Si të jemi më të lumtur në punë

11/09/2018 5:31 PM Comments Off on Si të jemi më të lumtur në punë
TEMA TE NGJASHME:

Sot është gjerësisht e pranuar që japim më të mirën në punë nëse jemi të lumtur.

Duket e thjeshtë, por lumturia shfaqet në shumë forma. Është po aq individuale sa ju dhe ndikohet ndjeshëm nga kultura që ju ka brumosur.

Lumturia është një gjendje mirëqenieje. Shpesh përdoret si sinonim i të ndierit pozitivisht, por ne e dimë se ka shumë emocione të tjera pozitive dhe diskrete. Për shembull, është krenaria, pasioni, interesi dhe gëzimi.

Në vendin e punës, ajo që e bën të lumtur çdo individ është e ndryshme. Dëshironi të jeni paqësor dhe i qetë në punë apo të keni stabilitet dhe siguri? Apo jeni një person që keni nevojë për gjëra të reja dhe kuriozitet të vazhdueshëm? A keni nevojë për diçka për të cilën të ndiheni mirë dhe i vlerësuar?

Por lumturia është më shumë se identifikimi i këtyre motivuesve që mund të ndryshojnë në momente të ndryshme. Kështu, përtej “çfarë më bën të lumtur” duhet t’i përgjigjemi edhe pyetjes se “kur jam i lumtur?” “Kur” lidhet me çfarë është duke ndodhur në jetën e njerëzve. Ata mund të jenë vërtet të lumtur në punë, por jo në shtëpi, apo të palumtur me jetën personale dhe të kënaqur në punë. Në përgjithësi, atëherë kur përvojat pozitive kapërcejnë emocionet negative, përcaktojnë kur jemi të lumtur.

Progresi drejt objektivave na bën të lumtur

Studimi tregon se janë të lumtur ata që janë duke bërë progres apo duke arritur objektiva të rëndësishme. Ne kemi objektiva në jetë, objektiva familjare, objektiva në punë dhe nëse jemi duke bërë progres në një prej tyre, atëherë zakonisht ne jemi të lumtur dhe nëse nuk jemi, kjo do të thotë se ne zakonisht nuk jemi të lumtur në atë sferë të jetës.

Kjo mund të përfaqësojë një sfidë për kompanitë. Çfarë i bën objektivat të rëndësishëm është angazhimi dhe që shërben një qëllimi më të madh. Megjithatë, kjo do të thotë që këto objektiva do të jenë më të vështirë për t’u realizuar apo për t’u arritur nga punonjësit. Kompanitë duhet të ekuilibrojnë në vazhdimësi punonjësit për t’u dhënë atyre mundësinë të bëjnë përparim të qëndrueshëm rreth objektivave ekzistues, duke i sfiduar me objektiva të rinj, që në fund të kontribuojnë në krijimin e kushteve të favorshme të lumturisë në punë.

Të kuptosh këtë mund t’ju rijapë kontrollin mbi lumturinë. Është e rëndësishme që ju të përcaktoni se si funksionon e gjithë kjo dhe t’i gëzoheni. Shijojeni këtë rrugëtim të mundimshëm me ulje-ngritje të udhëtimit tuaj, në vend që të jenë rezultatet ato që të përcaktojnë lumturinë për ju. Në thelb, gjithkush mund të jetë i lumtur. Në vend që t’i shihni periudhat e palumtura si diçka negative, konsiderojini si pjesë të procesit.

Si mund të ndihmojnë kompanitë në promovimin e lumturisë?

Sigurisht, jo gjithnjë do të ndihemi të lumtur, jo gjithnjë do të bëjmë përparim në jetë, ne po ashtu edhe do të dështojnë. Individët dhe kompanitë duhet të kuptojnë se një pjesë e madhe e lumturisë është rimëkëmbja. Të qenët i lumtur ka të bëjë edhe me sa shpejt ju mund të shëroheni e të rimëkëmbemi dhe t’i riktheheni një gjendje pozitive pas dështimit.

Por ka diçka që kompanitë mund të bëjnë. Në krijimin e hapësirave dhe aftësive për njerëzit që të rimarrin veten nga përvojat negative, ato nxisin një forcë punë më fleksibile dhe në fund, sipas një studimi, më të lumtur. Kompanitë me një kulturë mbështetëse, që kuptojnë se qeniet njerëzore kanë nevoja komplekse janë më të mira në krijimin e asaj hapësire dhe dhënien e mbështetjes.

