Me ndarjen e re administrative koncepti i komunave ka rënë, duke vënë edhe një herë para ndryshimeve tarifat e legalizimeve që janë vënë ndryshe për komunat dhe ndryshe për bashkitë. Ja si e komplikon procesin ndarja e re administrative
legalizimetNdarja e re administrative që hyn në fuqi vitin që vjen, do të jetë një barrë shtesë për procesin e legalizimeve, tashmë të komplikuar nga problematikat e brendshme. Burimet nga ALUIZNI bëjnë me dije se do të ndryshohen disa procedura me udhëzime ose me VKM për t’iu përshtatur ndarjes së re.
Po tarifat
Vendimi i qeverisë për tarifat e reja të legalizimeve ka vënë çmim tavan veç për bashkitë dhe veç për komunat. Me ndarjen e re administrative, koncepti i komunave ka rënë dhe ekzistojnë vetëm bashkitë. Sipas vendimit aktual të qeverisë, për ndërtimet pa leje të ndërtuara brenda territorit administrativ të komunave, çmimi nuk do të jetë më i ulët se 400 lekë apo më i lartë se 1500 lekë. Ndërsa për ndërtimet pa leje, të ndërtuara brenda territorit administrativ të bashkive, çmimi për metër katror do të jetë minimumi 500 lekë dhe maksimumi 2000 lekë. Mirëpo nga viti 2015 do të ketë vetëm një njësi territoriale që do të jetë bashkia, ndërkohë që duhet edhe një VKM tjetër për të orientuar saktë nivelin e çmimeve sipas ndarjes së re. Problemi nuk qëndron tek orientimi i tarifave sipas vendndodhjes së objekteve pa leje, por tek vonesat që krijon kjo procedurë tek procesi tashmë i stërzgjatur. Por ndarja e re territoriale do të ndikojë edhe në një drejtim tjetër punën e ALUIZNI-t. Sipas burimeve nga institucioni mësohet se reforma territoriale obligon hapjen e zyrave të reja dhe riorientimin e zyrave ekzistuese. Zyrat e reja do të krijohen në bashkitë e reja që do të hapen, ndërsa ato në nivel qarku do të mbeten ashtu siç janë.
Bllokimi
Përtej grumbullit me vendime, ligje, procedura dhe udhëzime, procesi i legalizimeve mbetet i bllokuar totalisht tashmë edhe pas 1 viti të ardhjes së qeverisë së re në pushtet. Të gjitha dosjet janë në rishikim. Edhe ato që janë prag të marrjes së tapisë, edhe të tjerat që kanë bërë pagesën dhe Këshilli i Ministrave i ka shpallur për legalizim. Të gjitha janë në verifikim. Asnjë ekspert nga ALUIZNI nuk është në gjendje të thotë se kur do të merren lejet e para, përveçse një deklarate, ku drejtori Lame thotë që legalizimi në zonat informale do të përfundojë brenda këtij mandati. Por zonat informale të shpallura tashmë do të rishikohen dhe ripërcaktohen me kritere të reja, të cilat ende nuk janë gati. Ndërsa ata që i kanë paguar e plotësuar të gjitha detyrimet sipas ligjit, tashmë janë të sfilitur e pa përgjigje para një zhgënjimi ndaj premtimit të madh se legalizimet do të përfundonin menjëherë brenda vitit të parë të qeverisjes. Ndërkohë që ALUIZNI ka shpallur çdo procedurë të mëparshme gabim, nuk mund të shmangë gabimin njerëzor të grupeve që ka nxjerrë në terren, duke e bërë procesin një makth të vërtetë për mijëra shqiptarë që kanë një banesë pa leje.
/Mapo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.