Evropën duket se po e ndjek hija e Vladimir Putinit. Komentatorë të dyshimtë e gjejnë atë pothuajse kudo, dhe drama greke nuk përbën përjashtim. Analistët më vigjilent madje mendojnë se Syriza është një krijesë e Kremlinit projektuar për të shkatërruar BE-në nga brenda, ose të paktën ta përcajnë dhe dobësojnë atë – duke përdorur: vështirësitë aktuale të bllokut për të rritur ndikimin e saj, duke ‘blerë’ besnikërinë e disa anërtarëve të BE-së dhe duke dëmtuar politikën e sanksioneve. Vizitat e Aleksis Tsipras-së në Rusi (dy herë gjatë tetë javëve të fundit) janë perceptuar gjerësisht si një dëshmi për këtë. Por a janë të bazuara këto frika?
Kremlini është në gjendje të sjellë ‘të mbrojturin’ e tij në pushtet në Evropë. Por, mjerisht, kjo nuk është kështu. Rritja e radikalizmi të majtë dhe të djathtë është një rezultat i krizës së modelit evropian: fatkeqësia greke është prodhuar nga dora e njeriut dhe tërësisht faji i elitave të BE-së, duke filluar nga pranimi i Greqisë në eurozonë e deri tek përpjekjet e dështuara riparuese të disa viteve të fundit.
Duke pasur parasysh gjendjen e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Evropës, do të ishte e çuditshme që Moska të mos përpiqej të përdorte çrregullimin në BE për qëllimet e veta. Në mënyrë të qartë, loja vijon. Udhëtimet në Rusi janë shumë më të rëndësishme për z. Tsipras sesa për zotin Putin. Kryeministri grek po rrit parashikimet për të siguruar kushtet më të mira të mundshme në marrëveshjet e tij me kreditorët. Që një partner i jashtëm ti japë para Athinës në situatën aktuale do të ishte si ti hidhte në ‘kosh’.Rusia ka përvojën negative të pagesës prej 3 miliardë dollarë, në dhjetor të vitit 2013 ndaj Viktor Janukoviç, asokohe president i Ukrainës; me z. Janukoviç që është larguar me kohë nga Kievi, Moska vështirë se mund të shpresojë të marrë sërish mbrapsht paratë.
Megjithatë, do të ishte e çuditshme që të mos e shfrytëzonte situatën aktuale, dhe pyetja është se cilat janë interesat e vërteta që Rusia ka në lidhje me Greqinë. Një është e qartë: të gjejë një rrugë të re për gazin e saj në mënyrë që të arrijë Evropën duke anashkaluar Ukrainën.
Moska po diskuton çështje financiare me z. Tsipras vetëm si paradhënie për ndërtimin e tubacionit nga Turqia përmes Greqisë. Megjithatë nuk është e qartë, pse ky projekt duhet të jetë më i suksesshëm se Rrjedha e Jugut, bllokuar nga Komisioni Evropian. Sigurisht, në qoftë se Greqia shkëputet nga BE, ajo do të jetë në gjendje të marrë vendime pa lidhje me rritjen e konkurrencës së Paketës së Tretë të Energjisë të BE-së ose të bashkimit të energjisë që po krijon Evropa. Por ky nuk është skenari më i mundshëm për momentin apo një të ardhme të afërt, ndësra kontratat për transitin e gazit përmes Ukrainës pritet të përfundojnë në katër vjet.
Rusia nuk zotëron plane të detajuara për zgjerimin ekonomik dhe politik në Evropën Juglindore. Edhe pse ka shumë në Moskë nga ata që po e konsiderojnë, me shaka apo shpresë, anëtarësimin e Greqisë në Bashkimin Ekonomik Euroaziatik, askush nuk e merr seriozisht dicka të tillë. Pa marrë parasysh se çfarë ndodh në Greqi, ajo ka një varësi të pathyeshme ndaj partnerëve të saj perëndimore, dhe ata nuk do lejojnë që ajo të bëjë marrë ndonjë kthesë të mprehtë.
Është e vërtetë se Greqia e sheh Rusinë si një lloj alternative.
Ky perceptim i ka rrënjët në të kaluarën bizantine dhe rolin e Perandorisë Ruse në shekullin e 19 në çlirimin e grekëve nga zgjedha otomane. Në shekullin e 20, Bashkimi Sovjetik ka ofruar një alternativë të vërtetë sistematike, dhe forcat e krahut të majtë që gjithmonë kanë qënë të forta në Greqi, e perceptonin Moskën si një ‘fanar udhëzues’. Vlen të përmendet se që nga koha e Stalinit Kremlini është udhëhequr nga konsideratat gjeopolitike, sesa ato ideologjike. Dhe ndërsa Greqia u përfshi në zonën e ndikimit perëndimor pas konferencave të Yalta dhe Potsdam, Bashkimi Sovjetik nuk u përpoq të ndizte flakët e komunizmit atje./Financial Times
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.