Një vit më parë, në të njëjtën periudhë (tremujori i parë) shifrat flisnin për rimëkëmbjen e tregut të sigurimeve, edhe pse ai vazhdonte të ishte i paqëndrueshëm. Në atë kohë, sapo kishin filluar të ndiheshin efektet e para të liberalizimit të vizave. Sot, tregu është në vështirësi dhe duket sikur rënia nuk do të ndalet. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në publikimin e të dhënave për tremujorin e parë të 2012-s, raporton se të ardhurat totale nga primet kishin vlerën e rreth 1.9 miliardë lekëve, me rënie prej afro 16% kundrejt së njëjtës periudhë të një viti më parë. Kjo situatë ishte parashikuar pak a shumë nga shoqëritë e sigurimit, të cilat janë në pritje të sinjaleve pozitive.
Ajo që bie në sy është se rënia këtë vit ka prekur si segmentin e sigurimeve të “Jetës”, ashtu edhe atë të “Jo-Jetës”. Ky i fundit vazhdon të njohë vetëm përkeqësim të shifrave, ku rënia u llogarit në 17.2%, kundrejt rreth 5% që është për primet e shkruara bruto të “Jetës”. (GRAFIK 1)
Duke parë ecurinë e veçantë të produkteve, bie në sy se tregu po vuan efekte rënieje si te sigurimet vullnetare, ashtu edhe tek ato të detyrueshme.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bën të ditur se rënia më drastike ka ardhur nga Kartoni Jeshil, që mbulon sigurimin për dëmet motorike të shkaktuara jashtë vendit. Të ardhurat nga ky produkt kanë rënë me 50% krahasuar me një vit më parë. Në rënie akoma më të lartë, me 60%, janë edhe të ardhurat për sigurimin nga aksidentet, kategori e lidhur ngushtë me udhëtimet jashtë vendit. Janë këto dy të dhëna që tregojnë se shqiptarët po lëvizin gjithnjë e më pak jashtë shtetit dhe se tanimë nuk mund të flitet më për efekte që vijnë nga liberalizimi i vizave.
Një sjellje deri-diku e pritshme është rritja e të ardhurave të sigurimit të detyrueshëm TPL (9%) krahasuar me një vit më parë. Kjo sepse më datën 1 shkurt, shoqëritë dyfishuan çmimet e shitjes së këtij sigurimi.
Edhe kategoria më e rëndësishme e sigurimit vullnetar, ajo nga zjarri dhe forcat e tjera të natyrës, ka regjistruar rënie të të ardhurave nga primet, me 32%. Dëmet e paguara nga shoqëritë e sigurimeve për tremujorin e parë janë rritur me afro 43%. Raporti mes dëmeve dhe primeve për tremujorin arriti në 38%, nivel ky jo i zakonshëm për tregun shqiptar. Tregu i sigurimeve në Shqipëri e ka pasur këtë raport historikisht nën pragun e 30%, vlerë shumë më e ulët se vendet e tjera. Por, rënia e të ardhurave dhe efektet e krizës po bëjnë, të paktën pjesërisht, atë që nuk e bëri dot AMF dhe vetërregullimi i tregut: një raport dëme/prime në vlera më të pranueshme dhe më afër tregjeve rajonale dhe europiane.
Jeta, ulja nga rënia e kredisë
Në tremujorin e parë të këtij viti, primet e shkruara bruto të sigurimit të Jetës u ulën me rreth 5%, duke arritur në 256 milionë lekë. Bie në sy rënia e primeve për grupin “Jetë debitori” (19.2%) dhe “Jeta dhe shëndeti në udhëtim” (32.2%). Drejtuesit e shoqërive të sigurimit që operojnë në këtë segment thonë se kjo reflekton ecurinë e ekonomisë së vendit. “Tregu i sigurimeve, thonë ata, nuk mund të vlerësohet i veçuar nga situata ekonomike që po kalon vendi dhe që reflekton pasojat e një krize të gjatë financiare. Kërkesa për kredi është ulur dhe kjo ka reflektuar uljen e primeve të sigurimit për grupin ‘Jetë debitori’. Tkurrje kanë pësuar edhe investimet e huaja që ndikojnë jo pak te sigurimet”, thonë ata. Rënien e primeve të shkruara bruto për grupin “Jeta dhe shëndeti në udhëtim” e lidhin me rënien e udhëtimeve jashtë. Për ta, efekti i liberalizmit të vizave me vendet e BE-së do të duhet të shihet më tepër në terma afatgjatë.
