Indeksi më i ri i qeverisjes, i publikuar nga organizata Bertelsmann Stiftung, me seli në Gütersloh të Gjermanisë, i rendit shtetet e Ballkanit në fund të listës së 41 shteteve të tjera.
Shtetet e Ballkanit renditen në fund të tabelës së Indeksit të ri të Qeverisjes së Qëndrueshme të botuar nga Bertelsmann Stiftung, i cili ka vëzhguar nga afër mënyrën e qeverisjes së 41 vendeve të OBZHE-së dhe shteteve anëtare të BE-së. Renditja shikon qëndrueshmërinë e ardhshme të secilit vend, në bazë të 136 treguesve sasiorë dhe cilësorë të grupuar nën tre shtylla kryesore – Ecuria politike, demokracia dhe qeverisja. Ky raport ka analizuar vetëm disa prej vendeve të rajonit të Ballkanit – Bullgarinë, Kroacinë, Greqinë, Rumaninë dhe Slloveninë, të gjitha të renditura në fund, me përjashtimin e vetëm të Sllovenisë, e cila renditet e 20-a nga 41 shtete gjithsej.
Në fund të kësaj renditje është Greqia, me një nivel shumë të lartë të papunësisë, nivel shumë të ulët të universiteteve, nivel shumë të ulët të shpenzimeve për kujdesin shëndetësor dhe arsimin fillor dhe nivel shumë të lartë të varfërisë së fëmijëve dhe evazionit fiskal.
Një vend tjetër me një sërë problematikash dhe që renditet i 36-i në këtë listë është Kroacia, pavarësisht normave të larta të rritjes të shënuara në 2016. Sipas këtij raporti, në këtë vend nuk zbatoheshin aspak reformat ekonomike, shkalla e evazionit fiskal ishte shumë e lartë. Ndërsa përsa i përket demokracisë, të drejtat civile të qytetarëve mbrohen vetëm “formalisht” në Kroaci, sepse “de facto” diskriminimi ndaj romëve dhe serbëve etnikë është i përhapur dhe krimet që po ndodhin ndaj këtyre etnive janë në rritje. Gjykata Kushtetuese ishte “e njollosur” nga punët e paligjshme të politikanëve dhe përpjekjet për të ulur nivelin e lartë të korrupsionit mbeten të dobëta.
Gjithashtu raporti theksoi se të paktë ishin ata që kishin njohuri të politikës publike, ndërsa pjesa më e madhe e mediave u përqendruan në fushën e argëtimit. Në vendin e 36-të ishte Rumania, ku disa prej problematikave më të rëndësishme ishin: arsimimi i dobët, shkalla e lartë e braktisjes së shkollës, shkalla e lartë e emigracionit si pasojë e mungesës së gjetjes së punës në vend dhe shkalla e ulët e përmbushjes së taksave. Në aspektin e demokracisë, ai tha se qeveria e Bukureshtit mbështetet shumë në urdhëresat e jashtëzakonshme të qeverisë që përcaktojnë sigurinë ligjore.
Sidoqoftë, pavarësia gjyqësore po përmirësohet dhe zyra e audituesit kombëtar po vlerësohet më shumë. Gjithsesi “Niveli i përgjithshëm i njohurive politike… mbetet i ulët. Mosbesimi në sistemin politik është thelluar. Dhe ajo çka është më e keqja është se organizatat më të mëdha të medias janë shumëpartiake”. Bullgaria mban vendin e 33-të, në sajë të uljes së nivelit të lartë të papunësisë, rritjes së fitimeve tatimore dhe buxheteve më të balancuara. Mediat, sidomos ato online, u vlerësuan si relativisht informuese dhe pluraliste, edhe pse raporti tha se rritja e diskursit ksenofobik ishte shqetësuese.
E para që kryesonte listën në mesin e shteteve të rajonit të Ballkanit ishte Sllovenia, në vendin e 20-të. Ajo u vlerësua për politikat e forta mjedisore, sistemet e kujdesit shëndetësor dhe sistemet arsimore të fuqishme, procedurat demokratike “të drejta dhe përfshirëse” dhe reforma “të shumta kundër diskriminimit”.
Ashtu siç edhe pritej, vendet nordike kryesojnë listën ndër këto 41 shtete, me Suedinë në vendin e parë, e ndjekur pas nga Norvegjia. Në vend të tretë renditet Zvicra, ndërsa në vend të katërt Danimarka.