Konsumatorët dhe firmat shikojnë një bum pas ardhjes së Trump-it. E kundërta ndodh me shumë parashikues. Rrallëherë, të dhënat ekonomike kanë pasqyruar të dhëna kaq të paqarta
A po lulëzon ekonomia e Amerikës? Konsumatorët mendojnë se po lulëzon. Sipas të dhënave nga Bordi i Konferencës, një grup kërkimor, besimi i konsumatorëve është në nivelet më të larta që prej dhjetorit të vitit 2000, kur flluska dot-com* nuk kishte plasur plotësisht, shkruan The Economist. Megjithatë, në janar dhe në shkurt të këtij viti, konsumi individual shënoi rënie. Edhe sinjalet nga firmat nuk është se janë më pak të komplikuara.
Sipas Bankës Goldman Sachs, besimi i bizneseve të vogla është aq i madh sa parashikohet një rritje e PBB-së në tremujorin e parë të vitit, afërsisht me 7.1%. Edhe pse prodhimi industrial ka qenë i qëndrueshëm që prej dhjetorit, dhe bankat e kanë ulur në mënyrë dramatike dhënien e huave ndaj bizneseve, amerikanët duken shumë entuziastë në lidhje me lulëzimin e ekonomisë dhe një entuziazëm i tillë nuk po kuptohet se nga i buron.
Rritja në të ashtuquajturat “soft data” (të dhënat sensitive) sipas disa sondazheve të fundit, filloi në momentin kur Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale në nëntor të 2016-s. Ajo përkoi me një bum në tregjet e bursës, afërsisht me një rritje deri në 10% deri në atë kohë, ndërsa investitorët filluan t’i mëshonin më shumë shkurtimit të taksave dhe liberalizimit.
Megjithatë, rritja e “hard data”, të cilat masin aktivitetin aktual ekonomik në shifra ekzakte, vërtiten rreth atyre niveleve që priteshin.
Pabarazia ka shkaktuar një rënie të rritjes së parashikimeve të pasinkronizuar. Sipas një deklarate të “The Economist”, Rezerva Federale e Atlantës parashikon një rritje me 1.2%, gjatë tremujorit të parë të vitit. Sipas një parashikimi tjetër të dhënë nga Rezerva Federale e Nju Jorkut, rritja do të jetë me 2.9%.
Pronarët e bizneseve të vogla janë kryesisht republikanë. Besimi i konsumatorëve është rritur kryesisht në grupmoshën mbi 55 vjeç, të cilët me shumë mundësi ia kanë dhënë votën e tyre Donald Trump-it. Parashikimet e shumicës së ekonomistëve bien dakord me rritjen e Rezervës Federale të Atlantës sesa atë të Nju Jorkut. Shumë prej tyre janë të ndërgjegjshëm për faktin se ekonomia shpeshherë ka shënuar rënie në tremujorin e parë në vitet e fundit.
Një përpjekje e statisticienëve të qeverisë në vitin 2015, për të pastruar të dhënat e rritjes nga faktorët sezonalë, mund të mos ketë qenë e suksesshme.
Më e rëndësishmja është se asnjë shkurtim taksash apo liberalizime në fusha të caktuara nuk ka ndodhur ende.
Në vend të kësaj, republikanët kanë dështuar në miratimin e një reforme të premtuar në fushën e shëndetësisë, e cila parashikonte shkurtime të mëdha për shtresën e pasur.
(Ajo reformë mund të shfaqet sërish, por kalimi i saj, veçanërisht nga Senati është i sigurt që nuk do të ndodhë, të paktën për një kohë shumë të gjatë).
Të shumta janë arsyet të cilat të bëjnë të mendosh nëse kjo parti do të jetë e aftë për të kapërcyer grindjet politike, të cilat do ta shoqërojnë reformën tatimore në mënyrë të pashmangshme.
Edhe nëse z. Trump do të dështojë në rregullimin e plotë të reformës tatimore, të paktë janë ata që dyshojnë se Kongresi do të miratojë qoftë edhe disa shkurtime të vogla tatimore në mënyrë të tillë që ai (Trump-i) t’i firmosë. Sipas republikanëve, të cilët kanë shumë kohë që i mëshojnë një fakti të tillë, kalimi nga ftohtësia e Barak Obama-s ndaj bizneseve në një përkrahje ndaj tyre pas ardhjes së Trump-it, do të shkaktojë padyshim një bum investimesh.
Edhe pse nuk kishte asnjë shenjë rimëkëmbje në fushën e investimeve në tremujorin e katërt të vitit 2016, shitjet e mallrave kapitale, të tilla si makineritë, kanë shënuar një rritje të lehtë gjatë këtij viti. Nëse ky trend do të vazhdojë, atëherë ai do të jetë një tregues ose i kristalizimit ose i venitjes së besimit.
Disa konservatorë, të padurueshëm për të vënë në dukje një rritje të pashmangshme në fushën e investimeve, kërkojnë shkurtim taksash, gjë kjo, që sipas tyre, duhet të ndodhë në fillim të këtij viti. Ndryshimet retrospektive të taksave, rrallëherë janë një ide e mirë. Për momentin, republikanët duhet të inkurajohen që të dy sektorët e ekonomisë, si ai i ndërtimit të shtëpive dhe ai i prodhimit, kanë shënuar rritje shumë të shpejtë.
Kjo gjë duhet t’u japë kënaqësi mbështetësve të Trump-it. Në shkurtin e këtij viti, deficiti tregtar, të cilin z. Trump e shikon si një barometër të rritjes ekonomike, ishte rreth 4.5% më i ulët në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Dollari ka rënë përsëri pothuajse në nivelin ku ishte në prag të zgjedhjeve të z. Trump, duke bërë që mallrat amerikane të tregtohen me çmime më të ulëta në tregjet e vendeve të tjera.
Nga maja mund të biesh prapë poshtë
Po në qoftë se ky besim i madh del që është thjesht kalimtar? Tregjet e aksioneve me siguri do të fundoseshin. Ekonomia botërore dhe tregjet financiare kanë treguar një rritje që nga mesi i vitit 2016, pjesërisht si pasojë e stimulit fiskal në Kinë.
Rritja e kohëve të fundit e Amerikës me rreth 2% ka qenë e mjaftueshme. Edhe më shumë do të nxitet rritja e produktivitetit dhe do të mbështeten investimet e bizneseve, kjo edhe për faktin se prodhimi amerikan për orë në vitin 2016 ka qenë më i ulët në krahasim me atë të disa viteve të mëparshme.
Por premtimi i z. Trump për një rritje prej 3.5 – 4%, nuk ka qenë kurrë një objektiv real, sepse forca punëtore amerikane po tregon një nivel më të ulët produktiviteti në krahasim me të kaluarën.
Ky ngazëllim i lartë ekonomik mund edhe të largohet. Prandaj, nëse ndodh një gjë e tillë, të gjithë ata që ishin skeptikë për rritjen e “soft data”, po ashtu siç morën zell, duhet të mos harrojnë që në të njëjtën mënyrë duhet edhe të qetësohen.
*Flluska “dot-com” e cila njihet ndryshe si bumi teknologjik, përfshin një periudhë kohore nga 1995-2001, gjatë së cilës tregjet e bursës në shtetet e industrializuara shënuan një rritje tejet të lartë dhe shumë të shpejtë, si pasojë e rritjes në sektorin e internetit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.