Rritja e produkteve të sigurimit të “Jetës”, që nuk janë të detyrueshme, si për shembull “Jetë Debitori” do të zbuste sado pak efektet e kësaj krize, si dhe do të bënte që varësia e shoqërive të sigurimit të “Jetës” nga produktet “gjysmë të detyrueshme” të ishte gjithnjë e më e vogël.
Sipas drejtuesve të shoqërive të sigurimit, i rëndësishëm është raport çmim/rregullim. “Pak vlerë ka çmimi i shitjes, thonë ata, i rëndësishëm është rregullimi ligjor, që nënkupton mbajtjen e rezervës që kërkohet sipas ligjit”. Çmimet tërheqëse, që reflektojnë raportet e duhura dëme/prime do të rrisnin pa dyshim numrin e të siguruarve dhe besimin ndaj kompanive të sigurimit, për pasojë edhe rritjen e tregut në këtë sektor.
Nga të dhënat e raportit të 3-mujorit vihet re se, pavarësisht uljes së çmimit të primit, sigurimi i “Jetës” ka shënuar rritje ndaj totalit të tregut, duke përbërë rreth 13.6% nga rreth 12%. Referuar të dhënave bie në sy fakti se edhe numri i kontratave është në rënie me rreth 34%, ndërsa dëmet u rritën me rreth 254%.
Jo–Jeta, rriten të ardhurat nga TPL-ja
Sipas të dhënave të tremujorit të parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, primet e shkruara bruto të Jo-Jetës shënuan rënie me rreth 17.2%. Ndikim më të madh ka pasur sigurimi i detyrueshëm motorik, Kartoni Jeshil dhe sigurimi “Aksidente dhe shëndet”, me peshë rreth 83% të uljes totale të tregut.
Dyfishimi i çmimit të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik (TPL), që ndodhi në ditët e para të muajit shkurt (pas liberalizimit të çmimit) u reflektua tek të ardhurat e kompanive. Primet e shkruara bruto të sigurimit MTPL e brendshme u rritën me rreth 9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa numri i kontratave u rrit me 6.7% krahasuar me periudhën janar-mars të vitit 2011.
Sipas drejtuesve të shoqërive të sigurimit, rritja e çmimit të policës së sigurimit solli rritje të të ardhurave dhe të aftësisë paguese për dëmet e shkaktuara. Dëmet e paguara u rritën me 38.7%. Në këtë rritje,
Ka pasur rol jo të vogël hyrja në “lojë” e përmbaruesve privatë. Pagimi i dëmeve ka ardhur në mënyrë të sforcuar dhe në fakt këto janë dëme që i takojnë disa viteve të mëparshme dhe jo vitit korrent.
Drejtuesit e shoqërive të sigurimit thonë se ka të ngjarë që çmimet e sigurimit të detyrueshëm motorik, MTPL, të vazhdojnë të rriten (ato mund të arrijnë në 30,000-40,000 lekë). Nuk dihet se sa do të jenë në gjendje shqiptarët ta përballojnë këtë rritje dhe a do t’i përgjigjen kompanitë e sigurimeve, me rritje po në këtë masë të pagesës së dëmeve?
Nuk mund të thuhet e njëjta gjë në lidhje me Kartonin Jeshil, një sigurim i detyrueshëm për automjetet që qarkullojnë jashtë territorit të vendit. Ulja e çmimeve me rreth 50% reflektoi rënie të ndjeshme të primeve me rreth 49%, ndërsa numri i kontratave u rrit me rreth 6.5%. Edhe AMF vëren se ulja e primit të shkruar bruto Karton Jeshil lidhet me liberalizimin e tregut të sigurimit të detyrueshëm, në gusht të vitit 2011.
