Si të gjeni një punë që ju pëlqen vërtet

31/10/2018 2:37 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:
Foto REUTERS/Thomas Peter

Si shumë millennials, shpesh më kanë këshilluar që të “ndjek pasionin” në karrierën time.

Edhe pse tingëllon e mrekullueshme, është e vështirë ta zbatosh në praktikë. Nuk mund të mos vërejmë mospajtimin që ekziston mes rëndësisë së pasionit në punë dhe mungesës së rrugëve për të ndërtuar një karrierë kuptimplotë.

Përdorimi i shprehjes “ndiq pasionin” është rritur me nëntë herë në librat anglezë që nga viti 1990. Megjithatë, sot shumë nuk dinë të thonë se cili është pasioni i tyre.

Kohët e fundit, psikologia e Universitetit të Stanford, Carol Dweck, pyeti studentët e saj: “Sa prej jush janë në pritje që të gjejnë pasionin e tyre?” Me këtë Dweck nënkuptonte që pasioni nuk është diçka të cilën mund ta gjesh. Përkundrazi, ushqehet dhe zhvillohet në kohë nëpërmjet përpjekjeve dhe gabimeve, vendosmërisë dhe rezistencës. Nëse e braktisim sa herë që ndeshemi me një pengesë dhe ia vëmë fajin mungesës së pasionit, nuk mund të rritemi dhe zhvillohemi kurrë si profesionistë.

Çështja e rritjes personale dhe përgjegjësisë është duke u bërë gjithnjë e më thelbësore, ndërkohë që ndryshimi teknologjik po ndryshon mënyrën tonë të të punuarit. Ndërkohë rritja e jetëgjatësisë po rrit në mënyrë drastike kohën tonë në punë, duke e bërë gjithnjë e më të rëndësishme gjetjen e një pune që t’ju japë kënaqësi.

Future of Jobs Report 2018” e World Economic Forum (Forumi Ekonomik Botëror) analizon se si teknologjia po ndryshon vetë natyrën e punës. Ai nxjerr në pah aftësitë e reja për të cilat do të kemi nevojë në punët e së ardhmes, duke analizuar se si Inteligjenca Artificiale mund të rrisë numrin e vendeve ekzistuese të punës, të krijojë role të reja dhe të krijojë një burim tërësisht të ri të ardhurash për punonjësit. Raporti këshillon marrjen e përgjegjësive personale që të mësojmë gjatë gjithë jetës dhe zhvillimin e karrierës. Ndryshimi fillon me transformimin personal.

Për të parë se si funksionon kjo në praktikë, merrni në konsideratë filozofinë japoneze “Ikigai”. “Ikigai” do të thotë “një arsye për të qenë”. Sipas këtij koncepti, sekreti i gjetjes së një pune me kuptim është identifikimi i asaj që doni, ajo gjë në të cilën jeni të aftë, ajo gjë për të cilën bota ka nevojë dhe për të cilën ju do të paguheni. Në punën tuaj ideale këto katër faktorë bashkohen dhe pasioni takon praktikën. Për fat të keq, sot pjesa më e madhe e shkollave dhe universiteteve nuk janë projektuar për të frymëzuar konceptin “ikigai” te studentët.

Ato synojnë të standardizojnë kreativitetin dhe të prodhojnë në masë mediokritetin, duke i frustruar studentët dhe duke u shkaktuar pakënaqësi. Mund të jetë shumë shqetësuese që të marrësh diplomën në një sistem të tillë arsimor dhe më pas të bombardohesh me këshilla për “të ndjekur pasionin”. Si mund të ndjekim pasionin tonë pa asnjë nxitje institucionale, kulturore, sistemike dhe përkrahje në karrierë?

Ky problem është veçanërisht i prehtë në vendet aziatike, pavarësisht novatorëve të mëdhenj nga ky rajon. Për fat të keq, përjashtimet nuk e rrëzojnë normën. Duhet të bëjmë më shumë nëse duam të përballemi me sfidat e së ardhmes.

Në librin e tyre, “The 100-Year Life – Living and Working in an Age of Longevity”, Lynda Gratton dhe Andrew Scott theksojnë tre pika kyçe. Së pari, njerëzit kanë mundësi të jetojnë deri në 100 vjeç ose më shumë. Së dyti, jetëgjatësia e kompanive do të zvogëlohet. Së treti, koncepti i pensionit dhe kursimeve do të ndryshojë. Jeta tradicionale me tre faza – arsimimi me kohë të plotë, i cili çon në një punë me kohë të plotë, që çon në pensionin me kohë të plotë – do t’i lërë vendin diçka më fleksibile

Përgjegjësia personale bashkë me mbështetjen e komunitetit do të na ndihmojnë të përqafojmë Revolucionin e Katërt Industrial në mënyrë të qëndrueshme. Dhe më pas shprehja “ndiq pasionin” do të marrë një kuptim konkret.

*Utkarsh Amitabh, themelues Network Capital (Mentors Across Borders)
Burimi: World Economic Forum

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of