Negociata mbi pagën, sidomos herën e parë dhe mbi të gjitha nëse jeni në një punë me kohë të plotë, është një situatë në të cilën duhet të tregoheni të kujdesshëm, sepse risku që merrni përsipër është shumë i madh.
Kur ju jeni në fazën që do të firmosni kontratën tuaj të parë, ju jeni aq të lehtësuar dhe të kënaqur sa negociatat në lidhje me pagën as nuk ju kalojnë fare nëpër mend. Por nuk duhet të ndodhë kështu. Edhe pse ju jeni në punën tuaj të parë, kjo nuk do të thotë që ju të paguheni më pak se sa e meritoni. Për t’ju ardhur në ndihmë, ne ju japim disa këshilla sesi të veproni në mënyrën e duhur, nëse vendosni të negocioni në lidhje me rritjen e pagës:
1.Përdorni të dhënat e disponueshme online
Ju mund të keni shumë burime në dispozicion, të cilat ju vijnë në ndihmë dhe prandaj duhet t’i përdorni sa më shumë të jetë e mundur. Kur nisni të bëni një kërkim këshillohet të jeni specifikë në atë çfarë kërkoni. Në vend që të kërkoni sa fiton në përgjithësi një person në pozicionin tuaj, ju duhet të kërkoni sa paguhen personat që kanë të njëjtin profesion me ju, por në vendin tuaj, sepse në vende të ndryshme për të njëjtin pozicion pune, njerëzit paguhen me nivele të ndryshme.
Përdorni të dhënat e disponueshme online për të kuptuar sesa sa është pagesa që një person me profesionin tuaj dhe në pozicionin ku ju punoni aktualisht paguhet. Nëse ju fitoni 45,000 dollarë mos e çoni kurrë menjëherë negociatën në një vlerë 60,000 dollarë, sepse rritja në një nivel të tillë duket shumë e lartë për punëdhënësin. Në vend të kësaj ju mund t’i rendisni të gjitha arsyet që mendoni se pse juve ju duhet rritur paga dhe në vend që të kërkoni që paga juaj të shkojë në 60,000 këshillohet që më mirë t’i thoni që kërkoni një rritje page mujore dhe jo vjetore, sepse shifrat do të jenë më të ulëta dhe mundësia për aprovim do të jetë më e madhe.
2.Nuk është fundi i botës edhe nëse largoheni nga kjo punë ku jeni
Një prej mënyrave më të mira për të përfituar një punë me pagesë më të lartë është padyshim, ndryshimi i punës në të cilën jeni dhe kërkimi për një punë më të mirë. Mos bëni gabimin që shumë veta e bëjnë, që si pasojë e të pasurit të një vendi pune fiks ata e ndalojnë kërkimin për të gjetur një punë më të mirë. Shikojeni punën tuaj të parë si mundësinë që ju dha për të mësuar sa më shumë, por mos harroni që ju mund të gjeni shumë më mirë sesa kaq dhe nëse jeni të sigurt që “rritje rroge” nuk do të ketë në këtë kompani që jeni, atëherë është momenti i duhur për t’u larguar.
3.Duhet të arsyetoni sa më mirë që ju e meritoni këtë rritje page
Të gjithë të sapodiplomuarit duhet të kenë parasysh që askush nuk do t’ia japë karrierën për të cilën ata ëndërrojnë në një pjatë flori, por përkundrazi. Përveç shkollimit dhe arsimimit, ata duhet të përpiqen në maksimum që të marrin sa më shumë nga një pozicion pune dhe të etiketohen si të rinjtë e etur për të mësuar, gjë kjo që jua rrit mundësitë për të kërkuar me bindje një rritje rroge, por gjithmonë pas vlerësimeve pozitive që mund të keni marrë gjatë ecurisë suaj të punës.
4.Jini sa më të saktë dhe të qartë në idetë tuaja
Ju nuk mund të shkoni të kërkoni për një rritje rroge, duke mos ditur se çfarë doni. Ju duhet të jeni të saktë në atë që kërkoni, në mënyrë të tillë që kërkesa juaj të merret seriozisht. Mendoni fillimisht çfarë keni të nevojshme, çfarë do të donit dhe çfarë do të ishte fantastike nëse realizohej, prandaj tregohuni sa më realistë.
5.Mos u nxitoni
Edhe nëse ju jeni të sigurt se në një kompani tjetër, një person në pozicionin tuaj paguhet më shumë, ne ju këshillojmë që të mos tregoheni të nxituar dhe të shkoni të kërkoni menjëherë për rritje rroge me arsyen e mësipërme. Tregohuni të zgjuar, sepse është e rëndësishme që të kuptoni se pozicioni i punës në të cilin jeni (edhe pse me pagë më të ulët) mund të jetë shkalla momentale e karrierës suaj, por të cilën ju mund të kapërceni duke kaluar në një nivel më të lartë. Prandaj tregohuni të zgjuar dhe mos u nxitoni.