvillimit të Korçës kur bashkia e qytetit është bërë promotore e zhvillimit turistik në zonë. Por beratasit e kanë një shpjegim për këtë indiferencë. Beratin asnjëherë nuk e kanë drejtuar bijtë e qytetit, ndaj ndjeshmëria e pushtetarëve lokalë nuk ka qenë në nivelet që duhen.
Nini Mano (Haxhistasa) një beratase, por që banon në Tiranë bashkë me një grup tjetër intelektualësh nga qyteti ka krijuar forumin e Beratit. Forume të tilla kanë të gjithë qytetet shqiptare, por Nini thotë se “ne të Beratit i jemi vënë punës. Pas lobimit të tyre që nga pushteti vendor deri te Ministria e Turizmit, disa projekte po marrin jetë në qytet. Shtegu i eremitëve, nga lagjja Goricë në kishat buzë kalasë do të futet në itineraret turistike dhe do të riinvestohet për zgjerimin e tij. Gjithashtu, Forumi është duke nxitur bashkëqytetarët që të rikthejnë shtëpitë në hotele. Të ikurit nga Berati, sidomos ata që kanë pasur mundësi të njohin edhe botën jashtë, ndihen gjithnjë e më shumë të detyruar se për Beratin duhet bërë më shumë, në mënyrë që ai të zhvillohet dhe të marketohet në nivelet që i takon. Nini që është edhe një gazetare me përvojë në sektorin ekonomik, pohon se është në kontakt të përhershëm me bizneset e zonës dhe se gjithnjë shqetësimet e tyre i përcjell deri lart në strukturat e qeverisë. Ajo është optimiste se qyteti do të pozicionohet aty ku i takon për sa i përket turizmit, për shkak të kulturës dhe traditës së veçantë që ka. Në “Berat të bën shpirti rehat” është një ndjesi që e kanë të gjithë ata që vizitojnë Beratin dhe jo vetëm ne bijtë e tij”, të thotë Nini në këmbëngulje për të mbushur mendjen se me të vërtetë qyteti konkurron më shumë vlera në trojet shqiptare.
Berati, ndoshta është ndër të paktat qytete shqiptare që ka të zhvilluar turizmin, industrinë dhe bujqësinë dhe tani së fundmi edhe nga projekti TAP.
Ish-kombinati i tekstileve tani është shndërruar në parcela fasonerie që punësojnë në masë. Turizmi është gjithnjë e në rritje dhe ka shumë perspektivë. Pastaj bujqësia me ullinjtë në kodra dhe serat në luginë e bëjnë Beratin një ndër qytetet më të begata në vend. Nga analiza rajonale e INSTAT për vitin 2016, qarqet me shkallë punësimi më të lartë për popullsinë 15-64 vjeç janë: Elbasani (64,5%), Fieri (61,5%) dhe Berati (61,5%) Po të shohim strukturën e PBB-së për Qarkun e Beratit, vërejmë se sektori i bujqësisë sjell vlerën e shtuar bruto më të lartë në qark (34%), i ndjekur nga sektori i tregtisë dhe shërbimeve (27%). Industria dhe ndërtimi sjellin vetëm 17% të vlerës së shtuar bruto në këtë qark.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, në Berat janë të regjistruara 5175 biznese, ndër të cilat 156, ose 30%, janë biznese të mëdha dhe 38 janë biznese të mesme. Rreth 3200 biznese (ose 63% e totalit) operojnë në Rrethin e Beratit, 2304 (45%) në Bashkinë e Beratit, ndër të cilat 71 janë të regjistruara si biznese të mëdha. Në Kuçovë janë të regjistruara 1027 biznese, ndër të cilat 1003 biznese të vogla. 47% e bizneseve operojnë në fushën e tregtisë, 14% janë hotele dhe restorante, ndërsa 10% në industrinë përpunuese. Të ardhurat nga taksat e biznesit të vogël (tatimfitimi nga 1 janar 2014) janë mesatarisht 288 dhe 145 lekë për frymë në vitin 2012 dhe 2011. Këto vlera janë ndjeshëm më të ulëta se mesatarja kombëtare prej 532 dhe 621 lekësh për frymë, përkatësisht në 2012 dhe 2011. Pabarazia brenda qarkut në realizimin e të ardhurave prej kësaj takse është mjaft e madhe, siç tregon edhe koeficienti i variacionit që merr vlera mbi 1 për të gjitha vitet. Disa njësi si Berati, Ura Vajgurore, Kuçova dhe Çorovoda kanë realizime relativisht të larta, por këto rezultate nuk janë konsistente përgjatë viteve.
Performanca e njësive të Beratit në lidhje me taksat e pasurisë nuk është shumë e mirë. Në veçanti, realizimin më të mirë të të ardhurave nga taksa e pasurisë për frymë i kanë disa njësi që nuk kanë burime apo performancë të mirë nga burimet e tjera. Berati dhe Kuçova, dy njësitë e qarkut me nivelin më të lartë të të ardhurave të veta kanë performancë mjaft të ulët në mbledhjen e kësaj takse; ndërkohë që komuna si Kozara, Velabishti dhe
Poshnja kanë të ardhura për frymë nga taksa e pasurisë më të mëdha se mesatarja kombëtare.