Për shembull disa kompani, janë duke u dhënë besim punonjësve duke u dhënë fleksibilitetin e nevojshëm që ata ta marrin pushim atë ditë kur gjenden në vështirësi. Të tjera u besojnë punonjësve dhe drejtuesve që të ndihmojnë që t’i shndërrojnë këto përvoja negative të kolegëve të tyre në perspektiva pozitive dhe optimiste. Megjithatë shumë kompani dështojnë te procesi i rimëkëmbjes, edhe pse në thelb kërkojnë që njerëzit të jenë të lumtur, nuk duan të përballen me problemet.

Rreziku i kompanive që nuk e njohin palumturinë, si pjesë e pashmangshme e procesit, mund t’i shkatërrojë punonjësit.
Në hulumtimin mbi klimën e emocioneve në punë kam gjetur se ekipet me mjedise më të hapura dhe mbështetëse ndaj emocioneve autentike kanë qëndrueshmëri dhe kreativitet më të madh sepse punojnë për t’i kapërcyer përvojat negative dhe nuk i shmangnin, gjë që shpesh shkakton tensione.

Kini parasysh që këto rekomandime nuk janë për të këshilluar që kompanitë duhet të përpiqen të ndryshojnë jetën e njerëzve dhe ta shndërrojnë menaxhimin në këshillim; kjo kërkon njerëz të kualifikuar. Megjithatë, prej këtu ju mund të nisni të mbështesni përvojat e njerëzve në punë dhe të kuptoni se si po ecin në vazhdimësi. Nëse diçka shkon jo si duhet, mund të jetë një zgjidhje e thjeshtë apo një çështje sistematike, por nëse ju nuk e hetoni, nuk do ta dini. Është e nevojshme për drejtuesit që të kuptojnë motivuesit e ndryshëm dhe emocionet e punonjësve të tyre.

Të njohësh diversitetin e lumturisë

Aty ku jemi mund të ndikojmë në mënyrën se si e përkufizojmë lumturinë. Vende të ndryshme mund të kenë zakone të ndryshme për atë që presin njerëzit nga njëri-tjetri sa u përket emocioneve. Në SHBA, ajo që njerëzit e quajnë lumturi, shpesh lidhet me energjinë, emocionet pozitive si interesi, entuziazmi, pasioni dhe optimizmi. Ata që janë të qetë dhe të lumtur shpesh mund të konsiderohen edhe pak entuziastë. Në pjesë të tjera të botës, si në vendet europiane dhe pjesë të Azisë, njerëzit preferojnë më shumë gjendje të qeta dhe neutrale. Ndër të tjera si vlerat specifike të një vendi si ato të kompanisë mund të ndikojnë te lumturia e një individi.

Duke pasur parasysh dallime të tilla, këtu hyn në lojë një pyetje e rëndësishme mbi autenticitetin emocional; çfarë ndodh nëse jemi më të hapur dhe pranojnë ndryshimet e njerëzve në emocionet e tyre, në vend që t’i shmangnim njerëzit që nuk ndiejnë dhe nuk shprehin atë që preferohet në masë? Kërkimet në këtë fushë po tregojnë që kompanitë dhe punonjësit që adoptojnë një klimë emocionesh kaq autentike mund të rrisin angazhimin e individëve dhe duke u dhënë mundësinë atyre të jenë vetvetja se sa “dikush tjetër”.

Disa studiues të tjerë shkojnë deri aty sa të mbështesin që autenticiteti emocional është qasja më njerëzore dhe e drejtë në menaxhimin e emocioneve në vendin e punës, veçanërisht nëse krahasohet me kultura të tjera që u kërkojnë punonjëse që të jenë të lumtur dhe optimist dhe ta shmangin fshehjen e emocioneve negative.

Në vend që të përpiqemi të socializojmë lumturinë e njerëzve me kompaninë, mund të kemi kompani më të hapura formave unike të individëve, talenteve, të personaliteve dhe të asaj që na bën të lumtur. Kjo është sigurisht një sfidë, pasi kjo do të thotë më shumë diferenca gjë që është më e vështirë për t’u menaxhuar. Por do të thotë po ashtu një angazhim më i madh dhe kreativitet dhe këto elemente në vendin e punës do të na drejtojnë kah e ardhmja.

 

*Michael Parke, asistent profesor në Organisational Behaviour, London Business School
Artikulli është publikuar në bashkëpunim me London Business School Review.
Burimi: World Economic Forum.

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komentet janë të mbyllura