Si sponsorizimi i Kupës së Botës reflekton ndryshimet ekonomike globale

13/07/2018 10:04 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Azia po e kapërcen me shpejtësi Europën dhe Amerikën e Veriut në fuqinë ekonomike, një trend që do të vazhdojë edhe në dekadat e ardhshme. Rritja e sponsorizimeve në Kupën e Botës është edhe tregues i rritjes së fuqisë ekonomike aziatike

 

Ka pasur ndryshime të mëdha në vendin e origjinës për sponsorizimin e Kupës së Botës në vitet e fundit. Një e treta e sponsorëve më të mëdhenj tani janë nga Kina, ndërkohë që përpara 2014-s, nuk kishte asnjë sponsor nga ky shtet. Kalin Anev Janse, Sekretar i Përgjithshëm dhe anëtar i bordit drejtues të fondit të Mekanizmit të Stabilitetit Europian, shpjegon në një artikull publikuar nga Universiteti Wharton se si ndryshimet në sponsorizime pasqyrojnë ato në ekonominë botërore.

“Si një bullgar që jeton në Luksemburg, mendova se Kampionati Botëror 2018 do të ishte një ngjarje e mërzitshme sportive. Të tre vendet me të cilat unë e identifikoj veten, Holanda, Bullgaria dhe Luksemburgu, kanë luajtur në të njëjtin grup. Kështu që shpresoja se të paktën një prej tyre do të kualifikohej, por fatkeqësisht asnjëri prej tyre nuk ia doli. Nga ky grup, vetëm Franca dhe Suedia u kualifikuan. Të paktën ato të tria që u eliminuan, tani janë në shoqërinë e mirë të Italisë. Kisha menduar që gjatë kësaj vere, të ndiqja edhe kampionate të tjera sportive si Wimbledon, ku bullgari Grigor Dimitrov është një ndër favoritët, ose Kampionatin Botëror të Femrave në Hokej, të cilin holandezët mund ta fitojnë përsëri.

Por, e pata të pamundur që t’i ndiqja ato dhe të shpërfillja gjysmën e njerëzimit që ndjekin Kupën e Botës, një prej ngjarjeve sportive më të ndjekura në botë, me më shumë se 3.2 miliardë njerëz. Më pas, arrita në përfundimin se Kupa e Botës ishte interesante edhe nga një këndvështrim financiar, sepse të njëjtat ndryshime globale në tregjet e kapitalit dhe në makroekonomi, të cilat po i vëzhgoj aktualisht në punën time, po reflektojnë edhe ndryshimet e sponsorëve të kësaj ngjarjeje.

 

Më shumë sponsorë nga Azia, më pak nga Amerika e Veriut dhe Europa

Që nga viti 1982, Kupa e Botës është fituar gjashtë herë nga shtete europiane (dy herë nga Gjermania, dy herë nga Italia, një herë nga Spanja dhe një herë nga Franca), dhe tri herë nga shtete të Amerikës Latine (dy herë nga Brazili dhe një herë nga Argjentina). Për sa u përket sponsorëve më të mëdhenj, shpërndarja gjeografike është krejtësisht ndryshe. Në vitin 1986, katër kompani europiane, katër nga Amerika e Veriut dhe katër nga Azia e mbështetën këtë ngjarje sportive.

Në vitet 1990, pati rritje të shpejtë në sponsorizimin e shteteve nga Amerika e Veriut, e cila më pas u ndal në fund të atij dhjetëvjeçari. Edhe pse numri i shteteve europiane që fitonin këtë ngjarje të rëndësishme sportive rritej nga njëri Botëror në tjetrin, numri i kompanive europiane që po sponsorizonin këtë Kampionat erdhi në rënie. Në Botërorin e këtij viti, vetëm një kompani europiane ka sponsorizuar para në të. Pra, cili është tashmë shpenzuesi gjigant i ri? Azia! Në 2018-n, 7 nga 12 partnerët dhe sponsorët kryesorë janë nga Azia, rreth 60%.