Qarku i Beratit shënon një nivel varfërie prej 12,7%. Thellësia e varfërisë është 2,4% dhe ashpërsia 0,7%. Këta tregues janë më të mirë krahasuar me nivelin kombëtar të varfërisë (14,3%, 2,9% dhe 1%). Pak më shumë se 5000 janë familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike në Qarkun e Beratit, ose rreth 5% në rang vendi (2010). Konsumi total për familje në këtë qark është 47 802 lekë krahasuar me konsumin për person që është 12 060 lekë.
Pesha specifike e rajonit të Beratit ndaj PBB-së kombëtare në vitin 2011 është 4,77%, ndërsa PBB për frymë në këtë qark është 3079 euro për banor, sipas të dhënave të popullsisë së Censusit 2011 (1884 euro për banor me të dhënat administrative). PBB për frymë në Qarkun e Beratit është shumë e përafërt me atë në nivel kombëtar, 3271 euro për vitin 2012.
————————-
HEC-et që rrezikojnë Osumin, guroret shembin Tomorrin
Duke parë numrin e madh të HEC-eve që do të ndërtohen në Osum dhe në degët e tij, mendohet se ndikimi në mjedis dhe në bujqësi në zonat përreth mund të jetë i ndjeshëm. HEC-et mund të sjellin zvogëlimin e rrjedhës së lumit, mjaft e rëndësishme për bujqësinë në stinën e verës, ose pakësimin e sasisë së ujërave për bujqësinë dhe sektorët e tjerë, edhe pse kjo mbetet objekt studimi në të ardhmen, thuhet në një studim që shoqëron planin e përgjithshëm vendor të Bashkisë së Beratit
Lumi Osum është jetik për zhvillimin e bujqësisë në Bashkinë e Beratit dhe në bashkitë e tjera nëpër të cilat kalon. Për këtë arsye, ndryshimi i rrjedhës së ujit apo pakësimi i sasisë së ujit që mund t’u shkojë fshatarëve për përdorim në periudhat e kultivimit nuk përbën më një problem vetëm mjedisor por, mbi të gjitha, një problem social që kërkon zgjidhje të menjëhershme.
Njëkohësisht, pakësimi i rrjedhës së lumit Osum mund të çojë edhe në zvogëlimin e sasisë së ujërave të akuiferit të Beratit, i cili ushqehet nga lumi Devoll e Osum. Ky akuifer shërben si burim për furnizimin me ujë të popullsisë së bashkive të ndryshme (shih seksionin e ujësjellësit në Bashkinë e Beratit), thuhet në studimin për planin rregullues të bashkisë. Me pak fjalë, digat e HEC-eve, në rast se nuk janë planifikuar dhe nuk menaxhohen në mënyrë të qëndrueshme dhe të integruar në mënyrë që të garantojnë përdorimin e ujit edhe për bujqësi dhe aktivitetet të tjera ekonomike për popullsinë e zonave përreth, mund të shkaktojnë probleme të mëdha mjedisore dhe sociale.
Si rrjedhojë e mangësive në menaxhimin e lumit apo keqpërdorimit të brezit të tokave përgjatë tij, zonat e Semanit, Osumit dhe Devollit kanë pësuar dëmtime të theksuara (janë ngushtuar, mungojnë të gjithë brezat e bimësisë së nevojshme – bimët e ulëta nuk ekzistojnë).
Berati është i pasur me gurë gëlqerorë, të cilët janë shfrytëzuar gjerësisht në vitet e fundit. Lejet e dhëna për shfrytëzimin e këtyre mineraleve në periudhën 2008-2014 janë me dhjetëra. Nga të dhënat rezulton se sipërfaqja e territorit të shfrytëzuar për aktivitet minerare sipërfaqësore (për nxjerrjen e gurëve tëndryshëm) është 29.7 ha. Për fat të keq, ky lloj aktiviteti, përveç përfitimeve ekonomike, ka pasur edhe pasoja për mjedisin, duke ndotur ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore. Në malit e Tomorrit, si pasojë e pluhurave të shkaktuar gjatë punimeve, janë ndotur burimet ujore sipërfaqësore. Ndotja shtohet gjatë motit me reshje të shumta. Të gjitha pluhurat e shkaktuara nga gëlqerorët grumbullohen nga reshjet dhe më pas përfundojnë në burime ujore sipërfaqësorë e, për rrjedhojë, edhe në ujëra nëntokësorë. Me qëllim shmangien e ndotjes së akuiferit karstik të malit të Tomorrit nga ndotja, rekomandohet ndalimi i shfrytëzimit të gurit në masivin karstik të Tomorrit. Duhet theksuar se ujërat e akuiferit karstik të Tomorrit përdoren për furnizimin me ujë të pijshëm të popullsisë nga UK Berat-Kuçovë. Rezultatet e monitorimit të ujit, por edhe studimet e mëparshme tregojnë se ujërat e Osumit nuk janë në nivelin e duhur mjedisor për përdorim në bujqësi dhe argëtim, si dhe zhvillimin e turizmit në Berat.
