Zoti i ka dhënë Shqipërisë një natyrë kaq të bukur në kaq pak kilometra katrorë, sa do t’ia kishte zili gjithkush.
Por, më pas duket se është penduar, që i ka dhënë kaq shumë dhe i ka “dhuruar” një klasë politike, që në vite nuk ka bërë gjë tjetër, veçse i ka gërryer pa mëshirë këto bukuri.
Shqiptarët gëzojnë pasuri natyrore për frymë më shumë se çdo vend i rajonit, madje më shumë se vendet me standarde të larta jetese si Gjermania, Franca dhe Zvicra, Italia etj., por dobësitë njerëzore në menaxhimin e tyre e kanë bërë vlerën e pasurive të pashfrytëzueshme.
Banka Botërore, që mati pasurinë e kombeve më 2018, gjeti se shqiptarët kanë pasuri natyrore rreth 13,375 dollarë për frymë, nivel më i lartë se shumica e vendeve të Ballkanit. Madje shqiptarët gëzojnë më shumë pasuri të natyrës edhe se grekët (12,546 USD) dhe turqit (12,854 USD). Edhe italianët kanë më pak pasuri natyrore për frymë se shqiptarët, me vetëm 8,619 USD, dhe gjermanët gjithashtu, me vetëm 7071 USD.
Tek kapitali natyror, Banka Botërore ka klasifikuar energjinë me (naftë, gaz, qymyr i fortë dhe i butë), mineralet (10 kategori), toka bujqësore (toka bujqësore dhe kullota), pyjet (druri dhe disa produkte pyjore jo të zeza) dhe zonat e mbrojtura tokësore. Aktualisht nuk janë përfshirë zonat e mbrojtura nga zonat detare.
Burimet natyrore janë një mallkim i hershëm që ka zënë njerëzimin, pasi vendet me pasuri natyrore janë edhe më të varfrat. Ndërkohë që Shqipëria ka nivelin më të lartë të pasurive natyrore për frymë, ka të ardhurat disafish më të ulëta për banorë se vendet në fjalë.
Por gjithsesi, niveli i zhvillimit ekonomik të një vendi është i lidhur fort me përbërjen e pasurisë së saj kombëtare. Kapitali natyror është komponenti më i madh i pasurisë në vendet me të ardhura të ulëta (47% në 2014).
Të pasuruarit nuk ka të bëjë me likuidimin e kapitalit natyror për të ndërtuar pasuri të tjera. Rritja vjen nga përdorimi efikas i kapitalit natyror dhe investimi i të ardhurave nga burimet natyrore të kapitalit, si mineralet, në infrastrukturë dhe arsim. Ky investim pastaj rezulton në rritjen e pasurisë totale, referon më tej Banka Botërore.
Burimet e ripërtëritshme, toka bujqësore, pyjet dhe zonat e mbrojtura mund të sjellin përfitime në përjetësi, nëse menaxhohen në mënyrë të qëndrueshme. Në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, vlera monetare e aseteve të ripërtëritshme gati është dyfishuar në një dekadë, duke mbajtur konstant numrin e popullsisë.
Në kontrast me burimet e ripërtëritshme, kapitali natyror siç janë lëndët djegëse fosile dhe mineralet ofrojnë shanse të fragmentuara dhe të shtrira në një periudhe kohore.
Gati dy të tretat e vendeve që kanë mbetur me të ardhura të ulëta që nga viti 1995, klasifikohen si shtete të pasura me burime natyrore, të cilat janë plot me konflikte dhe demokraci të pazhvilluar dhe nivel të ulët jetese. Kjo tregon se vetëm burimet nuk mund të garantojnë zhvillimin. Banka Botërore këshillon se nevojiten institucione të forta dhe qeverisje e mirë për të siguruar përfitime të larta nga pasuritë natyrore.
Shqipëria kushton 153,6 miliardë dollarë
Shqipëria duke përfshirë njerëzit, pasuritë natyrore dhe prodhimin kombëtar është çmuar me 153,6 miliardë dollarë prej Bankës Botërore në një vlerësim të fundit për pasuritë e kombeve, sipas të dhënave që i përkasin vitit 2014.
Vlerën më të madhe e ka kapitali human (njerëzit) me rreth 66 miliardë lekë, duke zënë kështu 42% të totalit të vlerës së pasurisë së Shqipërisë.
Më pas, për nga vlera vjen prodhimi kombëtar i vendit, me rreth 54 miliardë lekë 34% e totalit. Ndërsa pasuritë natyrore të vendit tonë ku janë përfshirë pyjet, tokat bujqësore dhe zonat e mbrojtura janë vlerësuar nga Banka Botërore me 38 miliardë dollarë, duke zënë 24% të totalit të vlerës së Shqipërisë.
Banka Botërore vlerëson se pasuria e kombeve u rrit ndjeshëm midis 1995 dhe 2014 dhe vendet me të ardhura të mesme po arrijnë në vendet me të ardhura të larta në aspektin e pasurisë që zotërojnë.
Vendet me të ardhura të ulëta gjatë kësaj periudhe kanë shkuar drejt nivelit të mesëm. Megjithatë, llogaritë e pasurisë globale tregojnë gjithashtu zhvillime shqetësuese. Disa vende me të ardhura të ulëta, veçanërisht në Afrikën Subsahariane, panë rënie në pasurinë për frymë, për shkak se rritja e shpejtë i ka tejkaluar investimet.
Banka Botërore ka gjetur gjithashtu se në 12 vende, përqindja e njerëzve që jetojnë në varfëri të skajshme është rritur gjatë dekadës së fundit.
Duke parë këtë prirje shqetësuese, përmes treguesve të kontabilitetit të pasurisë, shihet se popullsia në rritje mund të përfitohet nëse ka një sistem arsimor të mirë. Në vendet me të ardhura të larta, llogaritet se kapitali njerëzor përbën 70% e pasurisë, ndërsa për vendet me të ardhura të ulëta, kapitali natyror është ende aseti më i madh.
Nga 24 vendet që kanë mbetur me të ardhura të ulëta, që nga viti 1995, 13 janë klasifikuar si shtete të brishta dhe konfliktuale dhe nga këto, shumica janë të pasura me burime natyrore. Kjo na ndihmon të shohim më mirë lidhjet midis varfërisë, brishtësisë dhe qeverisjes.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.