Tregu i sigurimeve të Jo- Jetës gjatë periudhës janar – tetor të këtij viti llogariti prime të shkruara bruto në vlerën e rreth 10.3 miliardë lekëve ose rreth 19.5% më shumë krahasuar me periudhën janar-tetor të vitit 2014. Në krahasim me 9-mujorin ritmi i rritjes është ulur. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare numri i kontratave në sigurimin e Jo-Jetës arriti shifrën rreth 810 milionë lekë, me rritje rreth 7%. Një gjë e tillë tregon se tregu po zhvillohet pa ndonjë veçanti sa i përket zgjerimit.
Në sigurimet e detyrueshme motorike ritmi i rritjes nuk ka pësuar shumë ndryshime edhe në krahasim me 9-mujorin, duke u llogaritur në rreth 21%. Edhe gjatë kësaj periudhe rritjen më të madhe e ka shënuar produkti TPL me rreth 26.4% në krahasim me të njëtën periudhë të një viti më parë.
Me ndryshimet që po diskutohen të Paketën Fiskale 2016, pritet që tregu i sigurimeve të pësojë sërish ndryshime. Rritja e taksës me 7%, sipas shoqërive të sigurimit do të reflektohet edhe në çmimin fundor të primeve që paguhet nga të siguruarit. Edhe më herët shoqëritë kishin menduar që të bënin një rishikim të tarifave me pretendimin se shpenzimet nuk justifikojnë tarifën e primit dhe kjo është reflektuar edhe tek raporti prime/dëme që vazhdon në nivel të ulët.
Sipas të dhënave të AMF-së për periudhën janar – tetor 2016 dëmi mesatar i paguar për produktin TPL shënoi rënie në vlerë me rreth 15%, e po kështu edhe për Kartonin Jeshil ( rreth 36%). Sa i përket primeve të shkruara bruto sipas kompanive, shifrat e raportuara nga AMF-ja tregojnë se ritjen më të madhe e shënoi Eurosig me rreth 47%.
E në fakt Eurosig dhe Sigma-Interalbania Vig kanë shtuar përpjekjet për të fituar terren. Në 10 muajt e këtij viti Eurosig ka arritur të zotërojë rreth 15%, ndërsa Sigma-Interalbania Vig rreth 17%.
Ndërsa Sigal Uniqa Group Austria, shoqëria që udhëheq tregun e Jo-Jetës ka pësuar një rënie fare të lehtë të zotërimit të tregut, duke u pozicionuar në rreth 28.1%.
INSIG, shoqëria me kapital shoqëror ka vazhduar rënien e lirë, pasi tashmë ajo zotëron rreth 5.8% të totalit, shifër në rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë kur ishte rreth 6.5%.
Sigurime Jo- Jeta – Ndarja e Tregut
10-mujori 2014
10-mujori 2015
Burimi: AMF
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.