Flippy u punësua në një rrjet fast food-esh në Kaliforni
Robotët dhe Inteligjenca Artificiale po bëjnë hapa të mëdha, por ndoshta nuk janë ende gati t’u zënë punën njerëzve siç tregojnë shumë parashikime. Në Kaliforni, pas pak orësh punë, është pushuar roboti Flippy, në rrjetin e fast food-eve në qytetin Pasadena: ai arrinte të përgatiste deri në 2000 hamburgerë në ditë, por pjesa tjetër e të punësuarve nuk ishin në të njëjtin ritëm me të.
“Kur je në kuzhinë dhe punon me njerëz të tjerë je mësuar të flasësh dhe të koordinosh punën. Me Flippy kjo nuk ishte e mundur, duhej të organizohesh duke ndjekur ritmin e tij” – shpjegon për USA Today, Anthony Lomelino, nga Cali Group, Cfo e rrjetit të fast food-it ku ishte “punësuar” roboti. Në praktikë ka nevojë për më shumë kohë për të koordinuar punën që bëhet nga robotët dhe njerëzit.
Ky nuk është i pari eksperiment i robotëve të përdorur në restorante. Në San Francisko, Zuma Pizza po provon të përfshijë një robot picajol, ndërsa – gjithnjë në qytetin e Kalifornisë, Sally the Robot përgatit sallata. Inteligjenca Artificiale u ka dhënë mundësinë këtyre robotëve të mësojnë të punojnë (kuzhinier, infermier, barman etj.).
Një raport i vitit 2017 i Pew Research Center tregoi se tre në katër amerikanë e konsiderojnë realist faktin që robotët do të zëvendësojnë njeriun në pjesën më të madhe të profesioneve në të ardhmen.
Dhe ai i fast food-eve është një ndër sektorët më në rritje. Por për momentin, asnjë tru (apo krah) artificial nuk është treguar në lartësinë e njeriut. Nëse robotët do të zëvendësojnë njeriun, kjo nuk do të ndodhë brenda një nate, por gjatë një evolucioni të ngadaltë.