Tatimet nuk po arrijnë të frenojnë rritjen e deficitit në muajt e parë të këtij viti, ndryshe nga planifikimi që parashikonte që të kishte një diferencë minimale mes të ardhurave e shpenzimeve buxhetore. Sipas treguesve fiskalë të buxhetit të konsoliduar për pesëmujorin 2012 rezulton se deficiti buxhetor ka arritur në 19 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me të njëjtën periudhë të një viti më parë, nga 5.6 miliardë lekë, që ishte planifikimi.
Një shtim i ndjeshëm i shpenzimeve kapitale në maj rezulton një nga arsyet kryesore të rritjes së deficitit, në një kohë që rendimenti i zgjerimit të të ardhurave nuk ka qenë në nivelet e parashikuara. Shpenzimet kapitale në maj pothuajse u dyfishuan në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si rrjedhojë e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan, që është investimi më i madh në infrastrukturë që po kryhet për momentin.
Gjithsesi, për shkak të ritmit të ngadaltë të shpenzimeve kapitale në muajt e parë të vitit, për periudhën janar-maj, ato rezultojnë rreth 14% më të ulëta në raport me një vit më parë.
Ndërkohë dhe shpenzimet për interesa janë rritur me 8% për të njëjtën periudhë, ku ato per interesa të brendshme janë zgjeruar me 5.6 %. Interesi i yield-it të bonove të thesarit ka pasur tendencë rritëse gjatë 2012-s, pavarësisht politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, si rrjedhojë e tërheqjes së Raiffeisen nga ankandet e bonove të thesarit, çka e ka vënë në vështirësi qeverinë për financimin e borxhit të brendshëm.
Me borxhin e brendshëm që ka arritur në rreth 60% të PBB-së, Shqipërisë i duhet një deficit i ulët buxhetor në mënyrë që të ulë borxhin publik. Plani është që deficitit buxhetor të jetë 3% e PBB-së në 2012, pore curia e deritanishme e të ardhurave e shpenzime e vështirëson arritjen e një objektivi të tillë. Edhe Banka Botërore po stepet që të lëvrojë një ndihmë buxhetore prej rreth 300 milionë euro, për të cilën po diskuton prej muajsh me qeverinë shqiptare, pa pasur garancinë se deficitit buxhetor do të arrijë të mbahet në 2.5% të PBB-së këtë vit.
Në total, shpenzimet buxhetore për periudhën janar-maj u rritën me gati 1% me bazë vjetore, kryesisht si rrjedhojë e shtimit të shpenzimeve për interesa dhe për sigurimet shoqërore, duke qenë 3.2% më të larta se plani.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.