Nga Holti Banka[1]
Linda Shomo[2]
Shqipëria është ende në hapat e para të kalimit nga pagesa Cash në pagesat elektronike. Ekziston një shumëllojshmëri instrumentesh për pagesat elektronike, ku ndër më kryesoret përmendim:
-Pagesa e bazuar në karta (p.sh. karta debiti / krediti / karta e parapaguar)
-Pagesa nëpërmjet telefonit (p.sh. pagesat e bëra përmes celularëve)
-Pagesa nëpërmjet internetit (p.sh. me pagesa me Ebanking).
Në një kohë kur tregu gjithnjë e më tepër po pranon pagesat elektronike, institucionet financiare po promovojnë fuqishëm kartat dhe pagesat me celularë janë duke u bërë një realitet në vend, mund të themi se ekzistojnë kushtet e duhura për të pasur një diskutim kuptimplotë se si të ecim vrullshëm dhe si të rrisim numrin e pagesave elektronike në Shqipëri.
Siç tregohet edhe në grafikët e mëposhtëm, gjatë dhjetë viteve të fundit ka pasur progres në aspektin e numrit të kartave të debitit dhe të kreditit të lëshuara në Shqipëri. Megjithatë, të dhënat tregojnë se norma e rritjes për POS (e-payment terminals), ka qenë e moderuar për Shqipërinë, duke treguar se pagesat elektronike në dyqane lënë akoma për të dëshiruar (shih grafikun 1). Problemi këtu qëndron se rritja e numrit të kartave të lëshuara nuk përkthehet domosdoshmërisht në rritje të numrit të përdoruesve të kartave.
Në lidhje me pagesat elektronike për Shqipërinë, studimet tregojnë se ka ende shumë për të bërë në mënyrë që të kemi një mbulim më të gjerë. Në një kornizë krahasuese, sipas treguesve të caktuar, vërejmë se të gjitha vendet fqinje të Ballkanit janë duke përparuar më shpejt se Shqipëria në lidhje me pagesat elektronike (shih grafikun 2).
Në procesin e eksplorimit të skemave promovuese dhe të propozimit të mënyrave që mund të lehtësojnë pagesat elektronike në Shqipëri, fokusi duhet të jetë mbi konsumatorët dhe tregtarët si aktorët kryesorë që duhen stimuluar në këtë sektor. Kjo është arsyeja pse ky artikull i shqyrton stimujt nga këto dy këndvështrime, të konsumatorëve dhe tregtarëve, duke sugjeruar se institucionet financiare dhe qeveritare në Shqipëri do të jenë aktorët e fuqishëm në sfond, të cilët do sigurojnë këta stimuj dhe do të çojnë përpara procesin e kalimit drejt pagesave elektronike.
Konsumatorët
Po të marrim anën e bizneseve apo anën e qeverisë, eficenca e kostove mund të jetë nxitësi kryesor i zgjedhjes së mjetit të pagesës, ndërkohë që në rastin e konsumatorëve ka më shumë faktorë të përfshirë.
-Njohuritë Financiare: Studimet kanë treguar se karakteristika të tilla si: të ardhurat, arsimi dhe vendbanimi (urbane vs rurale), mes të tjerash, ndikojnë në zgjedhjen e mjeteve të pagesave në rastin e konsumatorëve. Ky vëzhgim është konfirmuar edhe nga një anketim i kryer dhe publikuar kohët e fundit nga Banka e Shqipërisë, e cila ka anketuar 200 individë në hyrje të bankave në qytetet e Tiranës dhe Durrësit, me qëllim mbledhjen e informacionit socio-demografik dhe pikëpamjeve në lidhje me mjetet për pagesat elektronike. Sondazhi tregon se njerëzit të cilët janë më të arsimuar, kanë tendencë të kenë më shumë njohuri në lidhje me mjetet për pagesat elektronike dhe t’i përdorin ato më shpesh. Ndërsa karakteristika të tilla si të ardhurat dhe vendbanimi, të cilat ndikojnë në zgjedhjen e mjeteve të pagesave, nuk mund të jenë tërësisht të kontrolluara, njohuritë financiare dhe edukimi financiar janë gjëra që mund të ofrohen për shqiptarët, në një mënyrë që ata të familjarizohen me pagesat elektronike dhe mënyrën se si ato funksionojnë. Një ide e mirë do të ishte dhe organizimi i workshop-eve dhe seminareve që mund të implementohen në programin mësimor të shkollave fillore apo dhe të mesme të sistemit arsimor shqiptar.
-Informacioni Mediatik: Së bashku me njohuritë financiare, informacioni i shpërndarë nga fushatat mediatike për pagesat elektronike mund të jetë mjaft i fuqishëm për zbulimin e të vërtetave mbi to. Në përgjithësi, spotet më të shpeshta komerciale në TV/radio dhe gazeta, të sponsorizuara nga institucionet financiare dhe agjencitë qeveritare përkatëse, janë të nevojshme në mënyrë që të paktën të qartësojnë çështjet themelore të sigurisë dhe të kostos për konsumatorët. Në një vend të vogël si Shqipëria, fuqia e mediave në sigurimin e informacionit në lidhje me pagesat elektronike ka ndikim shumë të madh. Fushata të tilla nuk mund të jenë vetëm të një natyre promovuese, por më tepër të një natyre informuese, duke e lejuar që vetë konsumatori të krahasojë dhe të përdorë gjykimin e tij në zgjedhjen e mjeteve të pagesave, gjithmonë kjo nëse informacioni është i disponueshëm.
-Shpërblime (Rewards): Një nxitje eksplicite që mund të ndikojë konsumatorët që të përdorin më shumë pagesat elektronike në Shqipëri duhet të jetë patjetër i një natyre monetare. Në mënyrë të veçantë, një klient duhet të jetë në gjendje të marrë pjesë në programet e besnikërisë ndaj klientit (Loyalty programs) dhe të grumbullojë pikë për çdo pagesë me kartë apo me celular që ai kryen, të cilat më vonë duhet të konvertohen patjetër në mallra ose mjete monetare. Fakti që ekzistojnë tashmë kompani në vend që kanë mundësuar skemat e shpërblimit të tilla për disa biznese është një shenjë pozitive.
-Kartat e Dhuratave (GiftCards): Midis të tjerash, konsumatorët shqiptarë kanë nevojë për të fituar akses në një gamë të gjerë të mjeteve të pagesave elektronike, në mënyrë që të zgjedhin mes tyre. Në mënyrë të veçantë, futja e kartave të dhuratave, e cila është një nënkategori e kartave me parapagesë, mund të funksionojë edhe në mjedisin financiar shqiptar. Kartat e dhuratave jo vetëm minimizojnë përdorimin e parave fizike, por ato gjithashtu i krijojnë mundësinë gjithkujt për t’i marrë ato, pa pasur një llogari bankare. Për më tepër, ata ofrojnë një mënyrë të kontrolluar për të rriturit, të cilët kanë mundësinë për të ofruar dhurata për grupmosha të ndjeshme të tilla si fëmijët dhe adoleshentët, pa i dhënë të holla, pasi të hollat mund edhe të përdoren për qëllime të padëshiruara.
-Tatimet Online: Aftësia për të mundësuar shtetasit shqiptarë për të paguar taksat në internet do të përbënte një hap të madh përpara dhe një nxitje të rëndësishme për përdorimin e gjerë të pagesave elektronike. Kohët e fundit, qeveria shqiptare njoftoi nisjen e një platforme online që do t’iu bëjë të mundur qytetarëve të paguajnë taksat e tyre me anë të internetit dhe me anë të aplikacioneve në celular. Edhe pse kjo është një shenjë pozitive, zbatimi i saj i plotë dhe potenciali mbetet për t’u parë. Sipas një studimi nga “Visa Inc”, vende të tilla si Bullgaria, Rumania dhe Greqia kanë kohë që kanë filluar zbatimin e kësaj strategjie, dhe gradualisht do të mandatojnë që taksat të dorëzohen vetëm online. Qeveria shqiptare ka kapacitetin teknologjik për të ofruar një platformë të ngjashme, në tri forma të ndryshme: nëpërmjet bankave me Ebanking, nëpërmjet pagesave mobile ose pagesat me kartë debiti/krediti online në internet ose nëpërmjet POS tek zyrat e tatimeve. Kjo strategji është gjithashtu e favorshme dhe për vetë qeverinë, për vetë faktin se ajo mund të minimizojë rrezikun e abuzimeve me të ardhurat tatimore, të cilat ndodhin kur pagesat bëhen me cash.
Tregtarët/Bizneset
Tregtarët përbëjnë këndin e dytë përmes të cilit ky artikull hulumton stimuj dhe skema për përhapjen e pagesave elektronike në Shqipëri. Në të vërtetë, në qoftë se tregtarët nuk janë pjesë e procesit të kalimit drejt pagesave elektronike, atëherë kalimi kurrë nuk do të ndodhë, për shkak se ata luajnë rol të pazëvendësueshëm në këtë proces. Ashtu si konsumatorët, edhe tregtarët, duhet të jenë të bindur dhe t’ju ofrohen stimujt e duhur që do t’i shtyjnë ata drejt pranimit dhe adoptimit të infrastrukturës dhe mjeteve të pagesave elektronike.
-Subvencione, Oferta dhe Lehtësime: Skemat stimuluese mund të frymëzohen nga nismat e tjera të suksesshme si ajo në Meksikë, ku institucionet financiare iu ofruan tregtarëve një tarifë fillestare fikse mujore prej 8$ për transaksion deri në 4,000 $. Kjo praktikë rriti masivisht numrin e tregtarëve (një rritje prej 196% për periudhën 2003-2006), të cilët instaluan platformat për pagesat elektronike në dyqanet e tyre. Një shembull tjetër është dhe nisma që ndërmori qeveria e Koresë së Jugut e cila zbatoi programe të ndryshme dhe mbështetje tatimore për tregtarët që pranojnë pagesat elektronike në dyqanet e tyre. Në mënyrë të veçantë, bizneset në Korenë e Jugut mund të marrin një rimbursim TVSH-je në masën 1% deri në 1.5% (deri në shuma rimbursimi 5.000$ në vit) në rastet kur tregtari justifikon me dokumente pagesat online për t’i lehtësuar ata prej barrës së kostove të lidhura me pagesat elektronike. Koncepte të ngjashme mund t’i përshtaten dhe mjedisit financiar të Shqipërisë, por duhet që më parë të merren në konsideratë nga aktorët relevantë në vend. Si fillim, mund të hartohet një program pilot ku qeveria dhe institucionet financiare në Shqipëri të ofrojnë stimuj në lidhje me taksat dhe çmimet vetëm në dyqane të veçanta; në ato dyqane ku klientela ka më shumë gjasa të përdorë mjetet e pagesave elektronike.
-Përfitimet e Pranimit të Pagesave Elektronike për Tregtarët: Si në rastin e konsumatorëve, ka edhe tregtarë të cilët nuk janë të mirinformuar në lidhje me përfitimet nga përdorimi i pagesave elektronike. Shumica e tregtarëve përqendrohen vetëm në koston eksplicite të tarifave bankare që ata paguajnë, e cila bën që pranimi i kartës të duket më i shtrenjtë se pranimi i parasë në Cash. Në këtë mënyrë, ata anashkalojnë përfitimet që iu vijnë nga përdorimi i pagesave elektronike, ose anasjelltas, të anashkalojnë kostot implicite dhe eksplicite që iu vjen nga pranimi i pagesave Cash. Po të analizohet me kujdes kostoja e pranimit të pagesave me para në dorë, aty përfshihen disa elemente me kosto të lartë si p.sh. marrja e parasë cash nga klienti (likuiditeti), kostoja e mbledhjes së parasë deri në vendin e duhur, siguria, etj.
-Lehtësira për Tregtarët Vendas që të Veprojnë Online: Kohët e fundit, dy prej bankave në vend janë licencuar me licencën e E-commerce. Bankat e tjera priten për t’u pajisur me licenca të ngjashme në të ardhmen e afërt. Meqenëse tregtia elektronike është akoma në fazën fillestare në Shqipëri, si e tillë ligji mbi tregtinë elektronike duhet rishikuar në mënyrë që të reflektojë realitetin e ri global dhe të përshpejtojnë procesin e rritjes për këtë sektor. Nëse në Shqipëri do kishte më shumë dyqane online nga tregtarët vendas, automatikisht do të rritej numri i blerësve online, po kështu edhe përdorimi i kartave të debitit/kreditit, duke pasur parasysh se ata përbëjnë motorin e vetëm për transaksionet online.
-Përjashtimi i Transaksioneve në cash me Vlerë të Lartë në Dyqane: Kohët e fundit, Ministria e Financave në Greqi vendosi të ulë tavanin e transaksioneve në cash në 500 euro (nga 1.500 euro ishte), duke lënë gjithashtu të hapur mundësinë për të reduktuar edhe më tej gjatë 2013-s. Kjo dispozitë rregullatore do të detyrojë bizneset të pranojnë pagesat me karta. Ndërkohë ekziston një dispozitë e ngjashme në legjislaturën shqiptare në të cilën kufiri ekzistues i pagesave jashtë banke është mjaft e lartë, rreth 2,800 $ (300000 leke) dhe si i tillë, aplikohet rrallë për bizneset e vogla dhe të mesme. Prandaj, rishikimi i mundësisë për të ulur këtë tavan në kontekstin shqiptar mund të jetë një hap tjetër përpara për pagesat elektronike.
Përfundim
Në përgjithësi, mesazhi kryesor i këtij artikulli, mund të përmblidhet si më poshtë: për aq kohë sa strategjia e “karotës dhe shkopit” do përdoret dhe në kontekstin shqiptar, që do të thotë që ndërkohë që aplikohen informim dhe stimuj, të kombinuara me dispozitat ligjore zbatimin e tyre, konsumatorët dhe tregtarët më në fund do të shohin përfitimet dhe do të pajtohen me idenë e përdorimit rregullisht të pagesave elektronike në bazë të gjerë.
[1] Holti Banka ([email protected]) është kandidat për PhD në Universitetin e Maryland (U.S.A.) i specializuar në zhvillimet internacionale dhe sistemet e pagesave
[2] Linda Shomo është CEO e EasyPay, Albania, dhe një anëtare bordi e ACN (Albanian Consulting Network).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.