Kompromis për pijet energjike, akciza ulet në 30 lekë. LSI, presion për fasonët
komisioni i ekonomiseKuvendi bën shtesa për disa institucione dhe gjen një kompromis për akcizën e pijeve energjike. Pas konsultimesh me ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, tabelat e buxhetit kanë rishikime të ndjeshme.Ndërkaq, LSI është treguar aktive edhe dje, duke ndikuar në lëvizjen e fondeve drejt dikastereve që drejton kjo forcë.
Debatet
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, është shprehur se buxheti i qeverisë nuk do të kalojë lehtë. “Ky është një buxhet që është përgjegjësi jo vetëm e qeverisë, por e gjithë Parlamentit dhe në radhë të parë e mazhorancës ndaj qytetarëve shqiptarë. Çdo debat synon përmirësimin e buxhetit, në rast se nuk do të kishte debat apo propozim, ju me të drejtë do të ngrinit shqetësimin se Parlamenti nuk funksionon, thjesht noterizon projektet e ardhura nga qeveria. Por fakti është që Parlamenti bashkëpunon me qeverinë në një mënyrë mjaft aktive”, – tha dje Meta në një prononcim për mediat. Në mbledhjen e shkurtër të zhvilluar dje paradite në Komisionin për Ekonominë, deputeti i LSI-së, Gjovalin Kadeli, kërkoi shtimin e fondit për mbështetjen e biznesit fason për nxitjen e punësimit. “Pika 18 e paketës lehtësuese për fasonët, e miratuar nga qeveria, sot rezulton e paplotësuar sepse është parashikuar gjysma e kësaj shume, që ishte 5 milionë dollarë. Në këto kushte kërkoj një amendim ku për fasonët të kemi shumën e premtuar, se kjo do të ndihmonte këtë biznes. Është premtim i qeverisë, shpresoj të jetë premtim i mbajtur”, tha Kadeli. Në reagimin e tij Braçe tha se “i kemi shkuar verifikimit deri në fund, por, meqë insistoni, do ta shqyrtojmë me seriozitet në përputhje me angazhimet reale që qeveria ka marrë. Në këtë vend, lehtësira fiskale kërkojnë të gjithë sektorët, dhe fokusi vetëm në një aspekt të caktuar na krijon problem në pjesën tjetër të industrisë. Megjithatë ne do ta shikojmë”. Por Kadeli ka këmbëngulur se, ky investim ndikon në punësimin që është një gangrenë në shoqërinë shqiptare. Shtesë ka kërkuar edhe Shërbimi Informativ i Shtetit dhe disa institucione të tjera të pavarura. Kreu i komisionit tha se do të shqyrtohet edhe kërkesa e Ministrisë së Mjedisit për shtim të fondeve për të krijuar administratën e parqeve kombëtare. “Ka një angazhim të shtuar për të rivitalizuar parqet kombëtare dhe kalimin nën një administrim të ri. Ministria e Mjedisit ka kërkuar mbështetje për krijimin e kësaj administrate në funksion të thithjes së donacioneve të huaja për rehabilitimin e parqeve kombëtare”, tha Braçe.
Ndryshimet
Dje pasdite, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë votoi raportet e komisioneve të tjera parlamentare, në lidhje me kërkesat për ndryshime në projektbuxhetin e vitit 2015, duke shënuar mbledhjen e fundit të diskutimeve. Relatori i buxhetit, Anastas Angjeli, prezantoi disa shtesa në fonde për disa prej institucioneve që kishin kërkuar më shumë para. “Propozojmë që Ministrisë së Bujqësisë t’i japim 70 milionë lekë shtesë nga 5 miliardë që kërkoi; një fond shtesë prej 10 milionë lekësh për institucionin e Presidencës; Një fond shtesë prej 5 milionë për Akademinë e Shkencave; Një fond shtesë prej 3 milionë lekësh akordohet për ILDKPKI; Ministrisë së Shëndetësisë i ofrohet një fond shtesë prej 162 milionë lekë”, lexoi ndryshimet Angjeli. Pas kësaj, raporti përfundimtar i komisioneve parlamentare do të paraqitet për votim në seancën plenare të së enjtes, ku do të diskutohet nen për nen projektbuxheti dhe paketa fiskale për vitin 2015, drafte të miratuara dhjetë ditë më parë në parim vetëm me votat e mazhorancës.
Mbetet akciza e pijeve energjike
Gjendet një gjysmë kompromisi mes qeverisë dhe deputetëve të mazhorancës për akcizën e pijeve energjike. Propozimi i ardhur nga ekzekutivi për heqjen e akcizës për pijet energjike nuk pranohet, por ulet kjo taksë nga 50 lekë/litër në 30 lekë/litër. Kështu, pas diskutimesh të gjata, Komisioni i Ekonomisë ka votuar me unanimitet për të lënë në fuqi akcizën për pijet energjike në nivelin 30 lekë për litër. “Vende të ndryshme kanë taksa të ndryshme, mes tyre dhe akcizë. Pijet energjike do të vijojnë të taksohen me akcizë, duke e ridimensionuar sipas standardeve të Bashkimit Europian. Akciza për pijet energjike do të jetë 30 lekë për litër”, tha kreu i Komisionit, Erion Braçe.
Shqip
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.