Jo detyrimisht të gjitha pajisjet që importohen shkojnë për investime dhe se autoritetet doganore duhet të kenë kujdes se skema mund të përdoret për qëllime përfitimi të shitjes së mallit në treg dhe jo për investime…
Synimi i projektligjit që po diskutohet nga Ministria e Ekonomisë dhe Këshilli Konsultativ i Biznesit është përjashtimi nga pagesa e TVSH-se, në doganë, për importimin e makinerive dhe pajisjeve, në rast të investimeve me vlerë të konsiderueshme, në dhe mbi 50 milionë lekë. Por kjo është vetëm njëra anë, pasi sipas zëvendësministrit të Financave, jo detyrimisht të gjitha pajisjet që importohen shkojnë për investime dhe se autoritetet doganore duhet të kenë kujdes se skema mund të përdoret për qëllime përfitimi të shitjes së mallit në treg dhe jo për investime.
Ky propozim lidhet me uljen e kostove të investimeve të mëdha të cilat në momentin e parë të punimeve kanë investime të konsiderueshme në makineri dhe pajisje dhe përkatësisht TVSH e paguar për importet e tyre rrit me 20% koston e të tillë investimeve.
Aktualisht, në nenin 26 “Importimi i mallrave” të ligjit nr. 7928, datë 27.04.1995, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” i ndryshuar, pagesa e TVSH-së në importin e makinerive dhe pajisjeve, pavarësisht nga vlera e investimit, shtyhet deri në një vit nga administrata doganore dhe në rast se cikli i investimit dhe fillimit të prodhimit është më i madh se një vit, subjektit, pas plotësimit të një seti dokumentacionesh, i akordohet një shtyrje e dytë me Autorizim nga ministri i Financave, deri në momentin e fillimit të prodhimit. Në momentin e fillimit të prodhimit, e gjithë TVSH e shtyrë në import, është e kreditueshme tek administrata tatimore, duke rritur në këtë mënyrë kërkesat dhe shumat për rimbursim nga kjo administratë. Në bazë të të dhënave të administratës doganore, për vitin 2011, TVSH e shtyrë në import për investime ka qenë 4 miliardë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.