Tre amerikanë në dhjetë thonë që puna e tyre “është thjesht një punë sa për të përballuar jetesën”. Sipas një studimi të fundit të OfficeTeam del se punonjësit amerikanë raportojnë se ndihen të mërzitur mesatarisht 10,5 orë çdo javë. Duke qenë se njerëzit që punojnë kalojnë në punë mesatarisht tetë orë në ditë, besojmë se të gjithë ne meritojmë më shumë.
Por ndërkohë që ideja e gjetjes së një pune që ju pëlqen tingëllon ideale, të kuptosh se si është kultura e një kompanie mund të jetë një sfidë. Më poshtë janë tre këshilla për të kuptuar e për të vlerësuar se si është në të vërtetë të punoni në një kompani, shumë kohë para se të filloni të punoni për të.
Lexoni referencat
Website si Glassdoor, InHerSight dhe Comparably ofrojnë analiza dhe kontekste nga punonjës që punojnë aktualisht dhe ish-punonjës për çdo kompani për çështje formale (përfitimet shëndetësore dhe pushimet e paguara) por edhe detaje që janë të vështira të gjenden për një kompani kur nuk jeni pjesë e saj, si për shembull se çfarë mendojnë punonjësit për drejtuesin e tyre, se si ndihen ata për të ardhmen e kompanisë, si i mbështet kompania femrat në pozicionet drejtuese etj.
Lexoni më parë vlerësimet e punonjësve dhe shihni nëse feedback-u i tyre përputhet me vlerat tuaja.
Kërkoni shembuj specifikë
Shpesh njerëzit do të bëjnë pyetje të paqarta rreth kompanive ose ekipeve të cilëve dëshirojnë t’u bashkohen, si për shembull nëse kompania i promovon punonjësit e saj apo se sa i mbështet prindërit që punojnë në të. Ne ju këshillojmë të kërkoni shembuj specifikë nga persona që punojnë atje, të kontaktoni me ta në mënyrë që t’ju tregojnë përvojën e tyre për çështjet që ju shqetësojnë. Për shembull, nëse jeni të interesuar që të punoni nga shtëpia, ju mund të flisni me një punonjës që punon më shumë se 50 për qind të kohës nga shtëpia dhe se si është mbështetur gjatë muajve apo viteve që ka punuar për kompaninë në fjalë.
Bëni një kontroll në rrjetet sociale
Me përhapjen e rrjeteve sociale, shpesh është e mundur të identifikoni njerëz që punojnë në atë kompani në pozicione të ngjashme me atë që po kërkoni ju. Analizoni përshtypjet e tyre në rrjetet sociale ose kërkoni një komunikim me ta nëpërmjet një telefonate të shpejtë ose nëpërmjet email për informacione të mëtejshme rreth përvojës në fjalë.
Çdo kompani mund të përdorë referencën e disa punonjësve të lumtur në faqen e tyre në internet, por ju do të habiteni se sa të sinqertë do të jenë punonjësit e tanishëm dhe ata që kanë punuar më parë rreth përvojës së tyre.
Website-t për karrierën e punonjësve janë hapi i parë për të kuptuar se si është kultura e një kompanie, por nuk janë gjithnjë tregues se sa retorika e tyre përputhet me realitetin. Pra, në vend që të qëndroni në një punë që e urreni apo të filloni punë në një kompani pa e ditur shumë për të – tre hapat e mësipërm do t’ju ndihmojnë të gjeni një punë që iu përshtatet prioriteteve tuaja, stilit të jetës dhe pasionit tuaj për punën. Duke qenë se kalojmë pjesën më të madhe të kohës në punë, ia vlen mundimi të investoni për të gjetur një vend pune që t’ju ndihmojë që të mësoni dhe të rriteni.
*Katie Burke
Burimi: INC