Ministri i Energjisë Gjiknuri njoftoi sot për shtyrjen e afatit të pagesave të prapambetura të të gjithë debitorëve të energjisë elektrike, deri në 31 mars 2015.
“Ka qenë e pamundur të përballohet fluksi i madh i qytetarëve që i janë drejtuar zyrave të pagesave. Afati shtyhet deri në 31 mars. Të gjithë debitorët mund të paraqiten në zyrat e OSHEE për të lidhur akt marrëveshjet. Koha shtesë është mundësia e fundit që iu bëhet qytetarëve për të plotësuar këtë detyrim, në të kundërt do të nisin masat e tjera pas kësaj skeme lehtësuese”,- deklaroi ai.
“Janë mbi 230 mijë abonentë që kanë firmosur këtë akt marrëveshje. Rezultati kanë qenë rritja e arkëtimeve, gjë që përkthehet në të ardhura më të shumta për kompaninë. Rikthimi i besimit në sektorin energjetik siç ishte marrëveshja me një nga kompanitë më të fuqishme gjermane, për të lidhur Shqipërinë me pjesën tjetër të BE. Kjo ka sjellë kthimin e besimit tek potencialet e Shqipërisë. Marrëdhënia e re që po krijojnë qytetarët me OSHEE e vë OSHEE përpara përgjegjësisë për të ofruar një shërbim më të mirë”,- tha Gjiknuri.
Ai shtoi në fund se rikthimi i ligjshmërisë në pagesën e konsumit të energjisë elektrike është një betejë e të gjithë qytetarëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.