——————
Skeda e aseteve kulturore
Në vitin 1961, Berati u shpall zyrtarisht Qytet Muze. Ai është qytet muze me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme për nga gjinitë, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij. Nga zonifikimi dhe nga përcaktimi i kategorisë së monumenteve, qyteti ndahet në tri zona: zona muze, zona e mbrojtur dhe zona e lirë. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeore, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të Kategorisë së Parë dhe të tjerat të Kategorisë së Dytë. Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë:
Kalaja
Kështjella ose kalaja, siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 metra, me 24 kulla e me dy porta. Me themelet e saj ilire, e rindërtuar disa herë në shekujt VI, XIII, XV dhe XIX ajo është sot jo vetëm një nga kështjellat më të mëdha të banuara, por edhe një arkiv i gurtë që ofron varietete stilesh dhe kontributesh të epokave të ndryshme: ilire, romako-bizantine, shqiptare e turke. Kështjella është pjesë e legjendës së vjetër e të bukur të Tomorrit dhe Shpiragut.
Ura e Goricës
Ura e Goricës është një nga monumentet e kulturës dhe të arkitekturës së Beratit dhe njëkohësisht, një nga simbolet e tij. Rreth viteve 1780 me përkujdesjen e Ahmet Kurt Pashës, nga urë druri në pjesën e sipërme, ajo u ndërtua e gjitha prej guri. Ajo u rindërtua përsëri duke marrë pamjen që ruan sot, me parmakë betoni, në vitin 1922 nga bashkia e qytetit. Është 129,3 metra e gjatë, 5,3 metra e gjerë, ngrihet 10 metra mbi lumë dhe ka 7 harqe me hapësira 9 deri 16,7 metra.
Ndërtesat e kultit
Disa kapitale dhe kolonada dëshmojnë se në Berat kanë ekzistuar kisha paleokristiane të shekujve IV–VI (Shën Todri). Ndër kishat më të bukura të ndërtuara në shekujt XIII-XIV janë: Shën Mari Vllaherna, Shën Triadha dhe Shën Mëhilli. Në Berat ka edhe një numër ndërtesash të fesë islame, me vlera të shquara arkitektonike e artistike, si: teqeja e Helvetive, Xhamia e Beqarëve, Xhamia e Plumbit, Xhamia e Hysen Pashës, Xhamia e Mbretit, Xhamia e Telelkave, Xhamia e Kuqe Xhamia e Bardhë etj. Këto kisha, xhami dhe ndërtesa të tjera urbane, sidomos ansamblet e lagjeve Mangalem, Kala e Goricë, janë perla të arkitekturës mesjetare. Nga përshtypja e veçantë që të krijon ansambli i Mangalemit, Berati është quajtur edhe qyteti i një mbi një dritareve.
Arti dhe zejet
Në Berat është gjetur një vepër e rrallë, epitafi i Glavinicës, një krijim i mirënjohur i vitit 1373, i qëndisur në ar, argjend e mëndafsh, që tregon Krishtin e vdekur të kurorëzuar, të rrethuar me shkrime greke. Kishat e Beratit janë të zbukuruara me piktura të stilit bizantin e pas-bizantin, të krijuara nga artistë të ndryshëm të shekujve XII-XIV dhe nga mjeshtrit e shekullit XVI: Onufri dhe biri i tij Nikolla. Katedralja e Shën Marisë shquhet për ikonostasin e saj, të gdhendur në dru të larzuar me ar, një vepër artistike e cilësisë së parë.
Kisha e Shën Spiridhonit në Lagjen Goricë
Me një fanatizëm të denjë që të quhet i shenjtë, në Berat janë ruajtur dëshmi dorëshkrimore, të cilat dëshmojnë nivelin veçanërisht të lartë të kulturës së qytetit. Më e rëndësishmja nga këto dëshmi është Kodiku i Purpurt (Codex Purpureus Beratinus O) i shekullit VI, i shkruar në pergamenë të purpurt. Ai është një nga katër/gjashtë kopjet e vetme të gjetura në të gjithë botën. I dyti është Kodiku i Artë (Codex Aureus) i shekullit IX, i shkruar në pergamenë me shkronja ari. Që të dy këta kodikë përmbajnë pjesë nga Ungjijtë të shkruar në greqishten e vjetër. Këta kodikë u rizbuluan në kështjellë në 1972 dhe ruhen sot në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Në malin e Tomorrit, qysh nga viti 1996, një zonë prej 4.000 hektarësh është shpallur Park Kombëtar. Për nga numri i vizitorëve ai renditet i dyti në vend, pas Parkut Kombëtar të Dajtit.
———
Foto 2: Restorant me pije tradicionale
Foto 3: Shtëpi e vjetër në zonën e Kalasë duke u rikonstruktuar
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.