Ditët e para në një mjedis të ri në punë nuk kanë shumë ndryshim nga minutat e para të një takimi me dikë që nuk e keni takuar kurrë më parë. Nëse gjërat nuk ecin mirë, shumë shpejt do ta shihni veten që të kërkoni një punë të re.
Ose, nëse “luani mirë”, ju mund të gjeni veten në atë kompani.
Frank Talarico Jr., Ceo në Goodwill of Orange County, jep dy këshilla se si të bëni përshtypje të mirë në punë…
Jini i dukshëm
Veçanërisht në ditët e para, sigurohuni që t’ju shohin. Mos u izoloni në tryezën tuaj të punës. Flisni. Qeshni. Përshëndetini të gjithë. Silluni lirisht në një takim, qoftë formal ose informal. Sigurisht, ju jeni personi më i ri në staf. Por mos harroni që ju jeni punësuar – si qindra kandidatët e tjerë – pasi ju jeni më i kualifikuari në atë pozicion. Përpiquni të fitoni besimin e të tjerëve, por nuk duhet të silleni sikur dini gjithçka.
Çelësi është bashkëpunimi. Dilni vullnetar në projekte të mëdha me persona që punojnë në departamente të tjera në kompaninë tuaj. Mjafton që “të luani mirë”, veçanërisht në fillim. Kjo jo vetëm që do t’ju bëjë të bini më shumë në sy, por natyrshëm do t’ju ndihmojë të krijoni marrëdhënie me kolegë të tjerë jashtë departamentit tuaj. Sigurohuni që të njiheni edhe nga njerëz në pozicione më të larta drejtuese se ju. Takimet e herëpashershme me drejtuesit tuaj janë të rëndësishme – në këtë mënyrë ata do të dinë që ju e keni marrë me seriozitet këtë mundësi që ju është ofruar.
Njihni ambientin përreth
Shpenzoni ditët e para në kompani për të njohur mjedisin. Për analogji është e rëndësishme të kuptoni nëse bashkëpunëtori juaj është një mishngrënës apo vegjetarian. Ju duhet të kuptoni njerëzit me të cilët do të duhet të punoni, në mënyrë që të dini se si të bashkëveproni brenda kompanisë.
Kjo mund të nisë që gjatë intervistës. Bëni disa pyetje të rëndësishme se si punonjësit angazhohen brenda dhe jashtë ambientit të punës, nëse kultura e punës është konkurruese apo bashkëpunuese e nëse ka ndonjë objektiv apo objektiva për të cilat të gjithë departamentet në atë kompani synojnë që të arrijnë.
Intervistuesi juaj do të befasohet nga vëmendja juaj për këto çështje, dhe ju do të mësoni sigurisht më shumë rreth perspektivës së kompanisë pasi ju ta fitoni atë vend pune.
Burimi: Fortune