Tregu i sigurimeve të Jo-Jetës edhe në tetëmujorin e këtij viti vazhdoi të ruante pozitat dominuese, duke zënë rreth 90% të totalit. Sipas të dhënave të Autoritetit Mbikëqyrës Financiar, volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jo-Jetës kapi shifrën 6,8 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje në masën 45.2% krahasuar me periudhën janar-gusht të vitit 2013. Por, pavarësisht kësaj rritjeje në volum numri i kontratave shënoi ulje me rreth 2% krahasuar me periudhën janar-gusht të vitit 2013. Kjo tregon se shqiptarët kanë paguar më shumë për një numër të ulët të policave të sigurimit.
Ndikimin më të madh në rritjen e këtij segmenti ( si dhe në totalin e tij), padyshim e ka dhënë sigurimi i detyrueshëm motorik, vlera e të cilit gjatë periudhës janar-gusht 2014 arriti në mbi 4,3 miliardë lekë, ose rreth 80% më shumë se periudha janar-gusht 2013.
Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-gusht 2014, pati një rritje prej 90% të volumit të primeve të shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 2.23% krahasuar me periudhën janar-gusht 2013.
Por, rritja e primeve nuk i ka ndihmuar kompanitë në pagesat e dëmeve që për këtë periudhë u ulën me rreth 2% ( vlera rreth 1.7 miliardë lekë).
Në përgjithësi ecuria e kompanive sa i përket primeve ka qenë pozitive, ku rritjen me të madhe e pati INSIG me rreth 84% e ndjekur nga Albsig ( rreth 70%) dhe më të ultën e shënoi Eurosig me rreth 25.5%.
Tregu i Jo – Jetës edhe gjatë periudhës janar – gushat 2014 u udhëhoq nga Sigal Uniqa Group Austria, por zotërimet e saj pësuan rënie në rreth 28.4% nga rreth 30.4% që zinte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe Intersig Vig forcoi pozitën në treg, duke arritur të zotërojë rreth 13% nga rreth 11% që zinte një vit më parë.
Ndarja e tregut – Sigurimi i Jo-Jetës/ Janar – Gusht 2013
Ndarja e tregut – Sigurimi i Jo-Jetës/ Janar – Gusht 2014
Burimi : AMF
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.