Fëmijët janë viktimat e para të rreziqeve në internet. Si t’i mbrojmë? Më poshtë janë disa aplikacione që ju vijnë në ndihmë se si t’i mbroni fëmijët tuaj.
Aplikacionet më të mira
Interneti është një vend që fsheh shumë rreziqe. Mbi të gjitha për më të vegjlit. Dhe përdorimi më i gjerë i tablet-ëve dhe smartphone-ve edhe nga fëmijët, ka rritur rreziqet. Këto rreziqe, në disa raste janë të fshehura në përmbajtje në dukje të padëmshme.
Detyra e prindërve është që t’u qëndrojnë pranë fëmijëve, veçanërisht atyre më të vegjël, kur lundrojnë në internet dhe t’u flasin për kërcënimet që vijnë nga web-i. Po ashtu, është e rëndësishme të jenë në dijeni të të gjithë instrumenteve që mund të përdorin për të mbrojtur fëmijët e tyre.
Më të famshëm janë ata të pranishëm në browser që lejojnë të vini filtra mbrojtjeje. Dhe jo vetëm. Google, për shembull, me aplikacionin Family Link, u lejon prindërve të kontrollojnë pajisjen e fëmijëve edhe nga një kompjuter tjetër. Ju mund të zgjidhni aplikacionet që fëmija juaj mund të shkarkojë, të shikoni se për sa kohë e ka përdorur pajisjen dhe ta bllokoni smartphone-n në distancë.
Aplikacionet e dobishme për të kontrolluar fëmijët
Një ndihmë tjetër vjen edhe nga bota e aplikacioneve. Për shumë prindër, një ndër shqetësimet kryesore është të dinë se ku janë fëmijët e tyre. Android dhe Apple kanë vënë në dispozicion aplikacione të shumta. Një ndër më të famshmet dhe efikaset, sipas mendimit të disa ekspertëve, është ai i prodhuar nga Kaspersky, kompania e famshme mbi të gjitha për antivirusin e saj.
Kaspersky SafeKids, përveçse bllokon lundrimin në faqe interneti jo të përshtatshme për fëmijët dhe shkarkimin e aplikacioneve që prindërit i konsiderojnë jo të përshtatshme për fëmijët e tyre, ju lejon që të dini në kohë reale edhe vendndodhjen e tyre.
Një tjetër aplikacion i dobishëm për të mbrojtur më të vegjlit është Norton Family Parental Control, që ju lejon të mbani në vëzhgim aktivitetin e fëmijëve në largësi dhe të vendosni disa limite.
Bitdefender Parental Contol është një aplikacion i zhvilluar nga një kompani për sigurinë kibernetike. Ai ndalon aksesin e fëmijës në disa aplikacione në tablet-in/smartphone-n e prindit.
Po ashtu është e mundur të bllokohet edhe shkarkimi i disa aplikacioneve me pagesë, të çaktivizoni thirrjet dhe sinjalin wireless. Aplikacione të tjera janë SecureTeen Parental Control dhe Screen Time. Ky i fundit ju lejon të përcaktoni se për ca kohë fëmijët mund të përdorin një aplikacion, të bllokoni një aplikacion apo të lejoni përdorimin e pajisjes për një kohë të caktuar.