Koncesioni që qeveria ka nënshkruar me SICPA Security Solutions Albania sh.p.k. (SICPA) për pullat fiskale, po verifikohet së fundmi nga Autoriteti i Konkurrencës, pas rekomandimeve që u dhanë pak kohë më parë nga rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë.
SICPA është krijuar më 20 shtator 2010 dhe veprimtaria e saj konsiston në implementimin e Marrëveshjes së Koncesionit për Shërbim (“Marrëveshja e Koncesionit”) të lidhur midis Ministrisë të Financave të Republikës së Shqipërisë (“Autoriteti”) për printimin, prodhimin dhe furnizimin e pullave fiskale, si dhe veprimtari të tjera në zbatim të Marrëveshjes së Koncesionit si krijimi dhe mirëmbajtja e një Godine Prodhimi Qendrore në ambientet që do të caktohen nga Autoriteti: projektimin, zhvillimin, financimin, testimin, vënien në punë dhe mirëmbajtjen e sistemit, Sistemin Qendror të Gjurmimit dhe Monitorimit dhe Njësitë Kompjuterike gjatë periudhës së marrëveshjes. Koncesioni është dhënë për një afat prej 10 vitesh, duke filluar që nga data në të cilën kontrata hyn në fuqi (Marrëveshja e Koncesionit pritej të bëhej efektive më 6 shkurt 2013, por kjo datë u shty nga Autoriteti i Koncensionit dhe ajo u bë efektive nga prilli 2014, sipas raportit vjetor 2013 të kompanisë.
SICPA Security Solutions Albania sh.p.k. zotërohet nga SICPA Security Solutions SA me vendndodhje në Zvicër.
Shoqëria detyrohet t’i paguajë Autoritetit për të drejtat dhe privilegjet e akorduara me Marrëveshjen e Koncesionit një tarifë koncesioni prej 2% mbi të ardhurat vjetore neto nga shitja e Pullave Fiskale, bazuar në pasqyrat financiare të audituara të Shoqërisë për çdo vit financiar.
Në vitin 2013, xhiro e kompanisë ishte 996 miliardë lekë (7.1 milionë euro), sipas bilancit të saj, me rritje 16% me bazë vjetore. SICPA rezultoi në të dy vitet me humbje, kryesisht si rrjedhojë e shpenzimeve të larta operative.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.