Në 6-mujorin e parë të vitit 2016, volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jo-Jetës kapi shifrën e rreth 6.1 miliardë lekë ose rritje rreth 3.3% krahasuar me të njëtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare gjatë kësaj periudhe numri i kontaratave u ul me rreth 1%, çka tregon se rritja ka ardhur për shkak të policave më të shtrenjta. Vihet re se gjatë 6-mujorit të parë ka një rritje të sigurimeve të “ sëmundjeve” dhe të “ mjeteve tokësore” përkatësisht me 57.1% dhe 18.4%, që lidhet edhe me sigurimet e bëra nga kompanitë që punojnë si nënkontraktore për ndërtimin e terrenit për projektin TAP.
Megjithatë, ashtu sikundër u vërjet edhe në raportimin për vitin 2015 nga ana e AMF-së shkalla e penetrimit megjithëse është rritur në 0.98% në vitin 2015 krahasuar me 0.83% ne vitin 2014, mbetet ende e ulët në krahasim me nivelin e vendeve të rajonit. ( Kosova 1.39%, Mali i Zi 2.15%, Maqedoni 1.51%, Serbi 2.15%)
Gjatë vitit 2015, sigurimet e Jo-Jetës u rritën me 23.20%, e ndikuar kryesisht nga dinamika e rritjes së sigurimit të
detyrueshëm motorik, i cili shënoi rritje me rreth 22.50% krahasuar me vitin 2014.
Sa i përket ecurisë së shoërive që operojnë në këtë segment të tregut vihet re se katër prej tyre në 6-mujorjn e parë të vitit shënuan rënie të primeve të shkruara bruto, ku rënien më të lartë e pati Sigma Interalbanian Vig me rreth 8.2%. Ndërsa rritjen më të lartë të primeve në këtë periudhë krahasuar me atë të një viti më parë e pati Albsig me rreth 29%.
Tregu vazhdon të kryesohet nga Sigal Uniqa Uniqa Group Austria me rreth 28% nga rreth 28.4% që zinte në 6-mujorin e parë të 2015-ës.
Grafik
Ndarja e tregut – Sigurimi i Jo-Jetës
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.