Drejtuesit e shoqërive të sigurimit përjashtojnë mundësinë e sjelljes së njëjtë të tregut, si në rastin e sigurimit MTPL
(ulja e çmimit pas liberalizimit, që u shoqërua me rënie të të ardhurave dhe më pas, rritja e çmimit, që u reflektua me rritje të të ardhurave), pasi kemi të bëjmë me produkte me natyrë të ndryshme.
Në rënie paraqiten edhe primet (sigurime vullnetare) të portofolit “zjarri dhe rreziqet shtesë”, me rreth 32%, krahasuar me janar-marsin e vitit 2011. Edhe të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit gjatë periudhës janar-mars 2012 u ulën me rreth 42%, duke arritur në rreth 147 milionë lekë. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e aksidenteve, me rreth 56.11% të të ardhurave të këtij grupi.
Rritja e “importuar” e dëmeve
Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-mars 2012 u rritën me rreth 43%, krahasuar me janar-marsin e vitit 2011. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përkasin sigurimeve motorike me 546 milionë lekë, apo 75.5% të totalit të dëmeve të paguara bruto. Në pamje të parë, kjo shifër tregon se është rritur aftësia paguese e kompanive për dëmet e shkaktuara për këtë periudhë, krahasuar me një vit më parë, por nga ekspertë të sigurimeve mësohet se në fakt bëhet fjalë për dëme që i përkasin periudhave të mëparshme. Bëhet fjalë për detyrime të “importuara”, për dëme që kompanitë duhet t’i kishin paguar në kohën e duhur, por për shkaqe të ndryshme, u paguan gjatë këtij tremujori (si detyrime nga konflikte të zgjatura gjyqësore e që në pjesën më të madhe kanë vënë “me shpatulla pas murit” shoqëritë). Detyrimi për t’i paraqitur në pasqyrat financiare reflektohet pikërisht te këto shifra.
Në nivele historike është edhe raporti i dëmeve me primet, që për këtë tremujor, krahasuar me atë të një viti më parë, është rreth 38%, shifër kjo që sipas drejtuesve të shoqërive të sigurimit do të ndryshojë (në favor të dëmeve) për të arritur te nivelet që kanë tregjet e tjera (45-50%).
Në garë për mbijetesë
Nga të dhënat e AMF-së për ndarjen e tregut sipas kompanive, vihet re se pjesa më e madhe e tyre rezultojnë me humbje. Te sigurimi i “Jetës” për primet e shkruara bruto, vetëm INSIG rezulton me vlerë pozitive, rritje me rreth 20.6%.
Sa i përket përqindjes ndaj totalit, “Sigal Life Uniqa Group Austria” ka humbur ndjeshëm terren, duke zënë 38.7%.
Në tregun e Jo-Jetës vihet re se për sa i përket primeve të shkruara bruto, dy janë kompanitë që paraqiten me shenjë pozitive rritje, “Interalbania” (62%) dhe “Eurosig” (3.1%). Për “Interalbanian” rritja ka ardhur nga nënshkrimin i një marrëveshjeje për sigurimin nga “Zjarri, forcat e natyrës dhe dëme të tjera) me një kompani të huaj (468% rritja e këtij primi).
Edhe në lidhje me pozicionimin në treg sipas përqindjeve ndaj totalit, këto kompani kanë shënuar rritje të ndjeshme. “Interalbania” duket se ka forcuar pozitat në treg, duke zënë në tremujorin e parë të këtij viti rreth 18%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Bie në sy fakti se rënie të ndjeshme ka pësuar “Sigal Uniqa Group Austria”, që nga 37.3% ka zbritur në rreth 30%.
Parashikimi
Kompanitë e sigurimeve shpresojnë se tregu në tremujorët e ardhshëm do të gjallërohet. Të ardhurat do të rriten dhe po kështu, edhe aftësia e tyre për të shlyer dëmet.
Ata thonë se deri tani ka ndodhur faktorizimi i tregut të dy viteve të fundit, historiku i dëmeve të pashlyera, çmimet e pastabilizuara, por edhe kriza financiare që nuk mund të anashkalohet. E të gjitha këto janë reflektuar te shifrat, që tek e fundit nuk janë gjë tjetër, veçse “kambana” që bien për të treguar se ka ardhur koha që tregu të bëhet i qëndrueshëm dhe të reflektojë sjellje të drejta në raport me pritshmërinë që kanë klientët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.