Eksportet shqiptare në pesë vitet e fundit (2012-2016) kanë ndjekur një trend rritës, duke përjashtuar vitin 2015, në të cilin ato kanë pësuar ulje. Rritja mesatare e eksporteve rezulton me 4,6%. Nga ana tjetër, importet gjatë këtij 5-vjeçari kanë shfaqur ecuri të luhatshme, e cila ka rezultuar në një rritje mesatare 1,4%. Deficiti tregtar është përmirësuar, duke shënuar ulje mesatare vjetore me 0,2 %.
Eksportet e mallrave
Eksportet nga përpunimi aktiv i produkteve tekstile dhe këpucët, kanë zënë peshën kryesore në eksportet shqiptare. Gjatë kësaj periudhe, grupet me peshën më të madhe në eksporte kanë qenë: “Tekstilet dhe artikujt prej tyre” 17,5%, “Veshjet e këmbëve” 16,9%, “Produkte minerale” 31,1% dhe “Metale bazë dhe artikujt prej tyre” 14,6%.
Partneri tregtar kryesor në eksporte me Shqipërinë, ka qenë Italia. Gjatë periudhës pesëvjeçare, eksportet me Italinë zënë mesatarisht 51,0%, ndjekur nga Kosova me 7,5%, Spanja me 6,8%, Greqia me 3,9%, etj. Gjatë periudhës 2012-2016, eksportet me vendet e BE kanë zënë mesatarisht 76,6% të eksporteve gjithsej; ndërkohë eksportet me vendet e CEFTA-s (Maqedonia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Kosova dhe Moldavia) zënë 12,4 % të eksporteve.
Importet e mallrave
Importet e produkteve minerale kanë zënë peshën kryesore në importet shqiptare gjatë periudhës 2012-2016, me 15,0%, ndjekur nga importet e “Makineri, pajisje mekanike dhe elektrike” me 13,5% , “Metale bazë dhe artikuj prej tyre” me 10,2%.
Partneri tregtar kryesor në importe me Shqipërinë, ka qenë Italia. Gjatë periudhës pesëvjeçare, importet me Italinë kanë zënë mesatarisht 30,8%, ndjekur nga Greqia me 8,7%, Kina me 7,5%, Turqia me 7,0%, etj. Ndërkohë, importet nga vendet e BE, zënë mesatarisht 62,7% të importeve gjithsej dhe importet nga vendet e CEFTA-s zënë 7,3% të importeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.