Lotaria e kuponit tatimor, shorti i parë i së cilës ishte planifikuar të hidhej gjatë këtij muaji, sipas planit të veprimit të Ministrisë së Financave të azhurnuar në Strategjinë e Menaxhimit Financiar 2014-2020 është shtyre për një kohë të pacaktuar.
Burimet zyrtare në ministrinë e Financave, pohuan se, muaji prilli si afat ka qenë një parashikim, i cili nuk është mundur të realizohet për shkak të implementimit të sistemit te ri e-taxation, i cili siç duket është ende në fazën e testimit.
Drejtoria e Tatimeve që prej vitit që shkoi duke planifikuar një lotari, të bazuar në kuponët nëpërmjet të cilës synohet nxitja e qytetarëve për të kërkuar kuponin e pagesave në kohën e blerjes.
DPT është duke rishikuar sistemin e kasave fiskale për të mundësuar sigurimin e informacionit fiskal në kohë reale.
Ky është një model që është përdorur dhe në Maqedoni e Serbi me synim uljen e evazionit fiskal. Lotaria vlerësohet se përmirëson disiplinën fiskale, teksa më shumë konsumatorë do t’u kërkojnë dyqaneve dhe shërbimeve faturat e mallrave për të cilët kanë paguar. Njerëzit do të ndihen më të motivuar të kërkojnë faturat fiskale nga shitësit. Në Maqedoni, psh, në lotarinë e nisur në mesin e vitit 2013, duke dërguar zarfin që përmban 20 fatura, njerëzit mund të fitonin një shtëpi, një apartament, makina, kompjuterë dhe shpërblime të tjera.
Monitor ka mësuar, nga burime jo zyrtare, se lotaria është shtyrë për shkak të pamundësisë teknike për t’u zbatuar, por dhe një plani të Ministrisë së Ekonomisë dhe Tatimeve për të përqendruar administrimin e kasave fiskale në një kompani të vetme (një lloj koncesioni për mbledhjen e TVSH-së nga një kompani private, kundrejt një përqindjeje të caktuar), plan që gjithsesi nuk ka gjetur shumë mbështetje në Ministrinë e Financave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.