Psikologë dhe ekspertë të marketingut, jo pa qëllim studiojnë mënyrën se si sillemi ne, konsumatorët. Ekzistojnë “truke” për t’i bërë konsumatorët që të shpenzojnë më shumë nga sa kishin parashikuar. Ne po ju sjellim një guidë të thjeshtë, e cila ju ndihmon që të menaxhoni mënyrën se si duhet të bëni pazar në hipermarketet e mëdha.
Çfarë duhet të bëni
Hapi i parë
Në radhë të parë duhet të bëni kujdes që të kërkoni produktet që vërtet ju nevojiten, pra ato të cilat kishit menduar se do t’i blinit përpara sesa të hynit në supermarket. Ndoshta mund t’i shënoni edhe në ndonjë copë letër ose celular, nëse rrezikoni t’i harroni.
E keni vënë re që supermarketet vendosin në një vend shumë të dukshëm produkte që nuk janë shumë të domosdoshëm për t’u blerë, ndërsa vendosin në rafte më të vështirë për t’u gjetur produktet primare, si sheqerin, vezët, miellin ose kripën, pikërisht për të orientuar sjelljen tuaj konsumatore.
Hapi i dytë
Shikoni me kujdes afatin e skadencës. Ne shqiptarët shpesh e harrojmë këtë detyrë. Nuk është e rastësishme që produktet që janë afër afatit të skadencës vendosen në vende lehtësisht të arritshme ose shumë të dukshme. Punonjësve të supermarketit u bëhet e ditur që gjatë reklamimit të vendosin të parët mallrat që ishin prezent dhe më pas ato të rejat.
Prandaj është më mirë që të “gërmoni” pak përpara sesa të bëni zgjedhjen tuaj.
Produktet me afat të afërt skadence kanë një çmim më të ulët, në krahasim me të tjerat.
Hapi i tretë
Bëni kujdes me blerjet e “minutës së fundit”. Në fakt, supermarketet vendosin në afërsi të kasës ku bëhet pagesa dhe ku shpesh jeni i detyruar që të mbani radhë, produkte, si ëmbëlsira të vogla, bateri, brisqe për rroje, me një çmim më të lartë, me qëllim që të shfrytëzojnë harresën, oreksin tuaj ose të fëmijëve.
Hapi i katërt
Përpiquni që të mos mashtroheni nga uljet. Shpesh praktikohen në produkte me çmime të larta. Natyrisht ekzistojnë edhe ulje reale, por në pjesën më të madhe është më shumë një “karrem”, pra produkte që tërheqin vëmendjen e konsumatorit, që iu lënë të besoni se nëse produkti që e njihni më parë tani kushton më pak, edhe për të tjerët do të zbatohen çmime të favorshme.
Hapi i pestë
Ju sugjerojmë që të mos shkoni për të bërë pazar me stomak bosh, kjo është edhe një nga shkaqet se pse vrapojmë të blejmë nga të gjitha dhe në sasi të ekzagjeruara. Merrni dhe shfletoni fletëpalosjet që gjeni për të kuptuar se te cili supermarket ia vlen të bëni pazar.
Çdo supermarket tregton produkte me ofertë dhe që ndryshojnë sa nga njëri te tjetri. Nuk është aspak ide e keqe sikur të shkoni te secili dhe të blini produktet me ofertë që ju nevojiten.
Hapi i gjashtë
Gjëja e fundit, por jo më pak e rëndësishme, bëni një bilanc të gjërave që do të blini dhe që shtoni pak nga pak në karrocë. Mblidhni shifrat, pasi kjo do t’ju ndihmojë që të dini paraprakisht se sa keni shpenzuar, duke shmangur ndonjë surprizë të pakëndshme te kasa.
Disa supermarkete bëjnë oferta për disa produkte që mund të blihen vetëm nëse keni një kartë (atë të anëtarësimit) me çmime vërtet të leverdisshme. Këto të fundit ju lejojnë që të grumbulloni pikë dhe të merrni dhurata që shpërndahen nga supermarketi.
Ju këshillojmë që të blini produkte të shëndetshme, mos u tundoni nga ambalazhet e bukura apo se kushtojnë pak. Lexoni me kujdes vlerat ushqyese. Nëse produkti që ju do të blini nuk ka përshkrimin në shqip, kërkojini punonjëses që t’ju informojë.
Si të kursejmë …
Në kohë krize, mirë është që të kurseni, mbi të gjitha në supermarket. Kur shkoni për të bërë pazar, shikoni me kujdes rreth e rrotull dhe ndiqni disa rregulla të thjeshta për të shpenzuar në mënyrë të moderuar.
Hapi i parë
Në radhë të parë (natyrisht nëse keni kohë) frekuentoni supermarketet e mëdha, më shumë se dyqanet poshtë shtëpisë. Këto të fundit kanë çmime më të larta në krahasim me një supermarket normal dhe produktet (u referohemi atyre që janë profesionale) shpesh janë të njëjta. Atëherë përse duhet të shpenzoni më shumë për të njëjtin produkt?
Hapi i dytë
Edhe në supermarkete, çmimet mund të variojnë në varësi të zonës ku ndodhet. Informohuni shpesh mbi ofertat e fundit që bëjnë supermarketet në zonën ku banoni dhe planifikoni një listë shpenzimesh. Synoni që gjithmonë të shkoni te supermarketi që ka më shumë oferta ose të shkruani listën në varësi të tyre. Nëse keni mundësi, shkoni në supermarkete të ndryshme.
Hapi i tretë
Duke ndjekur këto këshilla, mund të “minimizoni” deri-diku shpenzimet. Jo të gjitha çmimet që shkruhen me shkronja të mëdha dhe mbajnë mbishkrimin “super ofertë” janë të tilla.
Gjithmonë mbani parasysh që të merrni në konsideratë raportin cilësi- çmim.
Hapi i katërt
Edhe një këshillë të fundit. Mos harroni të përdorni ose të merrni kartat e anëtarësimit në supermarkete. Mund ta shfrytëzoni këtë mundësi për të marrë dhurata të ndryshme. Për këtë ndiqni udhëzimet që iu japin nëpër supermarkete.