Shuplakat dhe fiksimet e turistëve të huaj për Shqipërinë

15/09/2018 10:07 PM 0 komente

Turizmi në Shqipëri? TripAdvisor ka mbi 100 mijë përshtypje të të huajve rreth hoteleve në Shqipëri, destinacione atraktive, restoranteve etj. Kujdes! Jo të gjitha janë përshtypje pozitive. “Shuplakat” që komentuesit e TripAdvisor japin për Shqipërinë, në fakt duhet të shihen si “detyra shtëpie” nga të gjithë ata që kanë zgjedhur të bëjnë pjesë në industrinë e turizmit, sepse ndëshkimi më i madh është moskthimi.

 

Jemi në ditët e para të muajit shtator dhe ndonëse ditët me diell vijojnë në Shqipërinë e bekuar nga një mot mesdhetar, pjesa kryesore e sezonit veror është mbyllur. Bashkë me to, pushuesit (kryesisht të huajt dhe emigrantët) i janë kthyer jetës profesionale dhe shkollore në vendet respektive, bashkë me valixhet e tyre kanë marrë edhe përshtypjet rreth turizmit që ne ofruam. E vërteta është se Shqipëria i ka të gjithë “letrat” për të tërhequr të gjithë vëmendjen e mundshme nga turistët. Po çfarë thuhet në portalin Tripadvisor për gamën e aseteve turistike që ne ofruam?

Në TripAdvisor, një nga portalet amerikane më të famshme të turizmit në botë për Shqipërinë, gjen mbi 100 mijë komente e opinione. Si destinacionet më popullore vijojnë të sugjerohen Tirana, Saranda, Durrësi, Vlora, Shkodra dhe Ksamili; por edhe të tjera. Në sytë e të huajve, Shqipëria po maturohet si vend turistik, teksa ndër vite janë shtuar artikujt që flasin për bukuritë natyrore, plazhet apo të tjera pika në vendin tonë. Rekomandimet janë shtuar, madje edhe nga mediat më prestigjioze.

 

Tirana, kryeson me hotelet dhe restorantet më cilësore

Nuk ka asnjë dyshim që të huajt e vlerësojnë kryeqytetin shqiptar për cilësinë e lartë të hoteleve dhe restoranteve. Një pjesë e tyre rekomandohen në mënyrë të veçantë nga portali i TripAdvisor. Më të vlerësuar janë hotelet në afërsi të qendrës së Tiranës. Elementet që merren në konsideratë janë: mirëmbajtja e dhomave, pastërtia e tualetit, hapësira, komoditeti i shtretërve, shërbimi i internetit

 

Wifi, por edhe stafi.

Andre, një turist nga Gjermania, shkruan se gjatë qëndrimit me familjen në Tiranë gjatë gushtit u befasua nga cilësia e një hoteli në kryeqytet. “Në një qytet ku i gjithë stafi ka sjellje kaq etike, ky hotel të mirëpret me krahë hapur dhe përpiqet ta bëjë qëndrimin tuaj sa më të këndshëm në çdo mënyrë. Vendndodhja është e përsosur… etj.”

Një tjetër turist, Antibes nga Franca, shkruan se në hotelin ku u akomodua sërish këtë verë në Tiranë pa një cilësi si në Europë, si dhe një hapësirë tejet të sofistikuar për takime biznesi. Një ndër atraksionet në Tiranë që pëlqehet nga të huajt, gjatë sezonit veror, është jeta e natës në Bllok, Bunk Arti. Vetëm për këtë të fundit ka pasur 654 përshtypje, sidomos nga turistë të moshës së mesme që janë të tërhequr nga historia. Dhe në fakt, një ndër pyetjet më të zakonshme të drejtuara në këtë forum, është se çfarë ka tërheqës një vend ish-komunist.

 

Saranda dhe Vlora, destinacione me çmime të larta

Një nga destinacionet më të pëlqyera dhe të këshilluara nga të huajt, jo vetëm se është lehtësisht i arritshëm nga Korfuzi, por edhe sepse u bë vite tashmë që frekuentohet dhe reklamohet nga të gjithë pushuesit, është Saranda. Sipas një sërë komentuesish në forum, për Sarandën thuhet se ofron një sërë atraksionesh, si: detin, brigjet ranore e shkëmbore, por edhe kulturën, traditën e arkeologjinë. Ata që komentojnë për Sarandën, e rekomandojnë si një destinacion “must”, dhe pjesa më e madhe e atyre që vihen re në TripAdvisor, janë nga Britania e Madhe. Ata shtojnë se akomodimi në natë mesatarisht kushton 40 euro, ndërsa në përgjithësi, çmimet i vlerësojnë si të larta për standardet shqiptare.

Edhe Vlora komentohet për çmimet e larta që ofron, ndërsa për ushqimin rekomandohet shumë, ku të gjitha pjatat e detit kanë marrë 5 yje nga komentuesit. Për ushqimin në Sarandë, të huajt shprehen me nota pozitive, vlerësojnë freskinë dhe pjatat e servirura me kujdes, por kjo nuk vlen gjithmonë për shërbimin. Disa komentues shkruanin që shërbimi jo në të gjitha rastet çalonte, megjithatë shpeshherë merrnin pjata që nuk i kishin porositur aspak dhe se kamerierët nuk dinin anglisht.

 

Shkodra dhe Kruja, duan traditën

Nga turistët e huaj, vlerësimet për këto dy qytete i shkojnë kryesisht traditës. I pëlqejnë lokacionet, ushqimet, veshjet e këtyre dy qyteteve, sikurse edhe akomodimet modeste, kryesisht nën 4 yje. Por, ka edhe ankesa. Të shumtë kanë qenë turistët e huaj që janë ankuar për cilësinë e akomodimit në të gjitha qytetet e vogla të Shqipërisë, duke iu referuar si “bujtina të ngrata” dhe pa kontroll nga autoritetet.
Pazari i Krujës dhe Pedonalja e Shkodrës ka tërhequr vëmendje të madhe këtë vit, duke vijuar me përshtypjet pozitive për historinë e vendit tonë, që udhëhiqeshin kryesisht nga qytete-muze si Gjirokastra, Berati etj.

 

 

Durrësi, i preferuar për peshkun e freskët

Një pjesë e madhe e komentuesve për Durrësin ishin turistë italianë dhe nga Europa Qendrore. Ata ishin kryesisht të kënaqur nga kushtet e akomodimit dhe të plazhit këtë vit, ndonëse gjithnjë ka turistë që ‘ankohen’. Marcin, nga Polonia thotë se ka vite që rikthehet në Durrës dhe se qëndron në të njëjtin hotel dhe nuk ka parë ende ndonjë rinovim, që sipas tij, në disa kënde është vërtet i nevojshëm. Megjithatë, ai shton se është “hotel me qasje të lehtë, pranë stacionit të autobusit”.

Afër plazhit. Ka jetë nate. Drita me ngjyra në hotel dhe një shatërvan që duket i mrekullueshëm. Qyteti më i madh bregdetar i vendit vlerësohet nga turistët e huaj për restorantet e mira ku hahet peshk i freskët, por edhe për hotelet luksoze të ndërtuara rishtazi, me stafe të trajnuara. Një turist nga Massachusets në SHBA shkruante se: “Nuk gjej fjalë ta përshkruaj sesa fantastike janë prodhimet e detit këtu, ndërsa çmimet janë të pakonkurrueshme”.

Në mesin e komentuesve, gjen edhe ‘shuplaka’ shumë të forta. Një turist nga Ukraina shkruan: “Përvoja më e keqe që kam pasur ndonjëherë në një hotel në Shqipëri. Dhoma ishte e vogël, nuk mund të ecnin dot dy njerëz njëkohësisht, mëngjesi ishte shumë i varfër dhe stafi jo miqësor. Parkimi ishte gjithnjë i zënë dhe na u desh të harxhonim shumë kohë duke kërkuar për një vend parkimi. Unë kurrë nuk do të qëndroj më në këtë hotel të tmerrshëm”.

Diskutimet

2,519 tematika janë ato të diskutuara për Shqipërinë nga të huajt, një komunitet brenda TripAdivsor, që ngrenë pyetje dhe japim përshtypjet e tyre për turizmin në këtë vend. Dy janë pyetjet kryesore që drejtojnë të interesuarit që të vizitojnë Shqipërinë: 1. A kam nevojë për viza dhe a është vend i sigurt 2. Kur është koha më e përshtatshme për ta vizituar Shqipërinë?

 

Buxheti për një destinacion

Thethi

Për një të rritur, kostoja pa akomodim është 2417 lekë.
Itinerari përfshin: Një tur të plotë në fshatin Theth duke përfshirë vende si: Kisha e Thethit, Ujëvara, Kanioni i Grunas, Syri i Kaltër etj.

Ky tur është menduar si një ekskursion ditor për ata udhëtarë që janë tashmë në Theth, por kanë nevojë për një udhëzues lokal për t’u treguar atyre më të mirën e Thethit. Kostoja rritet n.q.s. do të niseshin nga Tirana me 2000 lekë udhëtimi, si dhe akomodimi n.q.s. do të flinin. Ky ka qenë një ndër destinacionet më të kërkuara të kësaj vere nga të huajt.

 

Përshtypjet 

Udhëtim fantastik

Në një postim të fundit në rubrikën “Përshtypjet rreth Shqipërisë”, Ingridi nga Los Anxhelos, SHBA, e nis artikullin, duke theksuar se “sapo jemi kthyer nga një pushim fantastik trejavor në Shqipëri këtë muaj”.
“Ndërsa unë më parë hyja në këtë forum shumë kur bëja planet e mia, mendova se do të jepja disa përshtypje të përgjithshme bazuar në përvojën time që të kuptojnë të tjerët që nuk e kanë vizituar ndonjëherë Shqipërinë:

1. Të ngasësh makinën – nuk ishte aq keq! Vetëm mbani sytë në pasqyrën e pasme, sepse është normale të parakalojnë shumë makina. Vini re se policia fshihet në anën e rrugëve. Kufijtë e shpejtësisë ndryshojnë gjatë gjithë kohës, madje edhe në autostrada. Megjithatë, ne nuk na ndali kurrë policia.

