Si po plaket Shqipëria: “Ikin” 19 mijë të rinj, shtohen 11 mijë pleq në 2017-n

13/02/2018 7:01 AM 0 komente

Shqipëria po humb gjithnjë e më shumë nga dividendi i saj demografik për shkak se popullsia po pakësohet me ritme të shpejta në grupmoshën e artë 0-40 vjeç teksa numri i personave mbi 65 vjeç po rritet me shpejtësi.

Sipas statistikave të fundit të popullsisë, numri i personave 0-40 vjeç pësoi rënie me 2% gjatë një viti. Në janar 2018, në këtë grupmoshë u numëruan rreth 19 mijë persona më pak se më 1 janar 2017.  Një nga shkaqet e rënies në këtë grupmoshë është emigracioni i lartë dhe rënia e numrit të lindjeve, rënia më e madhe i takon grupmoshës 10-14 vjeç, të cilët ishin 10,500 persona më pak në numër se vitin 2017.

Grupmosha e hershme 20-40 vjeç, që përbën kulmin e funksionimit fizik është pakësuar me 3777 mijë persona më 2017. Tkurrja e kësaj grupmoshe tregon humbjen e produktivitetit të forcës së punës dhe popullsisë në tërësi, pasi në këtë moshë merret vendimi për martesë dhe vihen bazat e karrierës.

Gjithashtu forca e punës shënoi rënie me 1.1%. Grupmosha 15-65 vjeç u tkurr me 2323 persona gjatë vitit 2017, teksa numri i të moshuarve ka shënuar rritje të mëtejshme.

Popullsia në mbi 65 vjeç u shtua me 11,216 persona më 2017, duke u rritur në mbi 3% brenda vitit. Për pasojë, raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i personave në moshë +65 vjeç ndaj popullsisë në moshë pune 15- 64 vjeç) ka shënuar një rritje nga 18,9% në 19,4% gjatë së njëjtës periudhë.

Projeksionet e tregojnë se popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana, Vlora dhe Durrësi).

Tirana është qarku i vetëm në të cilin parashikohet rritje e konsiderueshme në forcën potenciale të punës (me 20% deri në vitin 2031, sipas skenarit normal me shpërndarje gjeografike dhe emigrim konstant brenda vendit). Rënia më e fortë në forcën e mundshme të punës parashikohet për Gjirokastrën (me -43%), si dhe për Beratin dhe Dibrën (me të paktën -30%). Emigrantët janë në masën 90% pjesa më aktive e tregut të punës.

Popullsia e vendit po tkurret më shpejt se projeksionet e popullsisë 2011-2031. Më 1 janar 2018 popullsia ishte 18 mijë persona më pak se projeksioni zyrtar i INSTAT.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz