Nëse jeni në kërkim të një pune të re, një prej gjërave më të rëndësishme së cilës duhet t’i kushtoni kujdes është CV-ja juaj.
Për shumë drejtues është e pamundur që të arrijnë t’i lexojnë të gjitha CV-të që kanë mbi tavolinë apo të gjitha ato që i mbushin inbox-in e email-it. Fatkeqësisht mund të ndodhë dhe ka ndodhur që disa kandidatë shumë të mirë të skualifikohen vetëm si pasojë e një apo dy gabimeve që janë pjesë e CV-së së tyre.
Më poshtë do të lexoni 6 këshilla në mënyrë të tillë që të jeni të sigurt se CV-ja juaj do të lexohet me patjetër:
1. Dizajni i CV-së ka rëndësinë e vet
Në përgjithësi kur njerëzve u kërkohet që të shkruajnë CV-në e tyre, pjesa më e madhe mendon vetëm si e si të mbushë sa më shumë faqe me tekst, duke harruar se ky është një prej gabimeve më të mëdha që ata bëjnë. Në mënyrë të tillë që ta diferenconi veten nga aplikantët e tjerë ju duhet t’i kushtoni fillimisht rëndësi të veçantë dizajnit të CV-së suaj, në mënyrë që ajo të tërheqë menjëherë vëmendjen. Një gjë e tillë mund të arrihet:
- duke përdorur lloje shkrimi të cilat të jenë lehtësisht të lexueshme;
- llojet e shkrimet dhe madhësia e tij duhet të ndryshojnë nga titujt tek përmbajtja;
- vendosni një foto sa më serioze;
- në informacionin që do vendosni në CV, përdorni ikona të cilat të tërheqin menjëherë vëmendjen.
2. Bëni kujdes ndaj përdorimit të fjalëve kyçe
Fjalët kyçe janë një aspekt i rëndësishëm i rezymesë por që fatkeqësisht anashkalohen nga pjesa më e madhe e aplikantëve. Pjesa më e madhe e kompanive, të cilat merren me skanimin e CV-ve të shumë aplikantëve përdorin fjalë kyçe gjatë këtij procesi. Prandaj këshillohet që ju të përfitoni nga këto algoritme, duke e organizuar CV-në tuaj në atë mënyrë që gjatë kërkimit CV-ja juaj të jetë një ndër ato që përputhet me fjalët kyçe të zgjedhura nga kompania. Për të qenë të sigurt se kjo do të ndodhë ju duhet të studioni përshkrimin e punës për të cilin po aplikoni dhe faqen online të kompanisë. TagCrowd dhe Wordle janë dy sisteme që do t’ju ndihmojnë për të nxjerrë fjalët kyçe nga përmbajtja.
3. Përpiquni të jeni sa më të saktë
Përdorimi i hiperbolave apo i fjalive të cilat nuk kanë mbarim, janë disa prej elementëve që mërzisin pjesën më të madhe të menaxherëve. CV-ja juaj duhet të jetë e mbushur vetëm me arsimin tuaj, me përvojat dhe me aftësitë tuaja. Hiqni çdo fjalë apo fjali të tepërt dhe përdorni çdo hapësirë të formatit të CV-së në mënyrë sa më të saktë.
4. Lehtësisht e lexueshme
Një vend i lirë pune mund të marrë qindra aplikime. Pasi CV-ja juaj të skanohet nga sistemi, kur ajo të shkojnë në dorën e burimeve njerëzore, të jeni të sigurt se ata nuk do të harxhojnë më shumë se 6 sekonda për ta lexuar atë. Prandaj ju duhet të përpiqeni që ta bëni CV-në tuaj lehtësisht të lexueshme. Kjo mund të arrihet duke i ndarë në paragrafë, ato pjesë të CV-së ku keni shumë informacion për të shkruar apo t’i vendosni ato si fjali të ndara nga njëra-tjera me ‘bullet points’.
5. Sa më pak faqe
Duke marrë në konsideratë numrin e madh të aplikantëve që mund të ketë një vend i lirë pune, koha që mund të kenë burimet njerëzore është padyshim shumë e shkurtër (jo më shumë se 6 sekonda). Prandaj idealja do të ishte që ju të përmblidhnit të gjithë informacionin tuaj në sa më pak faqe, idealja do të ishin 2.
6. Kërkoni ndihmë
Mos kini turp të kërkoni për ndihmë profesionale. Qendrat e ndryshme të zhvillimit të karrierës e kanë shndërruar shkrimin dhe plotësimin e CV-së në një art të vërtetë, dhe mund të jetë pikërisht ndihma e tyre ajo që ju mund të keni nevojë për të pasur një prej CV-ve ideale.