Rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues në tremujorin e parë të vitit 2015, tregojnë për shtrëngim të standardeve të kredidhënies të aplikuara nga bankat si për bizneset, ashtu edhe për individët, raporton Banka e Shqipërisë.
Standardet e kredisë për bizneset u shtrënguan për të dytin tremujor rresht, kryesisht si pasojë e shtrëngimit të standardeve të kredisë dhënë për ndërmarrjet e mëdha. Për sa i përket kredisë dhënë individëve, bankat shprehen për shtrëngim të lehtë të standardeve si për kredinë për blerje banese, ashtu edhe për kredinë konsumatore.
Ecuria e standardeve u ndikua negativisht nga faktorë që lidhen me gjendjen financiare të individëve dhe të bizneseve, kreditë me probleme, si dhe me problemet specifike të sektorit ku operon biznesi.
Faktorët që dhanë ndikim të kahut lehtësues në ecurinë e standardeve ishin niveli i konkurrencës në sistemin bankar dhe politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë.
Kushtet kryesore me të cilat bankat zbatuan një politikë shtrënguese për bizneset ishin zgjerimi i marzhit për kreditë me rrezik dhe ulja e madhësisë së kredisë.
Kërkesa për kredi, gjatë tremujorit të parë të vitit 2015, është vlerësuar në rënie për bizneset dhe në rritje më të ulët krahasuar me tremujorin e kaluar për individët. Për bizneset, rënia e kërkesës ka ardhur kryesisht nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ngadalësimi i kërkesës për kredi nga individët pasqyron ngadalësimin e kërkesës për kredi konsumatore.
Për tremujorin e dytë të vitit 2015, bankat presin një përmirësim të lehtë në standardet e kredidhënies për individët, por një shtrëngim të standardeve për bizneset. Nga ana tjetër, kërkesa pritet të rritet si nga bizneset ashtu dhe nga individët.
Kredia për bizneset
Standardet e Kredisë: Në tremujorin e parë të vitit 2015, bankat vazhduan të shtrëngojnë standardet për kredinë dhënë bizneseve. Përqindja neto e përgjigjeve mbi standardet regjistroi vlerën – 4.5% . Ecuria e standardeve në këtë tremujor, u ndikua kryesisht nga shtrëngimi i standardeve të kredisë dhëne ndërmarrjeve të mëdha. Nga ana tjetër, standardet e kredisë dhënë ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla u lehtësuan pak gjatë tremujorit në analizë.
Sipas qëllimit të përdorimit, shtrëngimi i standardeve u regjistrua për kredinë e dhënë me qëllim financimin e kapitalit qarkullues, ndërsa standardet e kredisë dhënë me qëllim investimi mbetën të pandryshuara në tremujorin e parë. Bankat presin shtrëngim të mëtejshëm të standardeve të kreditimit në tremujorin e dytë të vitit 2015.
Faktorët që ndikuan politikën shtrënguese të bankave vijojnë të jenë ecuria e kredive me probleme, si dhe problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin e tij biznesi. Faktorët kryesorë me kontribut në kahun lehtësues të standardeve në tremujorin e katërt kanë qenë vendimet e Bankës së Shqipërisë, konkurrenca, situata makroekonomike në vend dhe gjendja e likuiditetit.
Termat dhe kushtet me të cilat bankat zbatojnë në praktikë ndryshimin e politikës kredidhënëse, në përgjithësi, kanë ruajtur të njëjtin kah ndryshimi si një tremujor më parë. Kështu, politika shtrënguese e kreditimit në tremujorin e parë të vitit 2015, është zbatuar kryesisht, duke rritur marzhet për kreditë me rrezik. Nga ana tjetër, ngushtimi i marzhit mesatar, ulja e komisioneve dhe e kërkesës për kolateral në raport me madhësinë e huasë, kanë vijuar të ndikojnë në zbatimin e një politike lehtësuese në kredidhënie.
Kërkesa për kredi
Kërkesa e bizneseve për kredi raportohet në rënie, pas 3 tremujorësh rritjeje të njëpasnjëshme, kryesisht si pasojë e rënies së saj për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Nga ana tjetër, kërkesa nga ndërmarrjet e mëdha raportohet në rritje, por në një masë më të ulët krahasuar me një tremujor më parë. Sipas qëllimit të përdorimit, kërkesa për financimin e kapitalit qarkullues ka pësuar rënie. Balanca neto e saj regjistroi vlerën -3.2% nga 21.4% që ishte në tremujorin e kaluar. Kërkesa për financimin e investimeve ka vazhduar e dobët, ndonëse përqindja neto e përgjigjeve për të regjistroi vlerë pozitive në masën 1.2%.
Faktorët me ndikim pozitiv në kërkesën për kredi, në tremujorin e parë të vitit 2015, kanë qenë nevoja për të financuar kapitalin qarkullues dhe investimet, kushtet e kredisë të aplikuara nga bankat, si dhe vendimet e marra nga Banka e Shqipërisë. Megjithatë, ndikimi më i ulët i këtyre faktorëve, krahasuar me tremujorin e kaluar, ka rezultuar në një kërkesë më të ulët në tremujorin e parë të vitit.
Kredia për individë
Standardet e kredisë. Në tremujorin e parë të vitit 2015, bankat u shprehën për shtrëngim të lehtë të standardeve dhënë individëve. Përqindja neto e bankave që shprehen për shtrëngim të standardeve rezultoi 1.4%. Standardet e kredisë u shtrënguan si për kreditë me qëllim blerje banese, ashtu dhe për kreditë me qëllim financimin e konsumit. Balancat përkatëse shënuan vlerat -3.2% dhe -1.4%. Ekspertët e bankave presin lehtësim të standardeve të kreditimit për individët përgjatë tremujorit të dytë të vitit 2015, si për kredinë e dhënë për blerje banese, ashtu dhe për financim të konsumit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.