Ulja e papunësisë në T II, thjesht efekt statistikash: të punësuarit në bujqësi u ulën në tremujorin e parë dhe u rritën në të dytin; 34 mijë të punësuar u shtuan në fshat në tremujorin e dytë ….
Shifrat e publikuara nga INSTAT për ecurinë e të punësuarve në gjysmën e parë të këtij viti, flasin për një rritje të dobët të vendeve të punës neto.
Sipas tabelave të publikuara nga INSTAT, në fund të 6 mujorit të parë 2014, numri i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor (gjeneruesi kryesor i punësimit në vend) ishte 314,130, duke u rritur neto (hyrjet e reja minus daljet në pension) me vetëm 2462 persona në raport me dhjetorin 2013.
Të punësuarit në shtet ishin 163,700 në fund të qershorit 2014, duke u reduktuar me 220 persona në raport me dhjetorin 2013.
Ndryshimet më të mëdha në statistikat e INSTAT kanë ndodhur tek të punësuarit në sektorin bujqësor.
Tabelat e INSTAT raportojnë se të punësuarit në sektorin bujqësor u ulën ndjeshëm në tremujorin parë, duke zbritur me 35 mijë persona, duke rezultuar në këtë mënyrë një nga faktorët kryesorë që ndikoi në rritjen e papunësisë në total në nivel rekord prej 18.6%. INSTAT raportoi gjithashtu se ulja e papunësisë kishte ardhur nga rritja e ndjeshme e punësimit te femrat.
Më pas në tremujorin e dytë, të punësuarit në bujqësi u rritën sërish me rreth 33 mijë persona, duke bërë që papunësia të bjerë në 17.7% në tremujorin e dytë, sipas INSTAT. http://www.monitor.al/papunesia-ulet-ne-t-ii-arrin-17-7/
INSTAT, i shpjegon këto lëvizje me faktin se pas publikimit në maj 2014 të shifrave të plota të popullsisë për vitet 2001-2014 (http://www.instat.gov.al/al/themes/popullsia.aspx) të cilat reflektonin ndryshimet e popullsisë që vinin nga Censusi i Popullsisë dhe i Banesave 2011, ka rishikuar serinë kohore të Anketës Tremujore të Forcave të Punës. Informacioni demografik ka pësuar ndryshime të ndjeshme në strukturën e popullsisë dhe të njësive ekonomike familjare dhe si rrjedhim ka ndikuar në ndryshimet e treguesve të tregut të punës për periudhën nga tremujori i parë i vitit 2012 deri në tremujorin e parë 2014.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.