Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka vendosur të miratojë modelin për policat e sigurimit që do të emetohen nga Byroja Shqiptare e Sigurimit.
Në ndryshimet që i janë bërë rregullore të vitit 2010 “Për standardet e raportimit të mbikëqyrjes së Byrosë Shqiptare të Sigurimit” përcaktohen detajet lidhur me numrin serial, procedurën e miratimit në AMF si dhe afatet për të kaluar të gjitha hallkat e nevojshme.
“Byroja depoziton në Autoritet, përpara emetimit, specimenet e policave të sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit. Të gjithë policat e sigurimit duhet të përmbajnë numrin serial 9 (nëntë) shifror, ku 2 numrat e parë të korrespondojnë me 2 numrat e fundit të vitit korrent për të cilin emetohen policat e sigurimit të përgjegjësisë së pronarit ose përdoruesit të mjetit motorik për dëme shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti. Byroja fillon procedurën për emetimin dhe prodhimin e policave të sigurimit të detyrueshëm pas dhënies së pëlqimit nga Autoriteti, në përputhje me rregulloret përkatëse të hartuara nga Byroja lidhur me emetimin, prodhimin, administrimin dhe shpërndarjen e tyre” thuhet në nenin 14 të ndryshuar në rregullore.
Afatet për emetimin e policave të reja dhe asgjësimin e atyre ekzistuese
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar në të njëjtat ndryshime edhe disa dispozita kalimtare që lidhen me afatet për emetimin e policave të reja si dhe asgjësimin e atyre ekzistuese.
“Emetimi, prodhimi dhe furnizimi me polica të sigurimit të detyrueshëm për vitin 2018, sipas formatit të përcaktuar në pikën 1, të nenit 14, të kësaj Rregulloreje duhet të përfundojë brenda datës 31.12.2017. Policat e sigurimit të detyrueshëm, sipas formatit të përcaktuar në pikën 1, të nenit 14, të kësaj Rregulloreje, do të hidhen në treg duke filluar nga data 01.01.2018. Çdo policë e sigurimit e shitur në kundërshtim me formatin e përcaktuar do të konsiderohet e pavlefshme.
Policat e sigurimit të detyrueshëm të pakonsumuara në vitet pararendëse të asgjësohen sipas procedurës së përcaktuar në nenin 14/a të kësaj Rregulloreje, brenda datës 31.01.2018” thuhet në rregullore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Lajm i rendesishem financiar per nje instirucion mbikeqyres financiar
Kjo eshte nje procedure rutine qe ka vite qe perdoret