Sicred, shoqëria e parë private për sigurimin e jetës

27/03/2012 16:05 0 komente

Komisioni i Mbikëqyrjes së Sigurimeve ka licencuar shoqërinë e parë private, e cila do t u ofrojë shqiptarëve sigurimin e jetës. Sicred duket se do të konkurrojë direkt INSIG sh.a., pasi deri tani ky lloj shërbimi është ofruar vetëm nga kjo shoqëri shtetërore. Ndërkohë të gjitha shoqëritë e tjera të sigurimeve ofrojnë vetëm sigurimet e jojetës dhe deri tani nuk ishte marrë nisma për të ofruar këtë lloj shërbimi. Investimi për një shoqëri, e cila ofron sigurimin e jetës, është një investim me rrezik, pasi ky lloj shërbimi mbështetet mbi baza tërësisht vullnetare, – thotë Presidenti i kësaj shoqërie Gëzim Balisha. Në 3-4 vitet e para nuk mund të pritet ndonjë fitim, pasi ky është një lloj investimi afatgjatë, i cili i jep frytet vetëm pas disa vitesh. Për këtë arsye besimi i vetë aksionerëve dhe më pas ai i klientëve, është baza mbi të cilën ushtrohet gjithë aktivitet. Sipas tij, arsyeja se përse deri tani nuk është ofruar ndonjë shoqëri tjetër për këtë lloj shërbimi, është se ky lloj investimi ka rrezik dhe duhet bërë një punë mjaft e madhe dhe e vështirë për ta realizuar.Banka Credins pas shpatullave të Sicred-itPër herë të parë në tregun shqiptar të sigurimeve, prapa një shoqërie sigurimesh qëndron një bankë. Aksionerët kryesorë të kësaj shoqërie janë aksionerët kryesorë të bankës shqiptare Credins. Sigurimi i jetës për të pasur sukses kërkon patjetër mbështetjen e një banke, – vazhdon Balisha, kjo është një praktikë e njohur në vendet e zhvilluara. P.sh., Banka Raiffeisen besoj se në momentin kur do të fillojë realisht aktivitetin në tregun bankar shqiptar, do ta bëjë publik edhe faktin që ka shoqërinë e saj të sigurimeve. Sipas tij, kur pas krahëve të një shoqërie sigurimesh është një bankë, krijohet një dyshe shumë e përkryer ku ndërthuren interesat e kapitalit bankar me atë të sigurimeve.Përvojë e re në një treg të parrahurShoqëria INSIG sh.a., nivelin e sigurimeve të jetës e ka në kuota pothuajse minimale. Në këto kushte tregu shqiptar i sigurimit të jetës është një treg pothuajse i parrahur. Sipas z.Balisha, për këtë lloj aktiviteti mungon përvoja. Për të mësuar vetë, mua më është dashur të studioj shumë nga literatura e huaj dhe për një periudhë kohe relativisht të gjatë. Këtë literaturë, unë ia kam vënë në dispozicion edhe atyre me të cilët mendoj të punoj. Në rast se do të bëja një krahasim midis Bankës së Kursimeve dhe INSIG-ut, ashtu si BK deri tani ka shërbyer si një furnizuese e bankave të nivelit të dytë me specialistë bankash, ashtu ka shërbyer edhe INSIG-u për shoqëritë e sigurimeve, të cilat funksionojnë në tregun shqiptar. Përsa i përket sigurimit të jetës INSIG deri tani nuk ka pasur ndonjë përvojë, e cila mund të ndiqet apo ndonjë personel të specializuar për ta marrë. Për këtë arsye na është dashur të dëgjojmë dhe të lexojmë shumë nga përvoja jashtë Shqipërisë.Specialisti kryesor, do të jetë mjekuNë këtë lloj shërbimi, që do të ofrohet, duhet një specialist mjaft i zoti, pasi bëhet fjalë për jetë njerëzish. Në rast se për TPL-të (sigurimin e detyrueshëm për automjetet) duhet një inxhinier, në këtë rast baza e vlerësimit do të jetë mjeku, i cili do të japë mendimin e tij dhe ky mendim duhet të jetë mjaft i kualifikuar. Për këtë arsye do të zgjedhim mjekë shumë të mirë dhe me përvojë. Fillimisht, do të jenë pak punonjës, më pas do të shohim, thotë drejtori i Sicred.Ndihet xhelozia e shoqërive ekzistueseMe licencimin e 2 shoqërive të reja të sigurimeve (krahas Sicred-it është licensuar edhe Dukagjin Al, shoqëria e sigurimeve që ofron shërbimet e jojetës) ka filluar të ndihet edhe xhelozia e shoqërive ekzistuese të tregut shqiptar të sigurimeve. Kompania Dukagjin AL ka të garantuar edhe tregun e Kosovës, në të cilin vepron aktualisht dhe dihet se atje është një nga shoqëritë më prestigjioze të këtij tregu dhe kliente e bankave të fuqishme europiane. Edhe Sicred mendon të veprojë në Kosovë. Në këtë mënyrë të dyja këto shoqëri do të jenë mjaft konkurrente në tregun shqiptar të sigurimeve, në të cilin deri tani vepronin 5 shoqëri (Insig, Sigma, Sigal, Atlantik dhe Intersig). Tregu i sigurimeve, paraqitet mjaft rentabël dhe shoqëritë private raportojnë norma fitimi deri në 20%. Karakteristikë e tregut është se mbi 70% e tij përbëhet nga sigurimet e detyrueshme të TPL-ve, ndërsa raporti dëme/prime është shumë i ulët, rreth 20%, me përjashtim të INSIG, që e ka këtë raport 70%.

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.