Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-gusht 2014, arritën rreth 699 milionë lekë ose rreth 11% më shumë se në periudhën janar-gusht të vitit të kaluar. Të dhënat e fundit të AMF-së tregojnë se pozitive ka qenë edhe ecuria e numri i kontratave, çka dop të thotë se shqiptarët kanë paguar rreth 27.2% polica sigurimi jete.
Është ruajtur i njëjti ritëm sa i përket dëmeve të paguara nga tri shoqëritë që operojnë në këtë pjesë të tregut të sigurimeve, volumi i së cilave u rrit me rreth 39%.
Për periudhën janar – gusht 2014, shoqëria që shënoi rritjen më të madhe të primeve bruto ishte Sigal Life Uniqa Group Austria me rreth 24%. Kjo performancë e ka lejuar këtë kompani që të çojë në 64% zotërimet e saj në treg nga rreth 58% që kishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
E kundërta ka ndodhur me kompaninë me aksione shtetërore INSIG e cila ka humbur ndjeshëm terren, pasi në 8-mujorin 2014 ajo kishte vetëm 13.4% të tregut nga rreth 22% që zinte një vit më parë. Duket se Sigal ka marrë më shumë tregun e INSIG, pasi rritja e përqindjes për Sicred, kompaninë tjetër që operon në sigurimet e Jetës ishte vetëm 2%.
Ndarja e tregut – Sigurimi i Jetës/ Janar – Gusht 2013
Ndarja e tregut – Sigurimi i Jetës/ Janar – Gusht 2014
Burimi: AMF
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.