Shumë borxh, pak konkurrencë

27/07/2015 3:29 PM 0 komente

Shqipëria, e 18-a me borxhin më të lartë në Europë nga 46 shtete, por e fundit për konkurrueshmëri. Niveli i ulët i konkurrueshmërisë e vë Shqipërinë në raporte mjaft të pafavorshme në raport me gjithë shtetet e tjera europiane, për sa i përket aftësisë për të shlyer dhe për të ulur borxhin…

 

Greqia është shteti me borxhin më të lartë në Europë në 168.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), në krahasim me 177,1% në tremujorin e fundit të 2014, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.

E dyta është Italia, me një nivel borxhi publik që është rritur në 135,1% në tremujorin e katërt. Shteti i tretë me borxh më të lartë është Portugalia, me 129,6%.

Eurostat ka publikuar listën vetëm për 28 shtetet kandidate të BE-së, ndërsa ‘Monitor’, duke përdorur burime të tjera të të dhënave (Raportin e Komisionit Europian për vendet kandidate dhe potenciale kandidate, përfshirë Shqipërinë; dhe tradingeconomist për shtetet e tjera të mbetura të Europës, përfshirë ato interkontinentale) ka hartuar renditjen e gjithë shteteve të Europës për sa i përket treguesit të borxhit publik në raport me PBB për tremujorin e parë 2015.

Nga renditjen totale në Europë, Shqipëria është e 18-a në listën e shteteve për treguesin e borxhit ndaj PBB, nga 46 në total (janë përjashtuar nga renditja shtetet e vogla monarki), me një nivel borxhi prej rreth 70% të PBB-së (shiko tabelën).

Por, ndërsa është në mesin e Europës për sa i përket borxhit, ajo është në fund të Europës për sa i përket konkurrueshmërisë (niveli i 97 në renditje globale dhe i fundit në Europë, me përjashtim të tre shteteve që nuk i matet ky tregues). Ky nivel i ulët konkurrueshmërie nuk i lejon Shqipërisë të rritet me ritme të shpejta, duke vënë në dyshim aftësinë e saj për të reduktuar madhësinë e borxhit në afatin e gjatë (autoritetet shqiptare kanë pranuar se një rritje reale mbi 4% është e nevojshme për të siguruar një ulje të qëndrueshme të borxhit publik, si dhe reduktimin e papunësisë). Kjo e vë Shqipërinë në raporte mjaft të pafavorshme në raport me gjithë shtetet e tjera europiane për sa i përket aftësisë për të shlyer dhe për të ulur borxhin.

Një raport i Komisionit Europian pak ditë më parë paralajmëronte se niveli i lartë i borxhit publik mbetet një burim i rëndësishëm i rrezikut makroekonomik, por rregullimet fiskale pritet ta ulin atë. Niveli i borxhit të Shqipërisë, në më shumë se 70% të PBB-së, ekspozon vendin ndaj rrezikut të dinamikës së borxhit në rast të goditjeve të mëdha negative. Kjo dobësi është reflektuar edhe në primet e larta të rrezikut në huamarrjen shtetërore e cila ndikon në normat e interesit, me të cilat përballen bizneset. Ulja e rrezikshmërisë së perceptuar ndaj atyre që mbajnë borxhin e qeverisë mund të kenë impakt pozitiv në ekonominë reale. Megjithatë, rreziqet janë përkeqësuar nga fakti se gati gjysma e borxhit të brendshëm është afatshkurtër, duke rezultuar në nevojën për rifinancimin vjetor të borxhit me një shumë gati sa 20% e PBB-së, duke u mbështetur në një bazë të ngushtë të investitorëve kryesisht nga bankat vendase. Për më tepër, edhe pse një pjesë e borxhit të jashtëm të Shqipërisë, e cila arrin në 29.1% të PBB-së dhe është me kushte lehtësuese përbën rrezik nga ndryshimi i normave të interesit, paralajmëron KE.

 

Borxhi më i ulët në Estoni e Kosovë

Shtetet me nivelet më të ulëta të borxhit janë Estonia (anëtar i BE-së), me një nivel prej 10.5% të PBB-së dhe Kosova me 10.6% të PBB-së. Nivel të ulët të borxhit kanë dhe shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik, të cilat kanë avantazhin e burimeve të mëdha të pasurive natyrore, si nafta dhe gazi.

grupet 1     4     10    12

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of