Tregu i sigurimeve vazhdon të rritet me ritme të ulëta. Sipas të dhënave të fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, gjatë periudhës janar – korrik 2016, primet e shkruara bruto të Jo-Jetës u rritën me rreth 3.4% ose në total arritën vlerën 7.4 miliardë lekë. Këto prime sollën rreth 93% të të ardhurave në total, duke treguar se tregu nuk po ndryshon në konfigurimin e tij. Numri i kontratave në të njëjtën periudhë krahasuar me atë të një viti më parë u rrit me vetëm 2.5% çka tregon për nivelin e ulët të policave të sigurimit të blera nga shqiptarët.
Sigurimet e detyrueshme ndaj palëve të treta gjatë kësaj periudhe u rritën me rreth 5.6% krahasuar me janar – korrikun e 2015-s. Produkti TPL në periudhën janar – korrik 2016, pati një rritje prej 2.98% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 3.89% krahasuar me periudhën janar – korrik 2015.
Kartoni Jeshil dhe Sigurimi Kufitar shënuan rritje më të madhe të primeve përkatësisht me rreth 15% dhe rreth 18.5% duke treguar edhe një tendencë në rritje për udhëtimet jashtë vendit.
Sa i përket ecurisë së primeve, sipas kompanive që operojnë në këtë treg, nga të dhënat e AMF-së vihet re se vetëm tre prej tyre shënuan rënie, më konkretisht Sigma Interalbanian Vig me rreth 6.5%, Atlantik me rreth 3% dhe Intersig VIG me rreth 1%. Albsig ishte kompania që udhëhoqi rritjen e primeve të shkruara bruto për periudhën janar – korrik 2016 me rreth 27%.
Tregu vazhdoi të udhëhiqet nga Sigal Uniqa Group Austra e cila pati rritje modeste të primeve, gjë e cila ndikoi në rënien e përqindjes në treg nga rreth 29% në korrik 2015 në rreth 28% në korrik 2016.
Eurosig ruajti gati–gati të pandryshueshëm kuotën e tij me rreth 15.5%, ndërsa kompania e blerë nga ajo INSIG, rriti peshën, duke e çuar në 7%.
Ndarja e tregut – JO Jeta
Janar – korrik 2015
Janar – korrik 2016
Burimi: AMF
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.