Të gjithëve mund t’ju ketë ndodhur që për shkak të një shpërqendrimi të vogël në pak çaste, telefoni t’ju është zhdukur nga çanta apo nga xhepat.
Por për këtë, teknologjia ju vjen në ndihmë dhe ju lejon të zbuloni se kush jua ka vjedhur celularin, falë disa aplikacioneve të menduara pikërisht për këtë qëllim për të zbuluar hajdutin.
Third Eye
Është një aplikacion shumë i thjeshtë dhe në të njëjtën kohë efikas. Third Eye ju lejon të zbuloni se kush po e përdor smartphone-n tuaj pa lejen tuaj. Sapo personi që jua ka marrë do të përpiqet të vendosë PIN apo të zhbllokojë pajisjen, aplikacioni do të shkrepë një foto nëpërmjet kamerës ballore dhe do t’ju lejojë të zbuloni se kush po jua përdor telefonin. Problemi i vetëm është se fotot ruhen në memorien e telefonit tuaj dhe nuk mund të ndahen në account-in cloud.
Crook Catcher
Krahasuar me Third Eye, Crook Catcher është më i dobishëm për të gjetur telefonin tuaj. Mënyra e përdorimit është pak a shumë e njëjta, por Crook Catcher ofron disa funksione më shumë. Për shembull, nëse një i panjohur do të përpiqet të zhbllokojë smartphone-n tuaj duke përdorur PIN apo sensorin e gjurmëve dixhitale, do të shkrepet një foto e cila do t’i dërgohet menjëherë zotëruesit të telefonit nëpërmjet email-it. Aplikacioni është shumë i dobishëm edhe për të lokalizuar telefonin tuaj. Email-i po ashtu do të përmbajë edhe koordinatat e telefonit. Nëse dikush ju ka vjedhur smartphone-n, Crook Catcher do t’ju ndihmojë për ta gjetur atë.
Lockwatch
Lockwatch është një aplikacion shumë i ngjashëm me Third Eye dhe Crook Catcher. Në versionin gratis, Lockwatch ofron të njëjtat funksione me Crook Catcher dhe është një ndihmës i mirë për të gjetur smartphone-n e vjedhur. Nëse hajduti do të përpiqet të zhbllokojë pajisjen duke futur PIN-in, fotokamera do të shkrepë një foto të cilën do t’ia dërgojë poseduesit të telefonit në email, duke përfshirë edhe koordinatat gjeografike. Aplikacioni funksionon edhe offline. Nëse dikush do të përpiqet të zhbllokojë telefonin, do t’i dërgohet një mesazh mikut tuaj më të ngushë me koordinatat e pajisjes. Në versionin me pagesë janë të disponueshme edhe funksione të tjera: ju do të njoftoheni edhe kur do të ndryshohet karta SIM.
Android Device Manager
Nëse po pyesni veten se si mund të lokalizoni një telefon të vjedhur Android, një ndër aplikacionet më të mira është Android Device Manager, e krijuar nga kompania Google. Nëpërmjet këtij aplikacioni është e mundur të lokalizoni smartphone-n dhe të shpëtoni të dhënat tuaja personale. Në rast se nuk arrini ta lokalizoni telefonin, ju mund ta bllokoni atë dhe të fshini të gjitha të dhënat që gjenden në memorie.