 

Kina zëvendëson Japoninë si sponsorin më të rëndësishëm aziatik

Nëse ju i përkisni asaj gjysme të popullsisë që e shikon Kupën e Botës, ju mund ta keni vënë re këtë trend të fundit edhe nga numri i shumtë i reklamave që shfaqen në billboard-et e fushës së futbollit. Një e treta e partnerëve kryesorë të Kupës së Botës janë nga Kina, një rekord edhe për vetë këtë shtet dhe thuajse është në numër të barabartë me kompanitë sponsorizuese amerikane. Para 2014-s, në këtë ngjarje të rëndësishme sportive nuk kishte asnjë kompani kineze sponsor. Interesant është edhe fakti sesi kompanitë kineze po e zëvendësojnë Japoninë si kompanitë sponsorizuese aziatike më të mira.

 

 

Deri në vitin 2006, japonezët përfaqësonin markat kryesore aziatike në Kupën e Botës. Ndërsa këtë Botëror, ato thuajse mungojnë të gjitha. Nëse nuk jeni tifoz i futbollit, atëherë mund t’ju habisë fakti se përse Kina është kaq aktive në sponsorizimin e kësaj ngjarje sportive, kur ajo vetë nuk përfaqësohet nga ekipi kombëtar. Kina ka luajtur vetëm një herë në Kampionatin Botëror të vitit 2002.

 

 

Pra, a mund të shërbejë sponsorizimi i Kupës së Botës si një reflektim i ndryshimeve të ardhshme ekonomike globale? Më shumë se sa mund të mendoni. Edhe në opinionet dhe editorialet e mëparshme, e kam shprehur mendimin tim se Azia po e kapërcen me shpejtësi Europën dhe Amerikën e Veriut në fuqinë ekonomike, një trend që do të vazhdojë edhe në dekadat e ardhshme. Rritja e sponsorizimeve në Kupën e Botës është edhe tregues i rritjes së fuqisë ekonomike aziatike. Këtë vit, do ta shohin Kupën e Botës 200 milionë njerëz më shumë se në 2014.

 

 

Tani për tani, prania e Azisë në Kupën e Botës pasqyron fuqinë e saj ekonomike më shumë se aftësitë e saj në futboll. Duke gjykuar nga rezultatet e para, shtetet europiane janë ende ndër më të mirët në këtë sport, por kjo edhe mund të ndryshojë. Edhe aziatikët e duan sportin. Shumica e shikuesve të Kupës së Botës 2014 ishin nga Azia, dhe numri i tifozëve në këtë Botëror është më i lartë. Më shumë se 1.5 miliardë njerëz në Azi panë të paktën një minutë të Kupës së Botës në 2014, dhe më shumë se 750 milionë ndoqën më shumë se 20 minuta. Kina mban numrin më të madh të shikuesve. Me një audiencë kaq të madhe, sponsorizimi i këtij Kampionati nga kompanitë kineze është një lëvizje e zgjuar, edhe pse skuadra kombëtare nuk është kualifikuar.

 

Çfarë pritet në të ardhmen?

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, është një tifoz i madh i futbollit. Ai ka tre ëndrra për Kinën dhe Kupën e Botës: të marrë pjesë, të jetë vendi organizator dhe ta fitojë atë. Kina po investon shumë në akademitë e futbollit dhe shkëmbimet me homologët europianë për ta ndihmuar atë që të arrijë rezultate të mëdha në këtë drejtim. Në 1.3 miliardë persona, sigurisht që mund të zbulohen shumë talente. Dhe unë me të vërtetë shpresoj që Kina të kualifikohet një ditë.

Sigurisht, duke shpresuar se në atë Botëror do të kualifikohen edhe skuadrat për të cilat unë jam tifoz, Holanda, Bullgaria dhe Luksemburgu. Edhe pse siç e përmenda edhe më sipër, që ndryshimet në sponsorët e këtij eventi reflektojnë edhe ndryshimet në ekonominë globale, do të përqendrohem në ndeshjet e fundit që kanë mbetur, duke i shijuar ato sa më shumë. Nëse nuk më besoni mua për këtë që sapo thashë, atëherë pyesni 3.4 miliardë njerëz në botë që janë duke e parë në këto momente Kupën e Botës 2018.

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz