Nuk e mbani mend se ku e keni parkuar makinën? Mos u shqetësoni, tani është Google Maps që mendon për ju. Pas përfshirjes së funksionit për të gjetur parkim, kompania kaliforniane prezantoi një shërbim të ri, i cili ju ndihmon të gjeni vendndodhjen e makinës suaj.
Ky është një shërbim i dobishëm, veçanërisht për ata që janë harraqë. Para se të largohen nga vendi ku kanë parkuar automjetin, përdoruesit duhet thjesht të memorizojnë vendndodhjen në Maps. Funksioni i ri vjen pas një periudhe provash disa javë më parë me përfshirjen e këtij shërbimi në modalitetin Beta. Shërbimi i ri do t’ju ndihmojë të gjeni makinën e parkuar dhe është i disponueshëm si për sistemin operativ Android edhe atë iOS.
Si funksionon Google Maps? E nisim me versionin Android. Për të aktivizuar këtë funksion, do të jetë e nevojshme të klikoni në pikën ngjyrë blu në hartë, që shërben për të identifikuar vendndodhjen. Më pas do të hapet një menu, në brendësi të së cilës do t’ju shfaqen disa opsione. Për të memorizuar pozicionin e saktë të makinës, do të jetë e nevojshme të klikoni tek “Save your parking” (Ruani vendndodhjen e parkimit tuaj) ose në ikonën në formën “P”. Në hartë do të shfaqet një etiketë (ajo klasike me ngjyrë të kuqe) ku shkruhet “Set as parking location” (Vendndodhja u ruajt).
Edhe për ata që kanë në përdorim një telefon iPhone shërbimi i Google Maps është i ngjashëm. Edhe në këtë rast ju duhet të ruani vendndodhjen e makinës suaj në hartë. Më pas, do t’ju shfaqet lajmërimi që ju e parkuat makinën tuaj. Nëse smartphone është i lidhur me automjetin nëpërmjet Bluetooth ose USB, parkimi do të ruhet automatikisht sapo përdoruesi të largohet prej automjetit.