Në vitin 2009, Pakti Global i Punës, miratuar nga Konferenca Ndërkombëtare e Punës, për përgjigje me punë të denjë ndaj krizës, u bëri thirrje qeverive të konsiderojnë mundësi të tilla, si paga minimale, që kontribuojnë në uljen e varfërisë dhe pabarazisë, në rritjen e kërkesës dhe stabilitetit ekonomik). Pakti Global i Punës përmend se Konventa e ILO-s për përcaktimin e pagës minimale e vitit 1970 (Nr. 131) ofronte udhëzime në këtë drejtim.
Në studim thuhet se shumica e vendeve të Europës Juglindore kanë një pagë minimale të përcaktuar me ligj.
Në Shqipëri, paga minimale pas konsultimit në Këshillin Kombëtar të Punës, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave në nivel kombëtar dhe është e detyrueshme si për sektorin privat, ashtu dhe për atë publik.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, paga minimale u përcaktua në vitin 2005 me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive, si një përqindje e lartë e pagës mesatare (50%).
Në vitin 1989, pak para ndryshimit të regjimit, Hungaria miratoi me ligj pagën minimale. Nga viti 1992 deri në vitin 2011 (me një ndërprerje katërvjeçare), paga minimale negociohej çdo vit në Këshillin trepalësh të Interesave Kombëtare të Pajtimit dhe ligjërisht, ishte detyruese për gjithë ekonominë. Në korrik të vitit 2006, Hungaria ndërmori një reformë origjinale ku paga minimale diferencohej në bazë të kërkesave të kualifikimit dhe përvojës në punë. Diferencimi, si pasojë e përvojës në punë, u hoq
më 1 janar të vitit 2009.
Në Serbi, paga minimale negociohet midis qeverisë dhe organizatave përfaqësuese të punëmarrësve dhe punëdhënësve. Që nga viti 2005, ajo përcaktohet si një shumë neto për orë dhe shprehet dhe në ekuivalentë mujorë dhe vlerë bruto, sipas vendimit të marrë dy herë në vit nga Këshilli Trepalësh Ekonomiko-Social. Sidoqoftë, nëse nuk arrihet marrëveshje në lidhje me shumën, është qeveria ajo që merr vendimin përfundimtar në lidhje me të. Paga minimale, në përgjithësi, është e ulët, nën 40% të pagës mesatare.
Bullgaria bëri përcaktimin e pagës minimale në vitin 1997. Qëllimi ishte të realizohej lidhja midis pagës reale minimale me zhvillimin ekonomik dhe kështu të arrihej një lidhje më e mirë me produktivitetin, të përmirësohej situata e punëtorëve me të ardhura të ulëta dhe të stimuloheshin nivelet e pagave në vend. Gjatë viteve 2001–2007, rritja prej 80% e pagës nominale, pati rezultat në uljen e varfërisë.
Në Rumani, deri në vitin 2011, paga kombëtare minimale ishte kompetencë e qeverisë pas konsultimit me partnerët socialë. Pritshmëritë ishin që ajo të mbulonte gjithë punëmarrësit, të përbënte një nivel bazë për negociatat mbi pagat dhe të garantonte minimumin jetik.
Paga minimale si një kufi
Studimi i ILO-s tregon se numri relativisht i lartë i personave që përfitojnë pagë minimale – ndonëse shoqërohet me evazion fiskal – dëshmon për rëndësinë që ka paga minimale. Gjatë tranzicionit, paga minimale është ndryshuar rregullisht, pa u shoqëruar me presione inflacioniste, madje as në vitet 2000-2011, kur paga minimale u rrit me 9%, ndërsa inflacioni me 3.5%. Një tjetër përjashtim ishte edhe ai i vitit 2007, kur paga
minimale mbeti e pandryshuar, ndërkohë që inflacioni ishte në nivelin 3.1%. Në vitet 2009-2010, rritja e pagës minimale ishte lehtësisht më e vogël se rritja e pagës mesatare. Në këtë kohë, kosto e ulët e punës ishte ajo që tërhiqte Investimet e Huaja Direkte, në anën tjetër presioni për rritjen e pagave po shtohej.
Megjithatë, pagat janë një aspekt që rregullohen më së miri nga legjislacioni. Ai përfshin Kushtetutën, Kodin e Punës dhe ligjin mbi kompetencat e përcaktimit të pagave. Mbi këtë bazë, pagat e punëmarrësve në sektorin publik dhe autoritetet lokale përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa pagat e punonjësve të institucioneve të pavarura – si sistemi gjyqësor, Avokati i Popullit dhe Këshilli Kombëtar i Radio-Televizionit – përcaktohen nga Parlamenti.
Pagat në sektorin publik përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe mbështeten kryesisht në rritjen e PBB-së dhe performancën ekonomike.
Shqipëria ka një pagë minimale të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, e cila shërben si bazë për bisedimet kolektive. Partnerët socialë mund të përcaktojnë nivelet e pagave në sektorin privat nëpërmjet marrëveshjeve të përgjithshme dhe atyre në nivel dege, por këto nivele nuk mund të jenë më të ulëta se niveli i pagës minimale zyrtare.
Baza ligjore për dialogun social trepalësh u miratua në vitin 1995 me Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë (ligji 7961, datë 13 mars 1996). Në vitin 1997, u krijua Këshilli Kombëtar i Punës (KKP), si institucioni më i lartë kombëtar i dialogut social trepalësh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.