2. Plazhet. Nuk më pëlqeu Durrësi apo Ksamili. Uji i Durrësit nuk ishte i bukur dhe Ksamili ishte një kurth turistik (të paktën në korrik). Kemi qëndruar më shumë mes Vlorës dhe Himarës. E mrekullueshme. Shikoni Vila Aqua Marina në jug të Vlorës dhe apartamente afër Dhërmiut, Drimadhes. Këto dy vende nuk ishin në mes të zonave turistike në zë, por kishin plazhe të mrekullueshme. Paguam midis 5-10 euro për çadra dhe karrige plazhi. Ia vlente! Ju jeni me pushime!

3. Thethi. I bukur, por ju duhet të keni një makinë 4 x 4. Rruga është e çmendur me gunga. Kemi kaluar vetëm një natë atje. Unë rekomandoj qëndrimin më shumë se kaq. Vendi është shumë i bukur.

4. Liqeni i Komanit – morëm me qira anije private pasi që nuk dëshironim të ngriheshim herët për tragetin. Është me të vërtetë shumë i bukur.

5. Ushqimi – i freskët, peshk dhe ushqim deti, pasta të shijshme, kos, djathë dele/dhie. Ne u mërzitëm nga menutë pas disa javësh. Ushqimi ka çmime të arsyeshme, siç janë hotelet!

6. Pirja e duhanit. Duket se të gjithë pinë gjithë kohën dhe është e pashmangshme në restorante, kafene, në rrugë. Astmatikët duhet të bëjnë kujdes!

7. Hotelet – shumë dushe brenda në banjo janë të papërfunduar dhe ju duhet të pastroni vetë kryesisht. Shtretërit janë të pakëndshme. Vështirë se gjeni një dhomë me një llambë leximi. Por, jo në çdo vend.

8. Kartat e kreditit – disa vende në Tiranë dhe Ksamil dhe në Shkodër i morën ato. Por, jo të gjithë i pranonin, restorantet kryesisht jo.

 

Një Shqipëri e paprekur

Joseph nga San Francisko në ShBa thotë se ka udhëtuar në të gjithë botën, kryesisht i shoqëruar nga bashkëshortja, dhe udhëtimi i këtij viti ishte Shqipëria, për të cilën ai ishte shumë i kënaqur që e realizoi. “Udhëtimi ynë nisi në të gjithë Ballkanin pastaj u ndalëm në Shqipëri, në një vend të magjishëm dhe të paprekur. Jemi shumë të kënaqur nga agjencia ‘Apollon’ që na e organizoi udhëtimin pasi ndaluam në Itali. Në 17 ditë kemi parë 5 shtete”. Mes përshtypjeve në veçanti për Shqipërinë, ai shton se Berati dhe Gjirokastra ishte mbresëlënës, që nuk e kanë hasur në asnjë shtet tjetër.

 

Shqipëria është “fiksim”

Anne, nga Holanda shkruan se për të, Shqipëria është “fiksim” një nga ato destinacione që ti mund të bëhesh i varur. “Nuk kam asnjë pyetje apo koment, por dua të ndaj diçka që ndoshta për njerëzit ka qenë njësoj. Shqipëria është fiksim. Unë kam qenë atje dy herë këtë vit dhe në pak javë do të kaloj një tjetër fundjavë dhe mezi po presim të vizitojmë të vetmin qytet që lamë pa parë, Tiranën. Unë rashë në dashuri me këtë vend dhe u them njerëzve për këtë nëse ata nuk e kuptojnë.

Është kaq e çuditshme për të shpjeguar pse unë e dua Shqipërinë aq shumë, por unë e bëj. Dhe kjo, edhe pasi bëra pushime në plazhet e Spanjës, sërish më pëlqyen shumë ato të Jugut të Shqipërisë. Unë e dua natyrën, malet, detin, e dua klimën, gjuhën, por mbi të gjitha i dua njerëzit, ata janë të paparë”. Nëse keni dyshime, duhet të shkoni! Shkoni tani, sa ajo ende ka pastërtinë e saj. Shkoni tani, para se të bëhet një Kroaci e Spanjë e dytë.”

 

Rashë në dashuri me Shqipërinë

“Nuk kam asnjë pyetje apo koment, por dua të ndaj diçka që ndoshta për njerëzit ka qenë njësoj. Shqipëria është fiksim. Unë kam qenë atje dy herë këtë vit dhe në pak javë do të kaloj një tjetër fundjavë dhe mezi po presim të vizitojmë të vetmin qytet që lamë pa parë, Tiranën. Unë rashë në dashuri me këtë vend dhe u them njerëzve për këtë nëse ata nuk e kuptojnë. Është kaq e çuditshme për të shpjeguar pse unë e dua Shqipërinë aq shumë, por unë e bëj. Dhe kjo, edhe pasi bëra pushime në plazhet e Spanjës, sërish më pëlqyen shumë ato të Jugut të Shqipërisë. Unë e dua natyrën, malet, detin, e dua klimën, gjuhën, por mbi të gjitha i dua njerëzit, ata janë të paparë”.

 

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz