Si të shkruajmë një letër interesi

17/06/2013 09:58 0 komente
CV 3_opt

Në ditët e sotme është bërë e zakonshme që së bashku me CV-në të dërgohet dhe një “letër interesi” në të cilën shprehen qartë arsyet që ju shtyjnë të aplikoni për një vend të caktuar pune.

Letrës së interesit duhet t’i kushtoni po të njëjtën rëndësi sikundër keni bërë edhe me CV-në tuaj, sepse në të shumtën e rasteve punëdhënësit e lexojnë më parë atë. Nuk ka rëndësi nëse aplikimi juaj bëhet me anë të email-it apo postës, rëndësi ka që t’u kushtoni të dyjave kohën e duhur në përgatitje.

Në fillim është e rëndësishme që t’i drejtoheni në mënyrë të drejtpërdrejtë atij që do të jetë lexuesi i saj (në këtë rast punëdhënësit). Nëse ia dini emrin, vendoseni në fillim “I nderuar Zoti X” në vend që të thoni “ I/E nderuar Zotëri/Zonjë” sepse kjo mund të tregojë që ju nuk dini asgjë për kompaninë ku po aplikoni dhe asgjë rreth personit që po i drejtoheni. Pra nëse shpreheni në mënyrë të përgjithshme dhe të papërcaktuar do të thotë se ju nuk po i drejtoheni dikujt, gjë e cila rri në mendjen e drejtuesit gjatë gjithë kohës së leximit të letrës tuaj të interesit. Fjalia e parë duhet të tregojë qartë arsyen pse ju po aplikoni për atë vend pune, duke mos harruar të përmendni edhe emrin e punës për të cilin po aplikoni. Punëdhënësit zakonisht kanë shumë vende vakante, në të njëjtën kohë dhe mund të ngatërrohen, duke mos qenë të sigurt se cili kandidat po aplikon për cilën punë. Shkruani numrin e referencës nëse ju thuhet që ta përfshini në mënyrë që ta bëni më të lehtë punën e tyre.

Duhet të cilësoni qartë aftësitë që keni për të kryer punën ashtu siç duhet, por mos kaloni në ekstrem, duke bërë një autobiografi sepse këto gjëra shkruhen në CV. Fokusohuni në pikat se si ju do jeni në gjendje të përmbushni nevojat e punëdhënësit tuaj, kështu që mundohuni t’u shmangeni pikave që trajtojnë rëndësinë tuaj personale.

Trajtoni pikat kyçe ose rolet kryesore që punëdhënësi kërkon të kryhen nga aplikanti në pozicionin e punës që është vakant dhe mundohuni të jepni shembuj se përse jeni personi që ata po kërkojnë. Për shembull: “Eksperienca ime në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore dhe njohuritë përkatëse do të më ndihmojnë që të përzgjedh njerëz të kualifikuar, në mënyrë që të rrisim rendimentin dhe efikasitetin e biznesit tuaj”. Ky mund të kthehet edhe në objektiv për ju nëse arrini t’i afroheni atij vendi pune.

Kujdes me gjatësinë e “letrës së interesit”!

Në dy paragrafë të shkurtër ju keni shumë hapësirë për të “shitur veten”. Çdo fjali e juaja duhet të godasë në shenjë. Duhet ta dini se lexuesi është një njeri që nuk ka shumë kohë të lexojë një letër të gjatë, prandaj e vetmja mënyrë për ta tërhequr atë ta lexojë deri në fund është ajo e të qenët konciz dhe imponues në të shkruar.

Ju mund të përfshini diçka që ta adresojë lexuesin te CV-ja tuaj duke shkruar fjali të tilla,

si: “Nëse doni të shikoni se si unë do të mund ta çoj marketingun e kompanisë suaj në një nivel tjetër, hidhini një sy CV-së time për të parë të gjitha arritjet që kam pasur gjatë kohës që isha me kompaninë X”. Kjo e adreson punëdhënësin tuaj në atë pjesë të CV-së që ju mendoni se do ta bindë që t’iu ofrojë vendin e punës për të cilin ju keni aplikuar.

Përfshini mënyrën tuaj të kontaktit, që punëdhënësi të mund t’ju kontaktojë nëse ju jeni në interes të tyre. Ky informacion është edhe në CV-në tuaj, por nuk ka asgjë të keqe nëse e shkruani dy herë.

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.