Për nga vetë natyra mesdhetare, shqiptarët kanë përgjithësisht një hundë të madhe dhe kjo ka nxitur biznesin e plastikës së hundës në Shqipëri.
Operatorët e tregut pohojnë se vendin e parë për llojin e ndërhyrjeve e mbajnë ato në hundë, të paktën 50% e ndërhyrjeve kanë të bëjnë me të.
Shërbimi në shtet, 5 operacione hunde në ditë
Në Qendrën Spitalore Universitare, sipas burimeve zyrtare, çdo ditë kryejnë një ndërhyrje të paktën 10 pacientë që duan të operojnë hundën ose veshët. Zyrtarisht, në këtë spital, kjo ndërhyrje klasifikohet për nevoja shëndetësore dhe jo si rregullim estetik. Arsyeja që nënshkruhet është ajo e pranisë së mishit të huaj apo devijimit kockor, që pengon pacientin të jetojë normalisht.
Ndërhyrjet kryhen për pacientët deri në 18 vjeç dhe ofrohen falas, por kjo nuk e përjashton edhe grupin e të rriturve që mund të marrin shërbimin me një çmim më të lirë, që është dukshëm më i ulët sesa në një klinikë private.
Për shembull, për një ndërhyrje në hundë, operacioni vlerësohet të jetë në 1.2 milionë lekë, kurse në privat fillon nga 1500 euro. Nga ana tjetër, ndërhyrja në vesh është një procedurë jo dhe aq e thjeshtë, por luhatet sërish në të njëjtat nivele.
Edhe me kredi
Ndërhyhet kirurgjikale estetike, ashtu sikurse ka ndodhur edhe me shumë trende të tjera, janë parë me skepticizëm nga ana e shoqërisë. Dikur ato ishin monopol i VIP-ave apo pasanikëve, ndërsa sot mundësia që ofrohet në treg e bën të aksesueshëm këtë edhe për shtresën e mesme. Gjithçka është më e thjeshtë, sepse çdo person i interesuar për një ndërhyrje ka mundësi të informohet nga interneti, televizioni apo rrjetet sociale mbi risqet, ndërkohë që pjesa e dytë dhe më e rëndësishme është ajo e opsioneve të pagesës, ku pagesa me këste është më e preferuara.
“Ne kemi kontrata me bankat dhe shoh që shumë vajza të reja janë të punësuara, preferojnë që të marrin një kredi, kuptohet kryesisht është pjesa e hundës që është një kredi e vogël 1500 euro dhe nuk ua rëndon atyre gjendjen ekonomike. Vajzat e reja kryesisht preferojnë të marrin kredi, kurse pjesa tjetër më e rritur paguajnë ‘cash’”, – shprehet Lida Hoxha, Drejtore Ekzekutive në Klinikën DermoLife.
Nga ana tjetër, ka një rritje të presionit për perfeksion, që imponohet nga imazhi që shohim çdo ditë në reklama, rrjete sociale. Kjo është padyshim një tjetër shtysë për të kryer një ndërhyrje përtej asaj kryesore që është të ndihesh mirë me veten. Madje aktivizimi në rrjetet sociale ka bërë që shqiptarët të nisin të zhvendosin edhe kërkesën për ndërhyrje, nga më tipikja që është rimodelimi i hundës të kalojmë deri tek rimodelimi i vitheve, diçka që para disa vitesh as nuk konceptohej.
“Rrjetet sociale, siç e thonë edhe psikologët, po ndikojnë gjithmonë e më shumë në jetën tonë. Më tepër se sa “presion” për rimodelimin e vitheve, është dëshira për t’u dukur më bukur. Pa dyshim që duke u ndikuar edhe nga “trendet” e Instagram-it vihet re rritje e kërkesës për rimodelimin e vitheve”, – shprehet Skerdilajd Faria, Drejtor i Përgjithshëm i Klinikës KEIT.
Google, në Shqipëri kërkohet më shumë për hundën se për zemrën
Motorët e kërkimit në Google janë të aftë të gjenerojnë të dhëna mbi atë çka qytetarët në secilin vend të botës kërkojnë më shumë. Në Shqipëri nëse klikon me fjalën “operacione” më poshtë të renditen edhe kërkimet më të shpeshta që janë bërë nga shqiptarët, që konkretisht janë operacionet e hundës, operacionet plastike, më pas operacionet plastike të hundës dhe së fundi operacionet e zemrës.
Kjo deri diku vërteton edhe faktin që operacionet e hundës janë edhe më popullorët që kryhen nga klinikat e kirurgjisë estetike. Ndërkohë që nëse në Google kërkon me të njëjtën fjalë në anglisht “operation” del që rezultatet të mos kenë asnjë lidhje me ato shqiptare. Konkretisht nga “operation” vijnë më poshtë “operacion buzëqeshja, operacion shëndeti, menaxher operacional (përkufizim për një profesionist në pozita menaxheriale me përvojë më shumë se 10-vjeçare).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.