Eksportet drejt Kinës dhe Spanjës kanë shënuar rritje të konsiderueshme në pesë muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave nga INSTAT.
Shitjet e produkteve shqiptare, kryesisht lëndëve djegëse e energjisë, drejt Spanjës, u rritën me 94% në 13.6 miliardë lekë për periudhën janar-maj 2013, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke ndikuar në gati gjysmën e rritjes tw totalit tw eksporteve shqiptare.
Eksportet drejt Kinës u zgjeruan me 168% në 4.8 miliardë lekë, për të njëjtën periudhë.
Italia mbetet pritësi kryesor i eksporteve tona,megjithëse pesha e saj ndaj totalit ka rënë, për shkak të ritmit të ulet të rritjes së eksporteve drejt këtij vendi. Për periudhën janar-maj 2013 drejt Italisë shkuan 48% e eksporteve shqiptare, nga 55% që ishte kjo peshë për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Eksportet drejt Italisë u rritën me 3.5% me bazë vjetore, në 46.7 miliardë lekë.
Rritje të pandalshme po shënojnë shitjet e produkteve shqiptare drejt Spanjës, i cili është shndërruar tashmë në partnerin e dytë tregtar të Shqipërisë.
Për periudhën janar-maj 2013, eksportet drejt këtij vendi përbënin 14% të totalit, nga vetëm 0.1% që ishte kjo peshë për të njëjtën periudhë të vitit 2008.
Gjatë tre viteve të fundit, shitjet drejt Spanjës janë rritur me ritme galoponte, duke luajtur një rol kryesor në performancën pozitive të eksporteve shqiptare në total.
Ecuria e mirë e grupit “Lëndët djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e distilimit të tyre”, që sipas INSTAT zënë 95% të totalit të eksporteve drejt Spanjës, është arsyeja kryesore e kësaj tendence dhe ka ardhur si rrjedhojë e shitjeve të naftës bruto nga kompania eksportuese kanadeze, Bankers Petroleum.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.