Pjesën kryesore e zë rritja e sigurimit motorrik me 39.8 % më shumë se në janar 2014. Rritje e lehtë e sigurimit vullenatr, kryesisht të rrezikut nga zjarri dhe dëmtimet e pronës
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka njoftuar sot se tregu i sigurimeve vazhdon trebdin rritës sa i përket totalit të të ardhurave të gjeneruara. Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për muajin janar 2015 kapën vlerën mbi 1,176 milionë lekë, ose 18.77% më shumë se në muajin janar 2014.
Gjatë muajit janar 2015, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 74,401 me një rritje prej 2.06% krahasuar me muajin janar 2014. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.30% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 7.70%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 43.98% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 56.02% të totalit të tregut.
Gjatë muajit janar 2015, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 216 milionë lekë, ose 7.00% më shumë se në muajin janar 2014.
Rriten primet e sigurimit motorrik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë muajit janar 2015 arritën mbi 659 milionë lekë, ose 39.80% më shumë se në muajin janar 2014. Produkti MTPL e brendshme, në muajin janar 2015, pati një rritje prej 44.44% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me rritje të numrit të kontratave prej 6.87% krahasuar me muajin janar 2014.
Produkti Sigurim Kufitar në muajin janar 2015 pati një ulje prej 12.38% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje e numrit të kontratave prej 17.58% krahasuar me muajin janar 2014.
Produkti Karton Jeshil, në muajin janar 2015, pati një rritje me 33.12% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me muajin janar 2014. Po kështu edhe numri i kontratave u rrit me 17.02%.
Rritje e lehtë e sigurimit vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë muajit janar 2015 arritën rreth 517 milionë lekë, ose 1.43% më shumë se në muajin janar 2014. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 2.55% krahasuar me muajin janar 2014.
Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë muajit janar 2015, patën rritje me 11.07% kundrejt muajit janar 2014.
Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë muajit janar 2015 siguruan rreth 266 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 80.58%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 10.15% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë muajit janar 2015, vihet re një rritje prej 0.83% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një ulje me 0.25% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me muajin janar 2014.
Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë muajit janar 2015, arritën në rreth 100 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 43.00% në krahasim me muajin janar 2014.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë muajit janar 2015, arritën rreth 91 milionë lekë, ose 27.99% më pak se në muajin janar të vitit të kaluar.
Rriten dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë muajit janar 2015 u rritën me 7.00% krahasuar me muajin janar 2014. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me mbi 165 milionë lekë, apo 76.52% të totalit të dëmeve të paguara bruto.
Ndarja e tregut – Sigurimi motorik 2014:
Ndarja e tregut – Sigurimi motorik 2015:
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.