Padyshim një nga pikat e dobëta më të mëdha të tregut të sigurimeve në Shqipëri mbetet padyshim raporti ende shumë i ulët dëme/prime, që për vitin 2013 u llogarit në rreth 32%. Rënia e pagesës së dëmeve është ndjerë kryesisht për tregun e Jo-Jetës, si pasojë e luhatjeve të forta që pësuan tarifat TPL gjatë vitit të kaluar. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka vërejtur se duke iu referuar ecurisë se primit të aplikuar dhe primit të rrezikut, në harkun kohor shator 2011– mars 2014 është vënë re që në 53% të këtij harku kohor tarifat janë aplikuar nën vlerën e primit të rrezikut. Po sipas AMF-së në periudhën menjëherë pas liberalizimit, shtator 2011 – janar 2012, nënvlerësimi i
primit të aplikuar ka arritur deri në 50%, i pasuar nga një periudhë 10-mujore stabilizimi, e cila u shoqërua nga një tjetër periudhë luhatjesh, në muajt mars – prill 2013, gjatë të cilës konstatohet nënvlerësimi arriti deri në 60%.
Primi i rrezikut është pjesa e primit të sigurimit e vlerësuar për të mbuluar dëmet sipas
parashikimeve të përcaktuara në kontratën e sigurimit, si dhe për të financuar kontributin e shoqërisë së sigurimit në fondin e kompensimit. Tarifat e kontratave të sigurimit (primi i
sigurimit) përbëhen nga primi i rrezikut, të cilit i shtohet pjesa e llogaritur për mbulimin e
shpenzimeve administrative, si dhe pjesa e llogaritur për fitimin e shoqërisë.
“Tarifimi i vazhdueshëm nën nivelin e primit të rrezikut ka cenuar ndjeshëm likuiditetin dhe përfitueshmërinë e siguruesve, duke vënë në rrezik shëndetin financiar të tyre dhe për rrjedhojë cilësinë e procesit të shlyerjes së detyrimeve ndaj të siguruarve”, bën të ditur AMF në raportin e saj vjetor.
Autoriteti, në bashkëpunim dhe me ekspertët e Bankës Botërore ka përforcuar kërkesat rregullatore për provigjonim e kontratave të sigurimit të detyrueshëm motorik, duke përcaktuar si vlerë minimale vlerat e primit të rrezikut të përllogaritura nga Autoriteti në nivel tregu, pavarësisht çmimit të shitjes nga siguruesit.
“Detyrimet për pagesat e dëmeve të papaguara, subjekt i fondit të kompensimit, kanë pësuar rritje të ndjeshme. Në këtë drejtim, përveç numrit të lartë të mjeteve të pasiguruara në qarkullim, që në fund të vitit 2013 vlerësohej rreth 27% të mjeteve të regjistruara, kanë ndikuar edhe vonesat në kryerjen e pagesave, si dhe administrimi jo efektiv i BSHS. Kështu, detyrimet për dëmet e papaguara në tre vitet e fundit janë dyfishuar, nga 609 milionë lekë në vitin 2011 në 1.3 miliardë lekë në vitin 2013. Efekti që dëmet e paguara nga Fondi i Kompensimeve gjatë vitit 2013 kanë në raportin dëme/prime të tregut vlerësohet rreth 4.6%. Për këtë arsye, vendimet e AMF-së të vitit 2013 në lidhje me FK përcaktuan një nivel mjaft më të lartë fondi, si dhe përcaktuan njohjen përkatëse të detyrimeve për dëmet e mbetura pezull. Në vijim të këtyre vendimeve, në vitin 2014 janë ndërmarrë masa stabilizuese për tregun e produktit MTPL dhe po ndiqet në vijimësi zbatueshmëria e tyre. Kështu, masa stabilizuese për financimin e fondit të kompensimit, përcakton shlyerjen tërësore të detyrimeve të prapambetura brenda një periudhe trevjeçare, 2014-2016. Vetëm për vitin 2014, fondi për shlyerjen e detyrimeve për dëme pezull deri më 31.12.2013, është përcaktuar në masën 430 milionë lekë. Kjo nënkupton që masa e fondit në dispozicion të pagesës së dëmeve për periudhën 2012-2014 është trefishuar.
Treguesi llogaritet duke u bazuar në numrin e automjetve në qarkullim, sipas DPSHTR, që për 31 dhjetor 2013 është 445,956 dhe numrin e policave të vlefshme, që është 325,929”, thuhet në raportin vjetor të AMF-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.