Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare publikoi të dhënat për tregun e sigurimeve për 8 muajt e parë të vitit 2014. Sipas AMF të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-gusht 2014 kapën vlerën 7 miliardë e 544 milionë lekë, ose 40.96% më shumë se në periudhën janar-gusht 2013. Gjatë periudhës janar-gusht 2014, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 670,489 me një rritje prej 0.54% krahasuar me periudhën janar-gusht të një viti më parë.
Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 90.37% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 9.27% dhe veprimtarinë e Risigurimit me 0.36%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 41.61% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 55.39% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar-gusht 2014, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në mbi 1,778 milionë lekë, ose 0.73% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2013.
Rriten primet e sigurimit motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-gusht 2014 arritën mbi 4,389 milionë lekë, ose rreth 80.20% më shumë se periudha janar-gusht 2013. Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-gusht 2014, pati një rritje prej 90.06% të volumit të primeve të shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 2.23% krahasuar me periudhën janar-gusht 2013. Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-gusht 2014 pati një rritje prej 69.16% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje e numrit të kontratave prej 2.39% krahasuar me periudhën janar-gusht 2013. Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-gusht 2014 pati një rritje me 52.26% të volumit të primeve të shkruara bruto, krahasuar me periudhën janar-gusht 2013. Ndërsa numri i kontratave u ul me 8.31%.
Sigurimi Vullnetar, rritje e lehtë
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-gusht 2014 arritën rreth 3,128 milionë lekë, ose 8.25% më shumë se në periudhën janar-gusht 2013. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 0.63% krahasuar me periudhën janar-gusht të një viti më parë. Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-gusht 2014, patën rritje me rreth 7.53% kundrejt periudhës janar-gusht 2013.
Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-gusht 2014, siguruan rreth 1,506 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë, me rreth 67.30% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 20.60% të totalit. Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-gusht 2014, vihet re një rritje prej 19.38% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 0.74% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-gusht të viti 2013. Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-gusht 2014, arritën në rreth 545 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 18.02% në krahasim me periudhën janar-gusht 2013. Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-gusht 2014, arritën rreth 699 milionë lekë, ose rreth 10.79% më shumë se në periudhën janar-gusht të vitit të kaluar.
Ulet pagesa e dëmeve
Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-gusht 2014 u ulën me rreth 0.73% krahasuar me periudhën janar-gusht të vitit 2013. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,269 milionë lekë, apo 71.36% të totalit të dëmeve të paguara bruto.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.