Si po ndahet torta që Kosova i hoqi Serbisë; Pse nuk po përfiton Shqipëria

16/02/2019 10:07 PM 0 komente

Si ka ndryshuar ecuria e tregtisë së Kosovës me shtetet e tjera, pas vendosjes së taksës mbi mallrat serbe. Humbjet që iu shkaktuan Serbisë dhe presioni i Europës dhe Amerikës mbi Kosovën. A po përfiton Shqipëria?

 

Nga Prishtina, Fatos Shala

 

Më 6 shkurt 2019 u bënë tre muaj nga koha kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën prej 10% ndaj mallrave serbe, e cila dy javë më pas, përkatësisht më 21 nëntor, u rrit në 100%. Vendosja e taksës ka pasur ndikime direkte në ekonominë e Kosovës dhe Serbisë. Shteti fqinjë ka pasur humbje të mëdha nga vendosja e taksës, ndërsa në tregun e Kosovës kanë zënë vend si asnjëherë më parë produktet vendase.

Taksa ka ngjallur edhe reagime të mëdha politike. Më e zëshmja deri më tani, me reagime dhe presione, ka qenë Amerika. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian po kërkojnë urgjentisht heqjen e taksës. Kryeministri i Kosovës Haradinaj e ka refuzuar deri më tani heqjen e taksës, duke thënë se ajo mund të hiqet vetëm kur Serbia ta njohë Kosovën.

 

Shifrat, Serbia humbi miliona euro

Të dhënat e Agjencisë Statistikore të Kosovës tregojnë se në dhjetor 2018, importet nga Serbia ishin vetëm 5 milionë euro, me një rënie drastike prej 88% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë. Edhe në nëntor, në fund të të cilit hyri në fuqi taksa, importet nga Kosova u përgjysmuan, në rreth 15 milionë euro. Mesatarisht, Kosova importonte nga Serbia çdo muaj mallra me vlerë 30-40 milionë euro.
Serbia, tradicionalisht ka qenë partneri kryesor i Kosovës, për sa u përket importeve, me rreth 13% të totalit për periudhën janar-tetor 2018, përpara se të hynte në fuqi kjo taksë. Këtë kryesim ajo e humbi menjëherë në muajt nëntor – dhjetor. Ecuria e dobët në nëntor dhjetor bëri që për gjithë vitin, importet nga Serbia drejt Kosovës të binin me 14%.

 

 

Adriatik Stavileci, zyrtar për media në Doganën e Kosovës, ka treguar për Monitor.al se “gjatë vitit 2018, si efekt i dy muajve të fundit, importet në total nga Serbia ishin 386 milionë euro, ndërsa në vitin paraprak (2017) ishin 450 milionë, pra ka pasur rënie”, ka thënë ai.
“Deri tani, që nga data e hyrjes në fuqi të taksës, fillimisht 10% (6 nëntor 2018) e pastaj 100% (21 nëntor 2018) kemi pasur import të rreth 650.000 euro vlerë mallrash, të cilat po aq kanë paguar taksë”.

Stavileci ka treguar se nga Serbia në Kosovë ka hyrë lëndë e parë për procese prodhimi. Në Doganën e Kosovës kanë treguar se për shkak të taksës është rritur importi i produkteve nga Shqipëria dhe Maqedonia. “Kemi rritje të importeve nga Shqipëria me 40% si dhe nga Maqedonia me 10%”. Me rënien e importeve edhe gjatë janarit 2019 vlerësohet se humbjet e ekonomisë së Serbisë arrijnë në rreth 100 milionë euro për tre muaj.

 

Produktet e Serbisë mund të zëvendësohen

Vendimi për taksën ndaj produkteve të Serbisë ka rritur edhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për të mos blerë mallra serbe. Edhe bizneset janë solidarizuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka pohuar për Monitor se bizneset kanë vënë interesin e tyre shtetëror para interesave private. Rukiqi thotë se taksa ka nxjerrë në pah nevojën që ka Kosova në riorientimin e tregtisë drejt vendeve të tjera dhe sa më pak nga Serbia.

“Çka është shumë inkurajuese është fakti që bizneset janë solidarizuar, janë rreshtuar me këtë vendim në mënyrë që ta vendosin interesin shtetëror para atij privat. Me gjithë kostot, ata kanë filluar që të shohin alternativat në mënyrë që të mos dëmtohen në furnizime, në stoqe, në treg e kështu me radhë… Ajo që unë shoh, aspektin më pozitiv të kësaj takse, është rritja e vetëdijes për moskonsumim të produkteve serbe”.

Ai ka shtuar se çdo produkt që importohet nga Serbia është i zëvendësueshëm, qoftë nga prodhimet vendase apo nga ato të shteteve të tjera.
“Ka produkte që janë të zëvendësueshme dhe ka që janë të pazëvendësueshme. Për produkte të pazëvendësueshme nuk mundem me thanë nëse kemi diçka të tillë nga Serbia. Por nuk e besoj që kemi produkte nga Serbia dhe që janë të pazëvendësueshme dhe nuk mund të zëvendësohen nga produktet e Kosovës apo vende të tjera”, ka thënë i pari i OEK-ut.

Edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, shprehet i bindur se Kosova mund t’i zëvendësojë pa vështirësi të mëdha produktet e Serbisë, qoftë nga prodhimi vendas ose me produkte nga vendet e rajonit me të cilat ka raporte të mira.
“Zëvendësimi i produkteve nga Serbia në vendin tonë është lehtë i realizueshëm, kur kihet parasysh se Kosova mund të importojë nga të gjitha vendet e tjera të regjionit, apo të Bashkimit Europian, produkte që deri më tani janë importuar nga Serbia, por mbi të gjitha ato produkte mund të zëvendësohen edhe me produkt vendas”. Sipas tij, Serbia nuk ka as një produkt i cili nuk mund të zëvendësohet.
Kryetari i AKB-së ka thënë se përveç raporteve zyrtare për importet nga Serbia, një pjesë e tyre futen edhe ilegalisht.

“Raporti mes eksportit dhe importit me Serbinë është 90 me 10 në favor të Serbisë. Nga atje importojmë mbi 400 milionë euro mallra dhe mbi 30% e mallrave futen ilegalisht, por eksportojmë me vështirësi 40 milionë euro mallra”, tha Shahini. Të dhënat e Agjencisë Statistikore të Kosovës tregojnë se në dhjetor, rënia me 41 milionë euro e importeve nga Serbia u kompensua me rritjen e tyre nga Greqia (+9.5 milionë euro), Sllovenia (+8.8 milionë euro), Turqia (+7.2 milionë euro), Shqipëria (+6.5 milionë euro), Maqedonia (+4.8 milionë euro).

Partneri i parë i Kosovës për importe tashmë ka kaluar Gjermania (që tradicionalisht ishte e dyta), e cila zuri 13.1% të totalit në dhjetor, pavarësisht se me rënie të lehtë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pas Gjermanisë renditet Turqia, Kina, Greqia, Italia, Maqedonia dhe më pas Shqipëria.

 

 

Presioni ndërkombëtar për taksën

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian në vazhdimësi po i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës të tërheqë vendimin për taksën ndaj Serbisë.
SHBA ka thënë se nuk shohin ndonjë përfitim të Kosovës nga vendosja e taksës prej 100% për mallrat serbe. “Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar prej lidershipit të Kosovës në mënyrë të përsëritur që të pezullojë menjëherë taksën për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Siç kemi thënë, ne nuk shohim ndonjë përfitim të Kosovës nga këto masa. Ne fuqishëm inkurajojmë ripërtëritjen e fokusimit në qëllimet thelbësore të Kosovës – të ardhmen europiane dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në një nga shumë reagimet që ka bërë deri tani Ambasada e Amerikës në Prishtinë ndaj qeverisë së Kosovës për taksën.
Kurse Bashkimi Europian e ka cilësuar vendimin e Kosovës, për rritjen e taksës në 100% ndaj produkteve serbe, si shkelje të marrëveshjes së CEFTA-s.

Përmes një njoftimi për media, përfaqësuesja e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, ka kërkuar nga shteti i Kosovës që ta revokojë menjëherë këtë masë. “Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta rritur taksën mbi mallrat nga Serbia dhe Bosnja në 100%, është shkelje e qartë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë CEFTA, dhe frymës së MSA-së ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Më tej, ky vendim përkeqëson situatën pas taksës së parë prej 10% javën e kaluar. Qeveria e Kosovës duhet ta revokojë menjëherë këtë vendim”.

Kosova nga Serbia brenda një viti, së paku zyrtarisht, importon mallra në vlerë 400 milionë euro, por eksporton vetëm rreth 40 milionë euro për në serbi. Kosova ka vendosur taksën prej 10% më 6 nëntor për mallrat nga Serbia dhe më pas e ka rritur atë më 21 nëntor në 100%. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përsëritur disa herë se taksa do të hiqet në momentin kur Serbia të njohë shtetin e Kosovës.

 

Eksportet nga Shqipëria drejt Kosovës rriten 35%, a ndikoi taksa

Shqipëria ka eksportuar në vitin 2018 mallra e produkte me vlerë prej rreth 206 milionë eurosh në Kosovë, duke shënuar nivelin më të lartë historik, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia Statistikore e Kosovës. Në raport me një vit më parë është shënuar rritje e ndjeshme prej 35.6%. Por të dhënat e detajuara mujore dhe sipas kapitujve, tregojnë se kjo rritje lidhet më shumë me gjallërimin e aktivitetit të kompanisë shqiptare të prodhimit të çelikut Kurum, e cila në 2018-n rriti ndjeshëm aktivitetin dhe eksportet, pasi doli me sukses nga një procedurë falimentimi e nisur në mars 2016.

Këtë e tregon dhe fakti që në dhjetor, eksportet nga Shqipëria drejt Kosovës ishin 17 milionë euro, nga 22 milionë euro që rezultuan në gusht, kur nuk kishte hyrë në fuqi taksa me Serbinë. Ky grup zë 41% të eksporteve shqiptare drejt Kosovës, sipas INSTAT. Kosova është një nga destinacionet kryesore të eksportit për Kurum dhe kërkesa ka qenë në rritje si rrjedhojë e ndërtimeve rezidenciale dhe projekteve të mëdha të infrastrukturës. Eksportet e Gizës dhe çelikut nga Shqipëria në Kosovë u rritën me 52% në 2018-n.

Grupi i dytë me rritjen më të lartë është ai i lëndëve djegëse minerale, me 15% të totalit. Ky grup shënoi rritje prej gati 80% të eksporteve në 2018-n. Ndërsa “Alumini dhe artikuj prej tij” dhe “Zarzavatet” ranë përkatësisht me 7% dhe 0.3% me bazë vjetore.
Ecuri pozitive kishin eksportet e “mobilieri e dyshekë”, me një zgjerim prej 40%.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of